​Superliga shqiptare ngre sot
siparin e javës së 12-të

​Superliga shqiptare ngre sot<br />siparin e javës së 12-të
TIRANE-Janë saktësuar ditët dhe oraret e të gjitha ndeshjeve të javës së 12-të të Kategorisë Superiore.

Ky “stacion” i garës së elitarëve në futbollin tonë do të konsumohet në dy ditë, të premte dhe të shtunë.

FSHF-ja e ka zyrtarizuar tashmë kalendarin e pesë ballafaqimeve, teksa do ta ngrejë siparin dueli i Vlorës, mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, ditën e premte. Vlonjatët vijnë të motivuar në këtë përballje pasi klubi ka shlyer detyrimet financiare që mungonin prej pesë muajsh.

Në qytetin bregdetar do të luhet nën dritat e prozhektorëve, me ndeshjen që starton orën 17:00.

Një ditë më pas do të kompletohet zhvillimi i kësaj jave të kampionatit kombëtar. Kështu, të shtunën, në orën 14:00, do të fillojnë të luhet këto ndeshjet Laçi-Skënderbeu, Luftëtari-Korabi dhe Kukësi-Tirana.

Kjo e fundit konsiderohet dhe kryendeshja e fundjavës për shkak se të dy ekipet vijnë nga një formë e mirë dhe do të synojnë të kapin kreun e renditjes. Po në këtë ditë, por në orën 17:00, do të luhet edhe sfida përmbyllëse, Partizani-Teuta, në “Elbasan Arena”.

Si rrallëherë, e diela është lënë pushim dhe kjo jo pa shkak.

Sfidat e javës së 13-të të Superiores do të zhvillohen mesjavën e ardhshme, kështu që për skuadrat është menduar të kenë sadopak kohë në dispozicion për t’u çlodhur dhe përgatitur për nga dy ndeshje në pak ditë. Kujtojmë se kampionati kryesohet nga Kukësi dhe Skënderbeu, në kuotë pikësh të barabarta, nga 23 të tilla, ndërsa Partizani dhe Tirana ndajnë vendin e tretë dhe të katërt, me nga 20 pikë.

Ky mund të konsiderohet edhe “kati i sipërm”, që do të rivalizojë për titullin kampion, ndërsa skuadrat më poshtë duket se do të “notojnë në ujërat e turbullta” të mbijetesës.

(k.m/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve