Një 97-vjeçare në Britani, e cila pësoi një goditje në tru në vitin 2025, ka thyer Rekordin Botëror Guinness si gruaja më e moshuar që ka ecur mbi krahët e një avioni në fluturim.

Betty Bromage, e cila jeton në Cheltenham, theu rekordin e saj të mëparshëm, të vendosur kur ajo kreu të njëjtën sfidë katër vjet më parë.

Bromage mblodhi fonde për njësinë e trajtimit të goditjeve në tru në Spitalin e Përgjithshëm të Cheltenham-it, ku stafi u kujdes për të kur ishte e sëmurë.

Duke folur për faktin se ka bërë gjashtë ecje mbi krahët e avionit që nga mosha 87-vjeçare, ajo tha: "Ndryshe do të mërzitesha me jetën. Nuk mund të drejtoj makinë, nuk shoh shumë mirë dhe ndonjëherë ndihem pak e frustruar. Prandaj, dua të bëj gjërat që mund t'i bëj."

Në gusht të vitit të kaluar, Bromage pësoi një goditje në tru, e cila ende ndikon në të folurin e saj. "Spitali u kujdes jashtëzakonisht mirë për mua. Më ndikon te fjalët, por pjesa tjetër e trupit tim është mirë," tha ajo.

Ajo shtoi se mbledh para për bamirësi sepse ato mund të bëjnë ndryshim të vërtetë dhe sepse u frymëzua nga disa fjalë që lexoi në një mur të spitalit ku punonte si infermiere.

“Aty shkruhej: 'Ne kalojmë nëpër këtë botë vetëm një herë. Çdo të mirë që mund të bëjmë, çdo mirësi që mund të tregojmë, le ta bëjmë tani; mos e shtyni dhe mos e lini pas dore, sepse nuk do të kaloni më kurrë në këtë rrugë'," tha Bromage.

Vështirësia e vetme e 97-vjeçares në realizimin e sfidave të saj, është shtati.

"Problemi i vetëm është të ngjitesh mbi krahun e avionit, sepse jam goxha e shkurtër. Pasi ngjitesh atje lart, nuk ka asnjë problem. Lojërat ekstreme në panair janë shumë më të këqija. Do të më duhet të mendoj për diçka kur të bëhem 100 vjeçe, diçka të veçantë”, përfundoi ajo.