870 kg kanabis në serat e Dronovicës, 57 efektivë dhe drejtues të lartë të policisë Berat nën hetim! Dosja pritet të kalojë në SPAK

BERAT- 57 efektivë të DVP Berat, mes tyre edhe drejtues të lartë, janë nën hetim për drogën e gjetur dy javë më parë në serat e fshatit Drenovicë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme policore, që konfirmojnë se 57 efektivëve të lartë ju ka mbërritur edhe njoftimi zyrtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Ministrinë e Brendshme,e cila ka nisur hetimet për serën me kanabis të zbuluar në një zonë të ish/njësisë administrative Kutalli në bashkinë Dimal. Mësohet se që prej ditës së sotme ka nisur marrja në pyje e efektivëve të policisë, pasi ka dyshime të forta se kanë patur dijeni për aktivitetin kriminal dhe nuk e kanë raportuar atë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se janë nën hetim, jo vetëm drejtori i DVP Berat Edmond Tarkaj por edhe shefi i Komisariatit të Policisë Berat, Skrapar e Dimal, Shefi i Krimeve në DVP Berat,të gjithë shefat e seksioneve në DVP Berat, shefat e policisë kriminale dhe SPZ-të e zonave. Në njoftimin zyrtar që ka mbërritur personave nën hetim thuhet se, do ju komunikohet në vazhdim nëse hetimi ndaj tyre do kryhet duke i pezulluar nga detyra apo duke qëndruar në detyrë, pasi siç edhe thuhet në shkresën përcjellëse ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda disiplinore duke fshehur veprimtarinë kriminale.

Burime të brendshme në Prokurorinë e Rrethit Berat, ku po vijojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, bëjnë me dije se droga nuk ishte mbjellë në serat e Kutallisë por dyshohet se ishte e mbjellë në malet e Skraparit. Të njëjtat burime konfirmojnë se në serat e Kutallisë droga kishte mbërritur vetëm për paketim dhe amballazhim dhe se ky proçes kishte vetëm 1-javë që po kryhej brenda serës. Po të njëjtat burime konfirmojnë se, duke parë rrjedhën e hetimeve të deritanishme, dyshohet se kemi të bëjmë me një aktivitet të strukturuar kriminal dhe pritet që të merret edhe vendimi për kalimin e çështjes për hetim SPAK.

Sera në fshatin Drenovicë të Beratit u zbulua gjatë një operacioni anti-drogë më 10 nëntor. Serat ishin të ndara në 4 pjesë,  secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. Në kontrollin e realizuar nga policia është arritur të kapet një sasi prej 870 kg kanabis. Policia sekuestroi edhe 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis në proces përpunimi. Gratë që ishin marrë peng për të punuar në serë dhe u shoqëruan nga policia si dhe 9 burrat e arrestuar (8 rojet dhe Hamdi Dyli, pronari që i kishte lënë serat me qira), u morën në pyetje nga policia. 11 personat e kapur në fermën e kanabisit në njësinë administrative Kutalli janë lënë në burg ndërsa 2 gratë organizatore Drita dhe Izmira Mema dhe 95 punëtoret e rekrutuara, po hetohen në gjendje  të lirë.

‘Do vilnin ullinj’, si u morën ‘peng’ gratë për të punuar në fermën me kanabis
95 gratë nga Fushë-Kruja dhe Lezha, nuk ishin punëtore të zakonshme. Ato thanë se ishin mashtruar nga grupi kriminal se do të vilnin ullinj. Kur panë tjetër realitet, gratë u kërcënuan se do i vrisnin familjarët dhe në krye të tyre për t’i ruajtur ishin Drita dhe Izmira Mema, 2 gra organizatorë të rrjetit, të arrestuara nga policia. Gratë qëndronin ditë e natë në serën e shndërruar edhe në hotel dhe familjarë u thonin se do ktheheshin kur të mbaronin me mbledhjen e ullinjve. Me 5 mijë lekë pagesë ditore për punën me kanabisit, gratë e kërcënuara nga 16 në 65 vjeçe kishin zgjedhur të heshtnin. Pas kontrollit të ushtruar nga policia në çantat e tyre u gjendën sasi të konsiderueshme parash.

Disa prej anëtarëve të grupit, kryesisht rojet, të kërcënuar ashtu si gratë, para familjarë justifikoheshin duke thënë se punonin në Mal të Zi si ustallarë në ndërtim. Ata u kapën në flagrancë në ditën e fundit të punës. Policia kishte informacion për aktivitetin kriminal prej një muaji, ndërsa sipas tyre, nuk ka indicie të përfshirjes së efektivëve blu në këtë aktivitet, ndërsa është ende në kërkim organizatorit që kultivonte lëndët narkotike, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë