Në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, presidenti Bajram Begaj u shpreh se pavarësisht se gjeniu shqiptar i letrave nuk jeton më ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore.
“Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare.
Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste.
Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.
Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024 në banesën e tij në Tiranë.
Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.
Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka kujtuar gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, në ditën e tij të lindjes.
“Gjeniu ynë Kadare, ai që e mbajti qiririn ndezur, i shkroi të gjithë librat, i përktheu në të gjitha gjuhët, i mori të gjitha çmimet, ia bëri vendit të gjitha nderimet, ia kreu të gjitha shërbimet, sot ka Ditën e Lindjes.
Kujtojmë në këtë ditë kolosin tonë humanist, kulturor, patriotik.
Sot e mot e përgjithmonë i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i madhi dhe më i ndrituri ynë.
Fjalët me zor i gjejmë. Fryma s'na mjafton.
Na duhesh. Ngreu, dhe kthehu, prej atje ku je, ku përkohësisht ke shku.”, shkruan znj. Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024 në banesën e tij në Tiranë. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës.