TIRANE-Janë shpallur 100 fituesit në Akademinë e Sigurisë, të cilët do të ndjekin ciklin e studimeve bachelor. Pyetjet e testit u hartuan nga një komision i posaçëm, nga pedagogë të Akademisë së Sigurisë. Testi përmbante pyetje alternative dhe korrigjimi i tij u bë sipas procedurave standarde të korrigjimit elektronik.

Policia deklaron se rezultatet e testimit u shfaqën në mënyrë automatike, në sallën ku u zhvillua testimi dhe në praninë e gjithë aplikantëve. Interesi për të ndjekur Akademinë e Sigurisë ishte i lartë. Në fazën e parë u regjistruan 563 aplikantë, nga të cilët u kualifikuan 291 prej tyre.
 
Komisioni i Vlerësimit të Rezultatit shpalli listën fituese me 100 konkurrentë, që u renditën të parët në të dy fazat e konkurrimit. Në fund të studimeve 3-vjeçare, studentët e diplomuar gradohen ‘Nënkomisar’ në strukturat e Policisë së Shtetit.

dy.b/shqiptarja.com