Shuhet në moshën 88 vjeçare kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare! Shkrimtari i madh e ngjiti letërsinë në majat e kulturës botërore

TIRANË- Letërsia shqiptare në zi. Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal mëngjesin e 1 korrikut 2024 në banesën e tij në Tiranë në moshën 88 vjeçare por letëria e tij do të mbetet e pavdekshme.   

"Më datë 1 korrik, 2024, në orën 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkrimtari i madh Ismail Kadare, shkruhet në një postim në facebook të shtëpisë botuese "Onufri' e cila ka të drejtat ekskluzive të botimit të veprave të Kadaresë.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se Kadare pësoi "arrest kardio-respirator",në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë. 

Qeveria mori vendim për të shpallur 2 dhe 3 korrikun ditë zie kombëtare në nder të Kadaresë. Ndërkohë të mërkurë, datë 3, do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore tek Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Po kështu në orën 13:00,të 3 korrukut në nderim të tij do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. 

Homazhet dhe ceremonia shtetërore do të organizohet nga një komisioni i posacëm nën mbikyrjen e vetë kryeministrit Edi Rama. Pjesë e tij janë 3 ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj drejtori i policisë së shtetit, komandanti i Gardës por dhe përfaqësues të kabinetit kryeministror. Të gjitha shpenzimet për ceremoninë dhe homazhet do të mbulohen nga qeveria.

Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.

Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.

“Ferri komunist, si çdo ferr tjetër, është mbytës”, i tha shkrimtari AFP-së, në një nga intervistat e tij të fundit, në tetor 2023.

"Kam qenë në një periudhë shumë të vështirë, shumë delikate, shumë të rëndë dhe në njëfarë mënyre do të thosha misterioze...  Tani, edhe kur e mendoj tani, më duket gjë disi e pabesueshme. Si i paskam jetuar unë ato? Si i kam kapërcyer ose si janë kapërcyer ato ngjarje? Gratë e udhëheqësve luanin një rol shumë negativ në të gjitha këto zhvillime. Me anën e tyre kryheshin intriga private, personale, të fshehura, misterioze, që nuk ua kuptoje dot ku e kishin qëllimin dhe pse bëheshin" tha Kadare në intervistën e fundit për medien, në dhjetor 2023. Ishte në Bunk'Art1 ku u dha premiera e filmit "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" të regjisorit Luciano Tovoli. Filmi u shfaq për herë të parë për publikun shqiptar pas 40 vjetësh kur dha dhe intervistën për gazetaren e Report Tv, Admirina Peçi. 

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në moshën 11 vjeçare lexoi Tragjedinë "Makbeth' të Shekspirit dhe i ndryshoi jetën, megjithëse në atë moshë nuk kuptonte gjithçka. E donte kaq shumë sa filloi ta kopjonte në dorë. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960)

Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare.U vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.

Më pas erdhi romani “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës. Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë.

Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike, ndërsa vitet e fundit u vendos në Tiranë. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.

U vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë por nuk e fitoi. 

Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker Prize” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.

Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë". Në 2019 fitoi çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, ndërsa vitin e kaluar  (17 tetor 2023) shkrimtarit të madh shqiptar  iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron. 

Vepra e tij do të mbetet e pavdekshme 

Letërsia më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës sime, më dha kurajën për të rezistuar, lumturinë, shpresën për të kapërcyer gjithçka”, tha ai në intervistën për AFP-në

"Ajo për të cilën më kërkojnë llogari është përse unë kam shpëtuar gjallë nga ai sistem. Nuk mund te jemi sqimatarë për gjëra të vogla,tek e fundit përse duhej që une të sakrifikohesha? Moralistët me thonë shpesh :”Ti nuk ke qëne i sinqertë me diktatorin" Por a duhet të jesh i sinqertë me banditët ,me egërsirat?” - tregonte në një intervistë për prestigjiozen franceze 'Le Monde'

Mediat më të mëdha në botë shkruajtën për vdekjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ato i referohen si njeriu që i dha dritë të ndritshme, kohës kur Shqipëria ishte në errësirën e diktaturës së Enver Hoxhës shkrimitari që luftoi komunizmin me veprat e tij. Edhe SHBA dhe BE kanë shprehur ngushëllime, duke e vlerësuar shkrimtarin, gjeni dhe gjigand letrar. Fjalë të ndjera zgjodhën dhe krerët më të lartë të shtetit dhe politikës në reagimet e tyre për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë duke u shprehur se është një humbje e madhe për të gjithë kombin.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:26
TIMS, 1 minutë heshtje në nderim të Ismail Kadaresë (VIDEO)

 

Komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS mban sot mbledhjen e radhës.

Para vazhdimit të mbledhjes të gjithë janë ngritur në këmbë dhe kanë mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të shkrimtari të njohur Ismail Kadare.

E pranishme është edhe Vlora Hyseni Drejtoresha e SHISH.

Ora 20:05
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Komision i posaçëm shtetëror për ceremoninë e varrimit! Ja përbërja

Qeveria shqiptari shpalli dy ditë zie kombëtare për nder të të ndjerit Ismail Kadare, shkrimtarit të njohur të letërsisë shqipe i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88 vjeçare.

Sipas vendimit i cili u publikua po sot në Fletore Zyrtare, në datat 2 dhe 3 korrik 2024 në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.  

Një komision i posacëm shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit do të merret me organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore. Pjesë e komisionit të posacëm janë 3 ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj drejtori i policisë së shtetit, komandanti i Gardës por dhe përfaqësues të kabinetit kryeministror.

Përbërja e komisionit të posacëm shtetëror për ceremoninë e varrimit të Kadaresë
Do jetë nën mbikëqyrjen e Kryeministrit
-Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit - Blendi Gonxhe
- Ministrin e Mbrojtjes; - Niko Peleshi 
- Ministrin e Brendshëm; - Taulant Balla 
- Kryetarin e Bashkisë Tiranë; - Erion Veliaj
- Drejtorin e Protokollit të Shtetit -
- Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;- Muhamet Rrumbullaku
- Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
- Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
- Përfaqësues nga Kabineti i Kryeministrit;
- Përfaqësues nga zyra e Shtypit të Kryeministrit.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30.

Po kështu në orën 13:00,të 3 korrukut në nderim të tij do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror do të transmetojë muzikë funebre.

Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.

Po kështu dhe shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

 

Ora 17:32
Homazhet për Ismail Kadaren mbahen të mërkurën, ceremonia do të kryhet nga Kryeministria

1719843477_ismailkadare.JPG

Homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, do të mbahen ditën e mërkurë, rreth orës 11.

Sipas burimeve për Report Tv, ceremonia do të kryhet nga institucionet shtetërore, konkretisht nga Kryeministria.

Aktualisht trupi i Kadares ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet.

Ora 12:27
Fotoja e fundit e Ismail Kadaresë! Mëngjeset e shkrimtarit në kafenenë e Parisit dhe në Tiranë

Në Paris të Francës pëlqente kafe Rostand! Aty shkonte rregullisht. Gjente frymëzimin për të shkruar veprat e tij kur u largua nga Shqipëria në vitet 1990.

Madje i kushtoi dhe një libër ku tregon përvojën e tij në Paris para dhe pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, si dhe për kafenenë Rostand. "Mëngjeset në Kafe Rostand"

Pas botimit të librit, autori u detyrua të gjente një kafene tjetër për të shkruar sepse në Kafe Rostand i vinin shqiptarët ta takonin e nuk e linin të punonte.

Ndërsa në Shqipëri kishte zgjedhur kafe Juvenilja, pranë liqenit artificial në Tiranë. Aty e gjenin lexuesit të cilët donin të kishin një kujtim me të.

 Kafja e fundit ishte të hënën e 24 qershorit 2024.

“Duke sfiduar vapën e padurueshme të Tiranës” shkruan botuesi Bujar Hudhri teksa poston një foto me të.

Për shkak të moshës përpiqej të ishte i tërhequr por megjithatë gjithmonë ishte I gatshëm për të takuar admiruesit e tij, të mëdhenj e të vegjël, t'u firmoste një autograf apo dhe të realizonin një foto si kujtim se jetuam në kohën e shkrimtarit të madh të gjallë Ismail Kadare.

Foto: Ismail Kadare, 24 qershor 2024 
Ora 11:24
Shuhet Ismail Kadare, veprat që do të mbeten të pavdekfshme! Nga 'Pallati i Endrrave' tek 'Mosmarrëveshja'

U shuajt në moshën 88 vjeçare, në Tiranë, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Ai ndodhej në banesën e tij në Tiranë, kur papritmas është shembur në tokë pa ndjenja. Mjekët e urgjencës, të thirrur nga familjarët e tij, nuk mundën të bënin asgjë.

Kadare, konsiderohet si një nga kolosët e letërsisë shqiptare. Autor i dhjetëra romaneve, poezive dhe eseve, ai është ndoshta ndër shqiptarët më të njohur në botë, me veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të botuara anembanë.

Ai ishte shkrimtari i madh që na la një vepër të pashoqe.

Letërsia më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës sime, më dha kurajën për të rezistuar, lumturinë, shpresën për të kapërcyer gjithçka”, tha ai në një intervistë për AFP-në

Ja Veprat e Kadaresë 
“Frymëzime djaloshare 1954”
“Ëndërrimet”, (1957)
“Shekulli im” (1961
“Përse mendohen këto male” (1964)
“Motive me diell (1968)
“Koha” (1976)
“Qyteti pa reklama” nuk është lejuar të botohej i plotë deri në vitin 2003
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964)
“Kështjella” (1975)
“Kronikë në gur” (1970)
“Emblema e dikurshme” (1977),
“Ura me tri harqe” (1978)
“Gjakftohtësia” (1980)
“Pallati i ëndrrave” (1981)
"Spiritus"
“Kush e solli Doruntinën’
"Mëngjeset në kafe Rostand“, motive të Parisit"
"Mosmarrëveshja"
"Darka e Gabuar"
"Aksidenti"
"Kukulla"
"Kur sunduesit grinden"
“Arti si mëkat”
“Ballkani i jugut”
“Bisedë përmes hekurash”
“Dimiri i vetmisë së madhe”
“Autobiografia e popullit në vargje Ca pika shiu ranë mbi qelq”
“Çështje të marrëzisë”
“Çlirimi i Serbisë prej Kosovës”
“Dantja i pashmangshëm”
“Dasma”
“Dialog me Alain Bosquet”
“Ditë kafenesh”
“E penguara, Requiem për Linda B.”
“Fati i shqiptarëve sipas Ismail Kadaresë”
“Ftesë në studio”
“Hamleti, princi i vështirë”
“Ikja e shtergut”
“Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”
“Kamarja e turpit”
“Katër përkthyesit”
“Koha e dashurisë”
“Kohë barbare”
“Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”
“Koncert në fund të dimrit”
“Kristal”
“Krushqit janë të ngrirë”
“Kushëriri i engjëjve”
“Mbi krimin ne Ballkan”
“Muzgu i perendive të Stepës”
“Nata me hënë”
“Nëntori i një kryeqyteti”
“Pa formë është qielli”
“Përballë pasqyrës së një gruaje”
“Përbindëshi”
“Piramida”
“Poshtërimi në Ballkan”
“Princesha Argjiro”
“Qorrfermani”
“Ra ky mort e u pamë”
“Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”
“Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”
“Stinë e mërzitshme në Olymp”
“Tri këngë zie për Kosovën”
“Unaza në kthetra”
“Uragani i ndërprerë”
“Vajza e Agamemnonit”
“Vjedhja e gjumit mbretëror”
Ora 09:30
Profil/ Kush ishte Ismail Kadare, nga fëmijëria te pasioni për letërsinë! U nderua nga Macron me titullin më të lartë francez ‘Urdhri i Lartë i Legjionit të Nderit’

1719817344_kadare.jpg

Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqiptare, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm, më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960).

Kadare nisi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); "Ëndërrimet", (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal, rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980).

E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Vitet e hershme

U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021). Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati ka punuar si postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht. Në institutin Gorki, vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”. U detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare,por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.

Çmimet

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohej emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Kadare u vlerësua me çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015.

Kadare u vlerësua dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ishte vetë presidenti francez Emmanuel Macron, që i dorëzoi Kadaresë dekoratën e "Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit" gjatë vizitës në Tiranë.

Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lexues: 02/07/2024 07:12

    Qenkan mbledhur analfabetet funksionale dhe jepkan mend per dike qe na e vuri emrin ne harte, qe na beri te shijojme letersine e vertete ne gjuhen tone.

    Përgjigju
  • Meri: 02/07/2024 06:28

    Te tera u thane e do thuhen. Shkrimtar i madh padyshim. Ndoshta i vetmi ne permasa te tilla i Shqiperise. Por instrumentalizimi kaq shperpjestimor i regjimit mafiozo politik te pasardhesit te byrose Rama, nuk qe i papritur. Pale kur te na caje daullen me historite e tik si pyle Zylo qe eshte. Aq sa edhe Karlon e la pa tekst sot. Apo e ka radhen neser ay....

