Gazetari i ekonomisë Bardh Sejdarasi dhe eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj, kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv për platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila është zyrtarisht në funksion me 238 produkte ushqimore dhe higjienike.

Sejdarasi tha gjatë fjalës së tij se përmes aplikacionit në celular, qytetarët do të mund të shohin çmimet me të cilat shiten produktet.

Por sipas tij, duke qenë që sot inflacioni është i targetuar pranë objektivit të vendosur nga Banka e Shqipërisë, nuk ishte e nevojshme që Qeveria të ndërmerrte një masë të tillë.

Sipas tij, në kushtet e ekonomisë së hapur, është e pamundur që një qeveri të ndërhyjë në çmimet e produkteve në treg.

“Do ketë aplikacion që do ta kesh në celular dhe ti do shikosh blerjet që ke bërë dhe çmimet me të cilat i ke blerë produktet. Sot inflacionin ne e kemi afër inflacionit të targetuar nga Banka e Shqipërisë. Nuk ishte e nevojshme që të kalonim në këtë masë të qeverisë. Është e pamundur që një Qeveri në kushtet e ekonomisë së hapur të ndërhyjë në çmimet e produkteve në treg”, tha Sejdarasi.

Nga ana tjetër, eksperti Danaj tha gjatë fjalës së tij se ‘Pasqyra e Çmimeve’ është një platformë ndihmëse dhe orientuese, por shtoi se nevojiten studime të tjera.

Danaj tha se Qeveria duhet të rishikojë gjithë strukturën ekonomike në Shqipëri dhe të shohë mundësinë e diversifikimit të TVSH-së për produktet e shportës.

“Duke qenë se euro po bie, atëherë çmimet duhet të bien. Por kanë ndodhur disa lëvizje në tregjet botërore. Kjo ka rritur edhe koston e transportit. Edhe në Itali nuk merr me të njëjtën vlerë monetare të njëjtën sasi produkti që ke marrë më parë. Ajo që unë doja të thoja për këtë platformë është se kjo është orientuese. Është ndihmëse. Pritshmëria ime është që këtu të bëhen studime të tjera. Qeveria duhet të rishikojë gjithë strukturën tonë ekonomike. Qeveria duhet të shohë diversifikimin e TVSH-së (përdorimin e alternativave të ndryshme) për produktet e shportës”, tha Danaj.


Lajmi kryesor:

‘Pasqyra e Çmimeve’/ Deputeti Muçi: Manovër propagandistike, s’i shërben askujt! Gazetarja Gjediku: Mund ta ketë zanafillën nga Lufta në Lindjen e Mesme, synohet nxitja e konkurrencës