Policia rrugore në qytetin e Vlorës ka bërë publike planin e masave për sezonin turistik. Në vijim të planit të masave për rritjen e sigurisë rrugore, për disa akse në Qarkun e Vlorës janë prezantuar kufizime për disa lloje të caktuara automjetesh.

Bëhet e ditur se nga Shërbimet e Policisë Rrugore pranë DVP Vlorë, janë caktuar shërbimet e policisë rrugore të planizuar për  nevojat e trafikut gjatë sezonit turistik.

Ndërkohë akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëzhgim nëpërmjet patrullave të policisë me qëllimi  normalizimin e qarkullimit si dhe për një përgjigje të shpejtë në rastet kur mund të kërkohet.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në vend, gjatë sezonit turistik veror 2017, në bazë të udhëzimit "Mbi kufizimet në qarkullimin e mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave", nga Shërbimet e Policisë Rrugore pranë DVP Vlorë, janë marrë këto masa:

- Janë caktuar shërbime të policisë rrugore të planizuar për nevojat e trafikut gjatë sezonit veror 2017.

- Përparësi kanë pushuesit vendas dhe të huaj ku punonjësi i policisë duhet të tregojë kulturë, etikë, profesionalizëm në bazë të ligjit.

- Akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëshgim me patrullime të shpeshta me qëllim normalizimin e trafikut dhe ndërhyrjen në kohe sa më të shpejtë në rastet emergjente.

Policia bën me dije se deri në datën 30 Shtator 2017, gjatë fundjavës, duke filluar në oraret 09:00-14:00 e ditës së Shtunë dhe në oraret 12:00-00:00 e ditës së Diel, do të ndalohet (kufizohet) qarkullimi:

· I mjeteve rrugore të cilët transportojnë mallra me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.500 kg.

· I mjeteve rrugore me ngarkesë të pandashme me gjatësi më të madhe se 12 m.

· I mjeteve rrugore ose bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë.

· I mjeteve rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mesimore.

Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në oraret e përcaktuara më sipër, janë:

Vlorë - Zvërnec

Vlorë- Palas- Dhërmi- Vuno- Himarë- Qeparo- Borsh - Sarandë

Sarandë - Qafë Bot (PKK me Greqinë)

Sarandë - Butrint

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe pushuesve që të vihen në dijni për këto masa me qëllim mbarëvajtjen me sukses dhe ruajtjet e rendit e të sigurisë rrugore gjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti.

(D.T/Shqiptarja.com)