    Përgjigju
  • Iris: 02/07/2024 02:31

    Si shkrimtar ka qene me te vertete i madh me stil te sofistikuar,por veprat e tij me kane pelqyer.Si njeri i letrave qe mund te ndikonte ne politike e te ngrinte peshe zemrat e gjithe shqiptareve,nuk ka qene kurre nje /Emil Zola/ i joni.Largimi i tij ne vitet 90' ne France ne kohen kur /morsa/ po leshohej dhe jo me perpara,nuk la pershtypjen dhe as efektin qe mund te kishte lene po te kishte ndodhur perpara.Pozicioni i tij gjate diktatures,si kritikues i matur,apo nen mbulesen e simbolikave letrare kundrejt diktatures, nga njera ane dhe nga ana tjeter, i privilegjuar e i perkrahur nga kokat e pushtetit te asaj kohe,kur shume shkrimtare e autore te tjere nuk botoheshin,apo me keq burgoseshin e pushkatoheshin,eshte nje tjeter ceshtje qe i duhet lene kohes e historise t'a gjykoje.Problemet e tij familjare shume te perfolura,ndoshta nje tjeter ceshtje qe i duhet lene mendesive e kohes kur ndodhen dhe pozicionit shoqeror te personave te perziere ne keto ngjarje.Qendrimi i tij politik pas demokracise,mund te kishte qene nje ze /luani/ ,por per fat te keq ishte teper i ulet per t'u degjuar nga te gjithe shqiptaret e teper i paperfillshem per te shkundur politikanet.Ne perfundim Kadare ishte nje shkrimtar i madh,por nje person me drite hije qe tashme i takon historise e popullit per t'a vleresuar.

    Përgjigju
  • Hajtmo: 02/07/2024 02:15

    Cunit huj adoleshent I shkatrroj jeten se I ra n.dashni me gocen

    Përgjigju
    • Gati-tu: 02/07/2024 10:13

      O Hajtmo-je, 17 vjeç njeriu nuk e di ende çfare eshte bota dhe dashnia, por duhet te dije mire caqet dhe respektin. Te jesh i sigurte se 90% e baballareve shqiptare sot te bejne per spital po te vish t‘i ngacmosh gocen si halabak.

  • beni: 02/07/2024 01:07

    Keta te dy ismail kadare dhe dritero agolli,,na kane dy libra qe i kane bere ata te perjetshem,,, gjenerali i ushtrise te vdekur,,dhe njeriu me top,,,te dy filma te mrekullueshem....te luajtur mjeshterisht nga artistet me te nire te filmit shqiptar...

    Përgjigju
  • jaho: 02/07/2024 01:02

    LEO,, ,EDHE AGIM DOCI ISHTE NJE ARTIST I MADH,,,PO NA IKIN NJEREZIT ME TE MIRE QE KEMI ,,,EH.EH.

    Përgjigju
  • Rroqi: 01/07/2024 23:09

    Shkrimtar I madh por me duket dhe spiun I madh,matrapaz I madh, por shpirti I shkoft ne parajs

    Përgjigju
    • ...: 02/07/2024 07:56

      Islamike? Ti je per burg mor

    • BBC: 02/07/2024 00:37

      Po mbylle halene o kafshe islamike

  • Leo: 01/07/2024 10:14

    per Agim Doçin. Qe ka shkruj 3000 kenge sthan asnje ngushellim kta... Tshofim ndryshimin

    Përgjigju
  • abc: 01/07/2024 09:55

    SHKRIMTARI ME I MADH SHQIPTAR,,,I KKA BERE SHQIPTARET KRENAR NE BOTE...,,NA KA LENE VEPRA TE MEDHA,,,,POR PENA E TIJ KRIJONTE PA PUSHIM,,,ngushellime familjes,,.PO TE ISHTE NE FRANCE MUND TE KISHTE SHPETUAR,,,MJEKET KETU NE SHQIPWRI PO NA TREGOJNE PERDITE QE JANE HAJDUTE TE FELLIQUR...

    Përgjigju
  • sadik: 01/07/2024 09:51

    ngushellime per vepren

    Përgjigju
  • Ngushellime: 01/07/2024 09:10

    Ngushellime per gjeniun e madh shqiptar ! Turp Europa qe nuk I dha Nobel

    Përgjigju
    • Lala: 01/07/2024 12:20

      Ska turp QE Si DHAN nobel.te mo's harrojm CI beri ish te dashurit 17 vjecar te vajzes se tij.e burgosi.e internoi.e dhunui DHE aig shtetit Deri ne ate far pike SA Tani Jeton ne Kanada ne karrige me rrota DHE te paafte te kujdeset per beten e tij.shkrimtar I made por njeri I vogel

    • Arben: 01/07/2024 09:52

      Europa nuk i dha NOBEL sepse ne vitet 90 Kadareja u implikua me PD e Saliun! Europa i sheh gjerat ne detaje! Nuk fal! Gjithsesi ngushellime per figuren kryesore te kombit shqiptar ne letersi!

    • Sindi: 01/07/2024 09:50

      Turp Shqipëria që nuk e bëri President. Ose ambasador në OKB.

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time