90 vite më parë/ Hajdutët e Maminasit terrorizojnë lagjen “Stan” / FOTO

90 vite më parë/ Hajdutët e Maminasit terrorizojnë lagjen “Stan” / FOTO

Xhandarmëria e Zogut

Në gazetat e ditës një vënd të rëndësishëm zënë sot kronikat e zeza, të cilat fillojnë që nga faqja e parë dhe kur krimet kanë intensitet ato pushtojnë faqet kryesore të tyre, duke spostuar dhe lajmet më të vlefshme të politikës, ekonomisë apo të kulturës. Duke ndjekur thuajse cdo ditë këtë  rubrikë, kurioziteti është i natyrshëm për parë konkretisht se si ka qënë formulimi i kësaj kronike në periudha më të herëshme të historisë  së shtetit tonë. Një nga këto kronika na e mundëson edhe koleksioni i gazetes  lokale të qytetit të  Durrësit,    “ Shekulli i Ri “  në shkrimin “U kapë n vjedhësit e stanit” (behet fjalë per nje aksion të xhandarmeris në lagjen  “Stan” të këtij qyteti. Lagje që sot identifikohet me lagjen nr 2 n pjesën që përshkohet nga rruga “Sefer Efendiu”.)

KRONIKA  E DITES SË SHTUNË  8 DHJETOR 1928
Kjo kronikë e botuar në vitin 1928, na sjell sot një ngjarje të ndodhur në Durrës rreth 90 vite më parë. Fillimisht ajo bën me dije se në këtë periudhë qyteti bregdetar ka pasur një periudhë në të cilën janë bërë disa vjedhje të dëndura të cilat e kanë nervozuar popullsinë e qytetit, për vetë menyren e kryerjes së tyre që tregonte se vjedhesit nuk ishin vjedhes të thjeshtë, “kusar pulash dokudo” thekson kronika, por se “auktoret e këtyne ngjarjeve duhesh të ishin të mbaruem më mjeshtërinë e tyre…të nderëshme”, ironizon gazeta e cila thekson me pas se vjedhesit ishin të paisur me armë zjarri dhe se kishin edhe kallauz dhe të stërvitur, pas i njihnin mire rruget e qytetit, të cilat i kishin shëtitur me parë në errësirë dhe në kohë shiu… Autori i kronikës shkruan duke sjellë atmosferën e Durrësit 90 vite më parë: “Vjedhjet e dënduna qi u bënë këta javët e fundit , me të drejtë kishin vënë në një nervozitet popullsin mbarë, për mënyrën dhe systemin që çpaloseshin. Siç e patëm thënë, auktorët e këtyre ngjarjeve duhet të ishin të mbaruem  më  mjeshtërinë e tyne… të nderëshme, dhe fakti i parmbramshëm na e vërtetoi këtë. Vjedhesi nuk ishte një kusar pulash dokudo, por i organizue mirë, me kallauzin e tijë, me armën e tijë, dhe ajo ma me rëndësi, i stervitun në rrugat e qytetit  që i pershkonte cdo minutë sidomos kohën e shiut dhe të errësirës.” Perplasja në finale e sajë. Njeriu ne fjalë  ka qënë në një përplasje me armë zjarri mes palëve që ka përfunduar më arrestimin e shkelësve të ligjit.

ORGANIZIMI I AKSIONIT POLICOR
Per kapjen e vjedhesve që shqetësonin banoret dhe që kishin qënë edhe të armatosur dhe inteligjentë në skemat e tyre të vjedhjeve (kronika nuk na njofton se cfare vidhnin ata ) policia është organizuar me nje plan të detajuar për të kapur vjedhësit e natës. Po me që nuk kishte personel të mjaftueshëm, na njeh kronika ata kanë organizuar edhe përforcimin e shërbimit me civilë, ( me sa duket struktura te përaferta me ato të periudhes së socializmit kur këta persona njiheshin si 1200-sha). Kronika e gazetës “ SHEKULLI I RI”  na sjell të plotë atmosferën e organizimit të  aksionit për kapjen e shkelësve të ligjit në lagjen “Stan”. Gazeta shkruan se “ Policija e jonë që diten e parë i shtroi planet per ndjekjen e këtyre vizituesve të natës. Me që organet e sajë nuk janë të mjaftueshme dhe për arësye që ja impononte rasa, formoi patrulla prej organeve të sajë prej gjindarësh dhe civilash t’ asaj lagje që vizitohesh nga vjedhësit. Parëmbrëmë në orën 11 të natës një patrullë e përbame prej një civili dhe një gjindari , dalloi në lagjen e Tophanas dhe pikërisht në naltëesinë e shtëpisë Muharrem Ferres, një njeri që lavrizi.”

 MANOVRAT E KUSAREVE DHE  NDESHJA ME ARMË
Kronika e vitit 1928 na njeh me nje aksion te denje për skenar filmash. Personi që ishte vënë re duke lëvizur është perpjekur që ti dredhojë darës së prites që i kishte organizuar gjindarmëria zogiste, në vitet e para të konsolidimit të diktatures së tijë monarkiste. Kronika shkruan se “ Njeriu ne fjalë mbasi kuptoi se ndodhesh i rrethue, u fut në një qerre afër dhe ra me flejt në kashtën e sajë. Patrulla u afrue dhe e kapi prej kambësh. Njeriu misterioz vazhdonte të bante të fjetunin dhe sillësh sa andej këndej si nër andërr, patrulla e thirri të heqi dorë nga këta dhelpnit dhe e mueri në një shtëpi t’afërme për me e pyet. Njeriu i kashtës Osman Hysni Rama prej katunit Naminas, mohonte të flasë dhe ngulte kamb t’a çojnë në polici se aty kishte frik mos ta vrasin. Ndërkohë patrullat e tjera kishin ngushtue rrethin e tyre dhe i afroheshin vëndit të qerres. Nuk kaloi shumë kohë kur doli edhe nje tjeter njeri  i dyshimt, i  cili posa pa gjendjen , mes shpejtesi qiti revolen dhe shtin dy herë mbi patrollen e cila u pëergjigj me batare. Në të gjitha anët e rrethit dhe vecanërisht  nga ana e Vilës , ku ishte vënë ma teper fuqia ( bëhet fjalë për Vilën e Zogut, ku me sa duket policia kishte përqëndruar forcat e saja me të shumta dhe të zgjedhura ), pushka krisi e madhe. Po kusari  tepër  i praktikuem në ato vise , në vënd që të hiqet nga Stani, përmes ferrash dhe gardhesh zbret në fushen e Teqes dhe humbet pertej shtepis se z. Llogori.

