Detaje te reja të shkeljes së ligjit për procedurën e tenderimit për uniformat e Policisë së Shtetit. Burime për Report TV thonë se procedura e tenderimit ka nisur që në 2019-ën, periudhë kur është hapur gara për uniformat e reja të Policisë së Shtetit. Sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të cilësisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Kjo vendimmarrje, thonë burimet, është kundërshtuar nga vetëm një prej anëtarëve të komisionit, i cili ka dhënë firmë kundër procedurës së bashkimit të pjesëve, duke pretenduar se ishte shkelje e ligjit. Burimet saktësojnë po ashtu se për shkak të mungesës së dokumentacionit, është shprehur kundër edhe një anëtar i prokurimeve për përzgjedhjen e kompanisë fituese.

Kompania “D&E shpk”, e cila fitoi tenderin me vlerë rreth 25 milionë euro, kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese. Bashkimi i tre pjesëve për uniformat e efektivëve është bërë pa miratimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si organi që duhet të jepte pëlqimin për këtë tender. Nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarët e arrestuar deri më tani janë  ata të cilët kanë hedhur firmën në dokumenta, duke shkelur ligjin. Hetimet vazhdojnë më tej për të provuar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Një ditë më parë me kërkesë të prokurorit të SPAK, Dritan Premçi, gjyqtarja e GJKKO, Danila Shirka lëshoi 9 urdhër-arreste, ku pas arrestimit të ish drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari, u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në 'arrest shtëpie' Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit.

Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë 'zbërthyer' skemën e abuzimit me tenderin.

Rezulton se ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizura fituesin. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku zyrtarët dhe ish zyrtarët nën akuzë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi, ku fitues u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC.