Ka përfunduar me sukses testi për vaksinën e Ebolas në Afrikën Perëndimore. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në një konferencë për shtyp. Në test u përfshinë rreth 4000 mijë njerëz nga Guinea.

Kjo mbetet një tjetër arritje e madhe për shkak të efikasitetit dhe kohës së shkurtër të gjetjes së formulës së saktë, shprehen ekspertët. “Shkencëtarëve, doktorëve dhe pacientëve iu deshën vetëm 12 muaj për të gjetur një kurë që në kohë normale do duhej rreth një dekadë”, bëri të ditur OBSH.

Vaksina quhet VSV-Zebov dhe besohet të jetë zgjidhja e duhur kundër infektimit. Ajo është krijuar nga autoritet shëndetësore kanadeze, kurse licenca i përket laboratorëve amerikanë të Neqlink Geneticks & Merck.

Në muajt që lamë pas virusi u ka marrë jetën 11 mijë personave si pasojë e epidemisë së shpërthyer në dhjetor të vitit 2013 dhe ka prekur vende si Guinea, Sierra Leone dhe Liberia.

"Ky është një rezultat i mrekullueshëm që vë në pah fuqinë e partneritetit botëror dhe impenjimin e tyre. Ne shpresojmë që kjo vaksinë do ndihmojë në shuarjen totale të epidemisë në vendet e prekura dhe fakti sesi reaguam për të arritur deri këtu tregon që bota duhet të përfshihet më tepër në çështje që na prekin të gjithëve”, tha Margaret Chan, drejtore e Përgjithshme e OBSH-së.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)