9 maji njihet si dita e Europës. 

Në kuadër të kësaj dite, në Shqipëri do të organizohen një sërë aktivitetesh, ku ndër të cilat Kuvendi i Shqipërisë, do të hapë për vizitorët dyert e Sallës së Seancave Plenare.

Qytetarët do të kenë mundësinë që, jo vetëm të vizitojnë mjediset e Sallës së Seancave Plenare, por edhe të njihen më nga afër, përmes informacionit që do të mundësohet nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, me funksionet dhe veprimtarinë e këtij institucioni.

Po ashtu, në Sheshin "Nënë Tereza", Ministria e Integrimit Europian, organizon aktivitetin me rastin e Ditës së Europës ku marin pjesë: Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Ambasadorë dhe rreth 1000 të rinj.

Kjo datë kujtohet që nga deklarata e 9 majit të vitit 1950 që është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Në atë kohë, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)