Nëntë persona janë arrestuar në Paris si pjesë e një hetimi mbi një mashtrim të dyshuar me biletat, që zgjaste një dekadë dhe kapte vlerën e 10 milionë eurove në muzeun më të vizituar në botë, Luvrin.

Arrestimet u kryen të martën si pjesë e një hetimi gjyqësor të hapur pasi muzeu depozitoi një ankesë në dhjetor 2024, tha zyra e prokurorit.

Sipas shkresës, humbja për muzeun gjatë dekadës së fundit vlerësohet të tejkalojë 10 milionë euro

Të arrestuarit përfshijnë dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike dhe një person që dyshohet të jetë arkitekti kryesor i mashtrimit, sipas zyrës së prokurorit.

Muzeu i kishte njoftuar hetuesit për praninë e shpeshtë të dy guidave kineze, të dyshuara se sillnin grupe turistësh kinezë në muze duke përdorur në mënyrë mashtruese të njëjtat bileta disa herë për vizitorë të ndryshëm. Më vonë, dyshohej se edhe guida të tjera kishin praktika të ngjashme.

Zyra e prokurorit tha se mbikëqyrja dhe përgjimet telefonike konfirmuan përdorimin e përsëritur të biletave dhe një strategji të dukshme për ndarjen e grupeve turistike për të shmangur pagesën e “tarifës për të folur” që u kërkohej guidave. Hetimi gjithashtu tregoi për bashkëpunëtorë të dyshuar brenda Luvrit, me guidat që dyshohet se u jepnin atyre para në dorë për të shmangur kontrollin e biletave.