9 vjet pa Rugovën, përfaqësuesit e
shtetit homazhe tek varri e familja

9 vjet pa Rugovën, përfaqësuesit e<br />shtetit homazhe tek varri e familja
Sot u shënua 9 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe në Prishtinë u kryen ceremoni përkujtimore nga figura të larta shtetërore në varrin e tij në Velani dhe tek familja Rugove. 

Para varrit të Rugovës u bënë nderime nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe njëkohësisht kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili përkujtoi liderin historik bashkë me anëtarë të partisë, anëtarë të qeverisë dhe veprimtarë të LDK-së, duke bërë nderimet ceremoniale me vendosje lulesh. Pjesëmarrës në këto ceremoni, Sabri Hamiti tha se po nderojnë si gjithmonë Ibrahim Rugovën, si udhëheqësin e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe si krijuesin institucional të pavarësisë së Kosovës. 

Pjesë e homazheve ishte dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe qytetarë të tjerë. Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vendosi kurorë lulesh dhe bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit dhe kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, si dhe vizitoi Shtëpinë e Pavarësisë, vendin ku u themelua LDK-ja 25 vjet më parë. 

Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës më 21 janar 2007, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës. 

Mustafa: Rugova i dha emër Kosovës në shekullin e kaluar
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe njëherazi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarë të kryesisë dhe veprimtarë të LDK-së, kanë bërë nderime para varrit të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Mustafa bëri nderimet e rastit tek varri i Rugovës për nëntë vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova. “Të shënojmë një kujtim të madh që kemi për të. Të shprehim respektin e madh për veprën e tij, për jetën e tij, përkushtimin e tij për lirinë pavarësinë, dhe demokracinë e Kosovës dhe për të gjitha që gjatë kohës së tij e bëri për Kosovën dhe e shënoi shekullin e kaluar dhe fillimin e këtij shekulli”, tha Mustafa gjatë homazheve që bëri. 

Hamiti: Rugova ka lënë një trashëgimi politike dhe konstitucionale për Kosovën
Kurse, Sabri Hamiti tha se po nderojnë si gjithmonë Ibrahim Rugovën, si prijësin e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe si kreatorin institucional të pavarësisë së Kosovës. “Ai e mori gjithë dashurinë, shpresën dhe gjithë besimin e qytetarëve të Kosovës. Ai e mori edhe respektin e pafund të botës demokratike. Duke i pasur me vete këto vullnete, vepra e tij u bë vepër për Kosovën, prandaj ajo nuk është vetëm një vepër e kryer por edhe një trashëgimi politike edhe konstitucionale për Kosovën edhe sot edhe nesër. Ne disa që jemi edhe miq të hershëm të tij natyrisht e respektojmë Ibrahim Rugovën edhe si dijetar edhe si filozof , edhe si prijës shpirtëror të këtij vendi dhe natyrisht e respektojmë edhe bashkëpunimin tonë dhe trashëgimin e tij”, ka thënë ai. Homazhe ka bërë edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu dhe qytetar të tjerë.

Kush ishte Ibrahim Rugova…

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1988 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë e datës 2 korrik 1990, shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj në 7 shtator 1990, referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004. Dr.Ibrahim Rugova vdiq me 21 janar 2006 , u varros me nderime te larta shtetërore dhe ushtarake. Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.
 

rugova

Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf