Prej mëngjesit, fshati Obot në Shkodër është izoluar plotësisht si pasojë e rritjes së nivelit të lumit Buna. Report TV arriti të hyjë me varkë, ndërsa fshati i përmbytur i ngjan një ishulli. Rreth 120 banorë, që jetojnë në afërsisht 50 banesa, ndodhen në izolim, siç shihet ne pamje.
Uji është i pranishëm në çdo cep të fshatit, kryesisht në oborre dhe rrugë, por pa depërtuar në banesa. Transporti i banorëve nga qendra e fshatit drejt rrugës kryesore realizohet vetëm nga Forcat e Armatosura, me varka dhe më pas me kamionë ushtrie.
Gjatë 24 orëve të fundit, sipërfaqja e përmbytur është rritur ndjeshëm, duke bërë që niveli i ujit të shkojë mbi 1 metër në Obot.
Banorët shprehen se pas mesnate, është vërejtur një rritje e menjëhershme e nivelit të ujit, si pasojë e shtimit të shkarkimeve nga hidrocentralet.
Rritja e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e shkarkimeve nga tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Aktualisht, nga HEC-i i Vaut të Dejës po shkarkohen 1,200 m³ ujë në sekondë, ndërsa nga Koman 1,300 m³/sekondë. Ndërsa ne HEC-in më të madh në vend, atë të Fiezës, shkarkohen 900 m3/sec.
Në gjithë Shkodrën, sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, prej të cilave në Dajç rreth 120 ha, Velipojë: rreth 195 ha, Ana e Malit rreth 600 ha, Bërdicë rreth 30 ha.
Report Tv sjell pamjet me dron nga Oboti i Shkodrës, një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet masive.
Rreth 50 banesa janë të përmbytura ashtu si dhe qindra hektarë tokë ndërsa banorët nëpër zona kanë mbetur të izoluar. Kalimi prej ditësh është i mundur vetëm me mjetet e larta të ushtrisë ndërsa niveli i ujit ka arritur 1 metër. Kjo rritje vjen si pasojë dhe e shkarkimeve të hidrocentraleve.











