Bullgaria po shkon drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme, pasi partia më e madhe parlamentare, GERB-SDS, refuzon të marrë përsipër formimin e një qeverie të re.
Në përputhje me Kushtetutën, presidenti Rumen Radev i dorëzoi mandatin kryeministrit në detyrë Rosen Zhelyazkovit, por ky i fundit e ktheu menjëherë, duke argumentuar se nuk ka mbështetje të mjaftueshme në parlament për të ndërtuar një shumicë të qëndrueshme.
Qeveria e koalicionit e drejtuar nga Zhelyazkovi, e mbështetur nga GERB-SDS, dha dorëheqjen muajin e shkuar pas javësh protestash kundër korrupsionit dhe kundërshtive ndaj buxhetit të ri që parashikonte rritje taksash.
Presidenti Radev pritet t’ia kalojë mandatin forcës së dytë më të madhe parlamentare, koalicionit reformist PP-DB. Edhe ky grupim pritet ta refuzojë ofertën, çka do ta detyronte kreun e shtetit t’ia japë mandatin një force tjetër politike.
Nëse asnjë parti nuk arrin të sigurojë shumicën, parlamenti do të shpërndahet dhe do të thirren zgjedhje të parakohshme.
Nëse zhvillohen, këto do të jenë zgjedhjet e teta parlamentare në vetëm katër vite, çka reflekton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme politike në vend.
Bullgaria iu bashkua me eurozonën më 1 janar. Analistët theksojnë se vendi ka nevojë për stabilitet politik për të përshpejtuar përthithjen e fondeve të Bashkimit Europian, për të nxitur investimet e huaja dhe për të adresuar korrupsionin e përhapur në administratë.
Komente




