Foltorja e Ervin Salianjit jep efektet e para kundër Sali Berishës. Pas takimit të parë të mbajtur në Durrës, me sallën plot me demokratë, ish-deputeti ka treguar epërsi edhe me kërkimet në Google.
Të dhënat e Google Trends, të publikuara nga eksperti i IT-së Besmir Semanaj, tregojnë se nga data 5 nëntor- 4 dhjetor, qytetarët kanë shfaqur interes më të madh për të kërkuar Salianjin sesa vetë kreun e partisë. Për më tepër, kjo rritje e interesit e bën Salianjin figurën e parë brenda kësaj partie që tejkalon liderin e saj në kërkime.
Në grafik shihet qartë se rritja në kërkime e ish deputetit është bërë ditët e fundit, që përkon me lëvizjet që bëri ai, së pari 'kafen' me më të votuarit e Primareve dhe më pas me Foltoren që nisi.
Kjo rritje vjen vetëm dy ditë pasi ish deputeti mbajti takimin e parë në Durrës, ku mblodhi një numër të konsiderueshëm demokratësh dhe figurash të partisë, të zhgënjyer nga situata aktuale dhe kërkojnë një analizë të thellë e ndryshim brenda PD-së.
Ndërkohë, paralelisht me lëvizjen e Salianjit, të cilën e ka cilësuar si të motivuar nga interesa personale, Sali Berisha ka intensifikuar gjithashtu takimet me strukturat. Pas takimit në Tiranë, ai zhvilloi një tjetër në Mirditë, ku demokratët e zonës nuk hezituan ta kritikonin.

Te dhenat ne Google Trends
Postimi i Semanajt
Lajm ne perditesim...
Komente