     Policia tue pasun kryet e lamshit në duert e saj Osmanin, shpejt filloi të ndjeki gjyrmet e shokut të tij dhe vjedhesit kryesor të quejtunit Qamil Lala nga katundi Rrbjek i Shijakut dhe mufti me u vu në dorë dje pas darke. “

Kjo është edhe kronika dhe historiku i një ngjarjeje të ndodhur në Durrës në vitin 1928, sipas gazetës së të shtunës “ SHEKULLI I RI “ më  8 dhjetuer në numerin e sajë të 138 të vitit të parë të botimit. Në të përfshihet skena mes Viles së Zogut, Stanit dhe banesës së Muharrem Ferres, pas ardhesit e të cilit jetojnë akoma në atë banesë. Nderkohë mësohet se Vila si rezidencë mbretërore qe rrethuar me shërbim të përforcuar të xhandarmërisë.

Historik: Xhandarmeria në Shqipëri
Me 13 janar 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, mori Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit (Policisë dhe Xhandarmerisë).  Ne Ministrinë e Brendshme të kësaj qeverie funksiononte Zyra e Sigurimit Publik me atributet e Drejtorisë se Policisë, ndërsa pranë prefekturave e n/prefekturave ishin zyrat e komiseritë e policisë. Xhandarmëria funksiononte mbi bazën e batalionit (në prefekture), kompanisë (n/prefekture) dhe togës (në krahina). Në maj 1913 u krijua Shtabi Madhor nga i cili varej xhandarmëria. U krijuan 3 batalione xhandarmërie (Vlorë, Berat, Elbasan). Me 3 qershor 1913 u vu ne funksionim Rregullorja e Qeverisë së Vlorës mbi formimin e Milicisë shqiptare. Po ne këtë kohe, u vendos për here te pare uniforma kombëtare e xhandarmerisë dhe policisë. Ndërsa, me 20 dhjetor 1913, doli dekreti i Qeverise se Vlorës mbi Formimin e Xhandarmerisë shqiptare në krahinat e jugut. Në organizimin e xhandarmerisë shqiptare një ndihmese te rëndësishme ka dhëne edhe Misioni holandez i kryesuar nga kolonel Ëilliam de Veer dhe zëvendësi i tij major Ludvig Thomson, i ardhur në nëntor 1913. Me ndihmën e tyre u krijuan 4 reparte xhandarmërie me 300 vete secili. Pas Kongresit te Lushnjës (1920-1924), pati organizime dhe zhvillime të reja në fushën e policisë. Në tetor 1920 u miratua organika e re e policisë se përgjithshme (210 vete). Ne funksion të kompletimit organik të policisë doli dhe rregullorja për kushtet kryesore për komisarë, n/komisarë e policë. U krijuan për here te pare stacionet e policisë dhe xhandarmerisë. Në vitin 1921, krijohet policia e pallatit në Parlament (ose policia e sigurimit të rezidencave qeveritare dhe personaliteteve të larta). Një moment të rëndësishëm në historinë e policisë përbën edhe hartimi i rregullores mbi detyrat e policisë, në shkurt 1921. Pas Revolucionit të qershorit, Qeveria e Nolit mori disa masa për organizimin e policisë. Ne gusht 1924 doli qarkorja për organizimin e konkursit të personelit të policisë, ndërsa në shtator të po atij viti, hyri në fuqi vendimi i komisionit qendror të ministrisë mbi organizimin e personelit të policisë. Në këtë kohe krijohet për here të pare shërbimi i detektiveve të policisë. Prej rënies se Fan Nolit, pra në periudhën 1925-1938, pati një zhvillim progresiv të  policisë dhe xhandarmerisë. U futen elemente moderne  perëndimore në fushën e strukturave dhe legjislacionit të  policisë dhe xhandarmerisë me atributet e policisë urbane. Sipas Dilaver Goxhajt, Xhandarmëria  moderne u konstruktua nga mbreti Zog, në vitet 1925-1939, me ndihmën e specialistëve anglezë, me komandant gjeneral Xhemal Aranitasi dhe shef shtabi  Gustav Mirdac, me një efektiv prej 3000 vetë dhe 131 oficerë, në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Armën e xhandarmërisë Zogu e ndau në katër zona: e veriut, e lindjes, e shqipërisë së mesme dhe e jugut, me qendra: Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin, ndërsa Komanda e saj e Përgjithshme në Tiranë. Në secilën zonë kishte nga një inspektor anglez.

 

Ora 22:54
90 vite më parë/ Hajdutët e Maminasit terrorizojnë lagjen “Stan”
  • /b.ha./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • ZINI: 22/04/2018 09:50

      PSE TË MOS VIDHNIN ,KRYEHAJDUTI ISHTE ZOGU PLERA

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:
      26 Dhjetor, 08:05

      Si ka qenë për ju viti 2024?



    ×

    Lajmi i fundit

    Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

    Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg