85-vjetori i lindjes së Usta
Laver Bariut

85-vjetori i lindjes së Usta<br />Laver Bariut
Usta Laver Bariu lindi në Përmet, më 2 Maj 1929. Djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llahutë, tregoi që i vogël dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Në fakt. familja e tij ishte e lidhur ngushtë me muzikën. Përveç të atit, Bariut, muziktar i shquar në llautë dhe si këngëtar (të cilin Usta Laveri e mbajti si mbiemër të tij gjithë jetën), në kujtesën e Usta Laveri, del herë pas here edhe imazhi tingullor i gjyshit të tij, Nurka të cilin bashkëkohësit e çmonin si një mjeshtër në violinë.

Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10- vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në atë kohë në dyqanet e Korçës.

Improvizmi i gajdes së fëmijërisë
Në këto vite të mbushura me përpjekje për të mësuar veglat muzikore popullore, Ustai kujton gjithashtu se: … në fillim shkova nga shtëpia në dyqanin e kasapit, dhe atje mora një copë mbeturinë të brendshme që ishte hedhur tutje. E lava dhe e thava në diell, dhe e fryva si një gajde. Bëra edhe pipa kallami të vegjël, dhe i ngula edhe ato ne trup. Kjo ishte gajdja ime. Vinte  një erë shumë të keqe,  por unë nuk pyesja.”. E mbajta të fshehtë në shtëpi, si sekret. Mamaja më pyeti: çfarë është kjo erë? Ajo nuk mundi ta gjente dot. Atëhere, një ditë, babai erdhi në shtëpi dhe gjeti lodrën time, më qëlloi…  dhe ky ishte fati i gajdes sime. Por babai mundi të shihte se unë mund të bëhesha një muzikant, kështu që ai filloi të më mësonte llautën. 

 Ndërkojë intrumenti tjeter i bëre me dorë ishte një xhez, siç quhej në Shqipëri. Mora disa drurë dhe copa metali dhe bëra një daulle bas dhe e luaja me këmbë, ndërkaq i bija tavolinës me duar për të krijuar një ritëm si ai i xhezit. Pas kësaj bëra një def për veten, që ishte më i mirë, dhe e perdora për ti rënë në shtëpi. Kur filloi lufta ndërmjet Italisë dhe Greqisë, një klarinetist grek erdhi në qytet (në Korçë shënimi ynë, VST), dhe ai u bë i njohuri ynë.

Ai nuk mund të ushtrohej sepse nuk kishte muzikantë të tjerë me vehte, përveç të vëllait që ishte llautar, por kur më dëgjoi ti bija në shtepi, më mori ti bija xhezit dhe defit, babai i binte llautës, dhe kështu bëri një bandë te vogël. Normalisht i binim nëpër dasma dhe në një klub ku mblidheshim të gjithë përnatë. Dëgjoja si i binte klarinetës dhe u çmenda pas saj. I thashë babait: “Më bli një klarinetë ose do të hidhem në lumë”!.  Ai e pa sa serioz isha, dhe kështu fillova ti bija nga pak klarinetës”, etj.  

Lidhjet me sazet popullore të Korçës e të Vlorës
Këtu do të përmendim edhe përvojën që Ustai pati me Sazet e Hajdar Cangonji, gërnetist popullor nga Zvezda, Korçë, me të cilin i ati i Laverit, Bariu, punonte nëpër dasma. Hajdar Cangonji e dëgjoi Laverin një herë duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Ai vendosi që edhe Laveri të bëhej pjesë e sazeve të tij, megjithëse i vogël në moshë, duke punuar nëpër dasma e gëzime me “xhezban”. Dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me Usta Hajdarin dhe me të jatin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar etj. Ndërkohë, Ustai i ardhshëm, për herë të parë luan në gërnetë vallen e “Dados”, nën shoqërimin e llautës së babait etj.

Gjithë familja kthehet në Përmet nga Korça, në fund të vitit 1944.
Lufta ishte drejt fundit dhe familja Nurka u bë pjesë e saj duke i dhënë dy dëshmorë atdheut: vëllezërit Gani dhe Sulejman-Maman Nurka. Është fakt se kujtimi i tyre nuk do t`i ndahet asnjëherë Ustait.  Në tingujt e kabave të tij të mëvonshme, do të gjejmë edhe dhembjen e tij humbjen e vëllezërve. Familja Bariu u kthye në Përmet përgjatë një udhëtimi 21-ditor, duke përshkruar rrugën nga Frashëri për në Tremisht, dhe prej aty panë qytetin që ende po digjej. Në Përmet, Laveri ftohet të marrë pjesë në sazet e Usta Vangjel Leskovikut, pranë të cilit, nëpër dasma dhe gëzime punoi me llautë për rreth 1 vit. Paralelisht me lojën në llautë, ai ushtrohej paralelisht në gërnetë në mënyrë autodidakte.

Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë në fillim të vitit 1950, Usta Laveri organizon sazet e tij të para të përbërë nga gërneta dhe tre llauta  me shokët e tij Mazar Muço, Sherif Lamçe dhe Selim Asllani. Në vitin 1952, në Tiranë, mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, në të cilin vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Sipas Sofokli V. Toles: konkurimi u bë në stadiumin e futbollit, në skenën e ngritur disa metra larg tribunës qëndrore.

Grupi popullor i Përmetit konkuroi me këngë e valle popullore të formuar nga artistë popullorë me përvojë, mjeshtër të këngës e valles, si Myrtezai, Nikja, Lalakua, Esati, Mitati etj. Sazet popullore me Usta Laverin përbeheshin nga Mazar Asllani, mjeshtër në llautë, Qemal Ponoçi në fisarmonikë, këngëtar me një zë tingullues, Lefter Nurka, vëllai i Laverit në fisarmonikë, Asllan Dauti këngëtar e llautier. Suksesi ishte i madh, qoftë nga sazet, këngetaret apo vallëtarët. Në mënyrë të veçantë u prit shumë mirë vallja humoristike e kënduar: “Totoja shiti gomarë, për të kuq e për të bardhe”. Me këte rast, në studiot e Radio-Tiranes, sazet regjistruan kënget: “Moj kunadheja leshverdhe”, “A kanë ujë ato burime”, “Trendafili fletë-fletë”, “Nënë gardh më shkon” etj. Autori i këtyre rradhëve ishte organizator i grupit dhe pjesëmarrës si tenor i dytë në këngët “A kanë ujë ato burime” dhe “Trendafili fletë-fletë” etj.

Regjistrimi i sazeve në ‘57-n nga eskspedita gjermane
Në vitin 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane, e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare deri në vitin 2004 duke qënë figura dhe formacioni qendror muzikor i qytetit dhe rrethit të Përmetit. Në vitin 1977, së bashku me Remzi Lelën-Çobanin dhe Mentor Xhemalin, interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore popullore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1976 regjistron shumicën e këngëve popullore me saze të kënduara dhe interpretuara prej tij pranë studiove të regjistrimit të Institutit të Kulturës Popullore, tek ish-Radio Tirana. Në vitin 1989, Usta Laveri bëhet gjithashtu edhe protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos. Debutimi më i fundit publik i sazeve ishte pjesmarrja në F.F.K-në e Gjirokastrës në vitin 2000.

Usta Laveri përveç muziktar i shquar është edhe qytetari i parë i Përmetit për nga vlerat artistike dhe ato njerëzore... Ai mund të cilësohet gjithashtu edhe si i fundit prej Ustallarëve të traditës të madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut pasi sazet e Usta Laverit, mbeten formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut, për periudhën 1950-2000. Regjistrimet kryesore muzikore i kanë pranë Radio-Tiranës, Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore.  Sot Usta Laveri çmohet si një nga personalitetet më të shquara të muzikës popullore iso-polifonike shqiptare; si themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. 

Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Mjeshtër i madh i punës” me motivacionin:“Për mjeshtërinë në interpretimin, vlerat e muzikës popullore të interpretuara prej tij dhe për përcielljen në popull të këtyre vlerave”. Po këtë vit, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit. Usta Laveri është President Nderi i aktivitetit ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor” prej vitit 2000. 

Në vitin 2008 RTSH realizon dokumentarin televiziv “Ustai i fundit” kushtuar jetës dhe veprës së tij. Vdes i rrethuar nga dashuria e familjarëve në qytetin e tij të lindjes, në Përmet, më 26 janar 2014, ditën e përvjetorit të krijimit të Brigadës së VI-të Sulmuese, në rradhët e së cilës ranë dëshmorë edhe dy vëllezërit e tij. Pas vdekjes së Laver Bariut, në kujtim të trashëgimisë së tij të jashtëzakonshme, në vendlindje, në qytetin e Përmetit, në muajin maj zhvillohet “Festivali iso-polifonik i sazeve Usta Laver Bariu”.
 
Som
Talenti
Rreth moshës 10- vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në atë kohë në dyqanet e Korçës.

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër