Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka raportuar mbi krimet e luftës nga të dyja palët e përfshira në luftime në rajonin e Donetskut, Ukrainë. Në një raport të paraqitur ditën e sotme në Berlin dhe Londër, Amnesty International akuzon si separatistët filo-rusë ashtu dhe forcat qeveritare ukrainase për krime lufte në rajon.

Raporti në fjalë pretendon të ketë prova evidente që tregojnë se të dyja palët ndërluftuese janë përgjegjëse për mizori dhe ekzekutime të paligjshme gjatë konfliktit.

Por ekspertja ukrainase e Amnesty International, Jovanka Verneri, deklaroi se ishte e vështirë për të përcaktuar shkallën e krimeve, ndërsa paraqiti dhe dyshimet e kësaj organizate mbi ekzekutime apo varre masive në Donetsk.

"Shumë nga rastet tronditëse, veçanërisht ato që janë publikuar nga mediat ruse, janë tejet të ekzagjeruara. Nuk ka asnjë dëshmi bindëse për vrasje apo varre masive"- deklaroi Verneri gjatë prezantimit të raportit. Por Verneri shtoi gjithashtu se në disa raste, gjatë konfliktit, ka patur ekzekutime të cilat mund të kategorizohen si krime të lufte.

Pas raportimeve të ndryshme të mediave ruse, më 23 Shtator, për varre massive në fshatrat Komunar dhe Nyzhnya Krynka, të cilat kishin qenë më parë nën kontrollin e milicive ukrainase, vetë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se ishin gjetur 400 trupa të varrosur. Tre ditë më vonë, një delegacion i Amnesty International shkoi në vendngjarje dhe zbuloi, mes provave të tjera, se në të vërtetë milicia ukrainase kishte ekzekutuar katër burra.

"Ajo që kemi parë atje është një seri rastesh të izoluara ekzekutimesh të cilat, në disa raste, mund të përbëjnë krime lufte. Vrasje të tilla të shënjestrura, megjithatë , janë zbuluar për të dyja palët . Të gjitha rastet e dyshuara duhet të hetohen dhe gjithashtu duhet të ndiqen penalisht ata që janë përgjegjës në të dy palët."- deklaroi Drejtori i Amnesty International për Europën dhe Azinë Qendrore, John Dalhuisen.
 
Gjithashtu, gjatë prezantimit të raportit, Amnesty International, i ka kërkuar të dyja palëve që të hetojë rastet dhe të japin shpjegime mbi krimet në fjalë.
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)