Nga 50 mandate që Partia Demokratike dhe aleatët e saj arritën të fitonin nga beteja elektorale e 11 majit, vetëm 14 prej tyre ulen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesa dërrmuese e grupit parlamentar opozitar në legjislaturën e ardhshme janë ose të rikthyer, ose të rikonfirmuar për një mandat të radhës.

Megjithatë, edhe në mesin e këtyre 14 emrave të rinj, jo të gjithë janë rishtazi në politikë, pasi pjesa më e madhe e tyre prej vitesh janë të angazhuar ose te Partia Demokratike ose te aleatët që i propozuan.

2 që spikatin në këtë 14-she, Gjin Gjoni deputet i zgjedhur i Lezhës dhe Arjan Ndoj i zgjedhur në Durrës nga rradhët e demokratëve, janë figura që vijnë nga sistemi i drejtësisë. Me ngeljen në klasë në zbatimin e ligjit, tranferohen në karriget e ligjbërësve.

Ish gjyqtari Gjin Gjoni u largua nga sistemi i drejtësisë pasi shmangu Vettingun ndërsa ish prokurori Arjan Ndoja, ngeci në Vetting, të dy të shumëfolur për pasuri të pajustifikuara dhe lidhje me botën e krimit.

Nga Qarku i Durrësit, për herë të parë në parlament ulen edhe Manjola Luku, farmaciste e Artan Luku, një sipërmarrës durrsak, i zgjedhur deputet nga rradhët e Agrarëve. Nga fusha e biznesit vjen edhe deputeti i ri i Shkodrës Kliti Hoti.

Të gjitha figurat e tjera që futen rishtazi në Kuvend janë rekrutuar nga brenda Partisë. Mjeku Zija Ismaili, deputet i Beratit vjen pas një sërë angazhimesh në PD, deputetja e zgjedhur në Dibër Denisa Vata mbajti deri vonë postin e kryetares së PD në Mat.

Nga Qarku i Elbasanit, PD çon për herë të parë në parlament dy emra, ish kreun e degës lokale Blendi Himçin dhe Klodiana Çapjan, drejtoreshë e një kompanie të njohur ndërtimi.

Korça po ashtu nga radhët e demokratëve çon në Kuvend dy ligjvënës të rinj. Ivi Kason, jurist, që ka mbajtur për vite të tëra peshën e përfaqësuesit ligjor dhe zgjedhor të selisë blu dhe Fidel Krekën, më i votuari mes listës opozitare, i vetëpunësuar por edhe viteve të tëra angazhim në PD.

Nga Qarku më i madh i vendit Tirana, po ashtu ka vetëm 2 emra të rinj, Besart Xhaferri, konsulent arsimi e njëherësh kryetari i Forumit Rinor në PD dhe Tedi Blushi, ish gazetar, ish këshilltar i Ilir Metës në Presidencë dhe numri 2 i partisë së tij. Po ashtu, Partia e Lirisë fut në parlament për herë të parë mësuesen Brunilda Haxhiu, që do të përfaqësojë Qarkun e Fierit.

DEPUTETË PËR HERË TË PARË NGA PD
Gjin Gjoni ish-gjyqtar
Arjan Ndoja ish-prokuror
Manjola Luku Farmaciste 
Artan Luku Biznesmen
Kliti Hoti Biznesmen Drejtor Ekzekutiv
Zija Ismaili Mjek
Denisa Vata Kryetare e PD Mat
Bledi Himçi avokat Ish-kryetar i PD, dega Elbasan
Klodiana Çapja drejtoreshë, kompani ndërtimi
Ivi Kaso Jurist/ Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PD
Fidel Kreka Krijuesi dixhital
Besart Xhaferi Shkenca ekonomike/ Kryetar i FRPD
Tedi Blushi Gazetar/ Sekretari i Përgjithshëm i PL
Brunilda Haxhiu Mësuese funksionare e PL