UDINE – Çukal Delija, 43 vjeçari i arrestuar një ditë më parë nga policia italiane për tragjedinë e 9 janarit “u tradhëtua” nga një shqiptar. Policia italiane ka dhënë për mediat detaje të operacionit për arrestimin e njeriut, të cilin drejtësia shqiptare e ka dënuar me 25 vjet burg, në mungesë për trafik qënies njerëzore dhe vrasje të paramenduar.
Komandanti i njësisë hetimore që bëri arrestimin, Fabio Pasquariello rrëfeu për mediat se në Udine, Delija i shpallur në kërkim që prej vitit 2006, jetonte në kushte shumë të mira.
Ai pohoi se Delija nuk ka treguar se cilët kanë qenë strehuesit e tij në Friuli, zonë ku jeton komunitet i huaj e ku numërohen rreth 100 shqiptarë. Sipas zyrtarit të policisë italine, në rregullat e “jetës së krimit”, ai që cilësohet si i forti nuk fshihet, por vetëm i përcjell mesazh të tjerëve se nuk duhet të flasin për të. Sipas tij, kjo është arsyeja që, sipas policisë italiane, 43 vjecari është strehuar nga njerëz të cilët nuk kanë patur dijeni për krimet e tij, ose në rastin më të keq, kohë më parë kanë qenë vetë pjesë e trafikut që Delija bënte me shqiptarët drejt brigjeve italiane.
“Deri më tani, komuniteti shqiptar ka qenë shumë bashkëpunues”, tha për mediat kapiten Pasquariello.

ARRESTIMI
Cukal Delija u arrestua nës mes të sheshit Rizzi në të njëjtin vend ku prej kohësh shëtiste në këmbë. Bashkëpunëtori i policisë italiane tha se, prej kohësh binte një sy një grup të huajsh, të cilët cdo ditë në këtë vend prisnin dikë, i cili në rolin e komandantit, i gjente ose i ndante atyre punë në ndërtim etj.
Karabineri i infiltruar në këtë grup u bë mik me një prej shqiptarve që si profesion ishte murator. Pas disa bisedash, i infliltruari kishte kuptuar se “shefi” kishte dicka që nuk shkonte dhe ndërronte shpesh banesë apo qytet. Pas informacioneve të marra nga Shqipëria u konfirmua se Delija ishte person në kërkim me akuzën e rëndë të trafikut dhe vrasjes së 28 pasagjerëve në gomonen e tij, mbrëmjen e ftohtë të 9 janarit 2004.
Pas arrestimit, muratori shqiptar ka tashmë një punë stabël, por policia e ka transferuar në një qytet tjetër, për shkak se në Friuli ai ishte në rrezik tashmë.

(aq/shqiptarja.com)