Adem Allçi: "Si u arratisa nga burgu i Burrelit"

(23/11/2000)Enver Hoxha i tha Ministrit Hazbiu: "Hë mo shoku Kadri, na keshe thënë se andej nuk del dot as miza" Ka qenë mbrëmja e dy gushtit të vitit 1967 kur një helikopter ushtarak i ngritur diku nga pista e e re e Laprakës, përcillte me nxitim drejt qytetit të Burrelit, Ministrin e Brendshëm të asaj kohe Kadri Hazbiun, zëvendësin e tij Rexhep Kollin e disa ushtarakë të tjerë madhorë të asaj Ministrie. Po çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje të largët vere në atë qytet të vogël ku ndodhej një nga repartet ushtarake më speciale dhe të një rëndësie tepër të veçantë që kishte Shqipëria, i njohur ndryshe dhe si burgu i Burrelit? Radiogramet që vinin në Ministrinë e Brendëshme njoftonin :" Është shpërthyer burgu i sigurisë së lartë në Burrel dhe nuk dihet numëri i saktë i të arratisurve". Teksa helikopteri ushtarak i nisur me urgjencë nga Tirana, po ulej në në fushën sportive të atij qyteti ku nuk pushonin ende sirenat e alarmit, Ministrit Kadri Hazbiu i kishin ngelur në mendje fjalët e Enver Hoxhës, që ja tha pak çaste para nisjes në verandën e vilës së tij në "Bllokun" e Durrësit," Hë mo Kadri , sikur na keshe thënë se andej nuk del dot as miza?" Në degën e Punëve të Brendëshme ku ishte mbledhur Shtabi i mbrojtjes i rrethit që prisnin të sapoardhurit nga Tirana, Ministri Hazbiu do të mësonte të vërtetën më të pabesueshme" Ishte shpërthyer burgu i sigurisë së lartë nga një revoltë e brendëshme, që kryesohej nga një 24 vjeçar nga Tropoja i quajtur Adem Allçi (Kosova). Ademi, kalon kufirin me kalë Ademi është me origjinë nga fshati Vuçidol i Tropojës, i cili ndodhet jo shumë larg vijës kufitare që dikur e ndante atë me shtetin fqinjë Jugosllavinë. Familja Allçi asokohe si shumë familje të tjera të atij fshati ndeshej me varfërinë e tejskajshme që ju kishte sjellë kolektivizimi. Duke mos pasur asnjë lloj mundësie tjetër për të jetuar, Ademi së bashku me njërin nga vëllezërit e tij vendosën që të arratisen nga Shqipëria për në Jugosllavi, e më tej me shpresë drejt Amerikës. Aty nga viti 1964, gjatë kohës që ai kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Gjirokastër, sipas planit që kishte bërë më parë me vëllanë, mundi të sigurojë disa ditë leje për t` u kthyer në vendlindje dhe të dy kalojnë kufirin jo shumë larg fshatit në orën 12 të ditës. Ajo arratisje nga banorët e asaj zone mbahet mend si një nga më spektakolaret, jo vetëm që u krye në mes të ditës, por sepse Ademi mundi të kalonte klonin dhe kufirin shtetëror si rrallë kush i hipur në një kal të bardhë. Ademi së bashku me të vëllanë e tij, nuk mundën që ta shijonin shumë lirinë e ëndëruar, sepse autoritetet jugosllave (sipas një marveshje që kishin me Sigurimin e Shtetit shqiptar) i kthyen ata përsëri duke j` ua dorzuar në postën e Morinit, përfaqsuesëve të palës shqiptare të Degës Brendëshme të Kukësit. Pasi u mbajt për disa kohë i izoluar në Shkodër, ai doli në gjygj dhe u dënua me dhjetë vjet burg për arratisje në grup. Në burgun e Shkodrës Ademi nuk qëndroi shumë, pasi duke qenë problematik aty nga viti 1964 e përcollën për në Kampin e Laçit ku asokohe ndërtohej nga të burgosurit Uzina e Superfosfatit. Edhe në atë kamp Ademi nuk qëndroi shumë, pasi mbas arratisjes së dy të dënuarëve që u vranë nga policia, edhe ai u cilësua si person që paraqiste rrezikshmëri për arratisje dhe u transferua në burgun e Rubikut. Në këtë kamp pune të detyruar, Ademi rrahu dhe la në gjendje të rëndë tre policë që ishin bërë tmerri i të burgosurve, duke i shtuar vetes dhe dhjetë vjet të tjera dënimi me burg. Pas kësaj ai u cilësua nga komanda e atij kampi si person me rrezikshmëri të lartë dhe u dërgua në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, ku vuanin dënimin kryesisht kundërshtarët politikë më potentë të regjimit komunist në fuqi. Në ato vite teksa Ademi vunte dënimin, përfunduan në burgje dhe katër vëllezërit e tjerë të tij, duke bërë kështu një rast unikal ku pesë vëllezër mbaheshin në pranga si të dënuar të ndërgjegjies. Ideja dhe plani i arratisjes Burgu i Burrelit që ishte ndërtuar që në kohën e Mbretit Zog, sipas idesë së kryeministrit Koço Kota, nuk kishte njohur deri në atë mbrëmje të 2 gushtit të vitit 1967 asnjë lloj tentative arratisje. Adem Allçi personazhi i vetëm i asaj ngjarje të bujshme, ndonëse nuk ka asnjë dëshirë të kujtojë atë ngjarje të largët dëshmon:" Në dhomën tonë ishim gjithsej 25 të burgosur, të gjithë të rinj nga mosha 18 deri në 25 vjeç. Ideja për tu arratisur më lindi që tre muaj përpara asaj dite. Në fillim atë gjë e bisedova me dy shokët e mij më të afërt Sazan Hadërin nga Vlora dhe Dhori Gërnjotin nga Korça. Sazani ishte një djalë shum trim dhe ishte dënuar si unë për tentativë arratisje me 25 vjet. Ai ishte nipi (djali i motrës) i Shefqet Peçit. Po kështu dhe Dhori për tentativë arratisje ishte dënuar. Ai kishte zgjedhur rrugën e kufirit, pasi ishte kampion apsolut i Shqipërisë në boks dhe pas mbylljes së atij sporti ai kishte dëshirë që atë gjë ta vazhdonte jashtë. Pas këtyre, vendimin për tu arratisur nga burgu i Burrelit, j` ua komunikova dhe shtatë shokëve të tjerë, e kështu u bëmë dhjetë vetë gjithsej që ishim në dijeni të atij vendimi që kisha marrë unë dhe ishte aprovuar prej tyre". Po përse Adem Allaçi planin për arratisje j`ua tregoi dhjetë personave, a nuk kishte ai frikë se duke zgjeruar rrethin e tyre, do të kishte më shumë mundësi për t`u dekonspiruar plani i tij? Lidhur me këtë ai dëshmon:" Edhe kjo gjë ishte marrë parasysh, por unë vetëm sa kisha rënë dakort në parim për planin e arratisjes, sepse nuk jua kisha treguar as planin me detaje se si do të realizohej ajo dhe as datën e orën e caktuar. E vetmja gjë që ju kisha treguar atyre ishte se unë do të isha kryetar i grupit, e çdo gjë do të ishte nën urdhrat e mija dhe kush të donte të më ndiqte nga pas. Në atë burg, çdo gjë që thuhej besohej, e vetmja gjë që nuk mund të besohej dhe të merrej seriozisht nga komanda, ishte ajo se dikush donte të arratisej që andej. Megjithë këtë komanda e burgut diçka kishte kuptuar. Kështu në dhomën tonë prej 25 vetash, ajo futi dhe një të denuar ordiner për të kontrolluar nga afër situatën. Ai ndiqte dhe mundohej që të mos i shpëtonte asgjë nga veprimet e bisedat që bëheshin aty", kujton Ademi Përgatitjet për arratisjen Për dy muaj rresht një pjesë e "dhjetëshes" që kishin rënë dakort për planin e arratisjes që ju kishte servirur Adem Allçi, bënin gjithë ditën ushtrime stërvitore në dhomë, duke praktikuar mundje, boks, kërcime dhe ushtrime të ndryshme. "Çdo ditë gjatë atyre dy muajëve, bëja nga një variant të ri për arratisje të studjuar deri në detaje, por pa e biseduar me asnjeri", tregon Ademi. Po kështu paraditen e 2 Gushtit, Ademi replikoi ashpër me komandantin e burgut Qani Kalon, në lidhje me kushtet në të cilat ndodheshin të dënuarit. Në fund të asaj bisede Ademi ju drejtua atij:" Shoku komandant, nuk dua të zgjatem më tepër me ju, sepse këto janë kontaktet tona të fundit. Askush nuk jua vuri veshin fjalëve të mija, kështu ju kisha thënë dhe ushtarëve në Gjirokastër përpara se të nisesha për tu arratisur në Jugosllavi, por atë ditë e kisha vendosur, i gjallë ose i vdekur do të dilja patjetër nga ai burg". Gjatë gjithë paradites së asaj dite të 2 gushtit, Ademi bluante në mendje për herë të fundit planin e arratisjes, të cilin ju tregoi më vete të nëntë personave që kishin dijeni për të. Nga ata vetëm Sazan Hadëri dhe Dhori Gërnjoti e siguruan Ademin se do e ndiqnin nga pas në çdo hap. Në orën 19.30 të asaj pasdite, në dhomën ku ishte Ademi dhe 24 të dënuarit e tjerë, hyri oficeri i rojes (kapterri Y.L.) që filloi të bënte apelin e pasditessë i shoqëruar nga kolegu i tij H.L. të cilët sipas rregullores ishin pa armatim. Pas bërjes së apelit, Ademi Allçi i drejtohet oficerit të rojes duke i thënë se kishte një letër për Sekretarin e Parë të K.Q.të PPSH-së. Atë pasdite Ademi vërtet kishte shkruar një letër për Enver Hoxhën, ku ndër të tjera i shkruante:" Sot këtu në Burrel hapet varri gjigand i Shqipërisë me këta djem që janë dënuar padrejtësisht nga ana juaj dhe mbahen për dhjetra vjet në këto kafazë hekuri". Më pas letra vijonte me një lumë të sharash për vetë Enver Hoxhën. Godet kapterrat Ademi nuk kishte frikë që letra do të hapej nga komanda, gjë që automatikisht do të sillte arrestimin e tij dhe dështimin e planit të arratisjes, sepse sipas rregullores komanda hapte vetëm letrat familjare, kurse ato që i dërgoheshin institucioneve dhe personaliteteve hapeshin vetëm nga Dega e Brendshme. Në ato çaste Ademi ju drejtua oficerit të rojes duke i thënë se kishte një letër për Sekretarin e Parë. Oficeri i tha :" Dil nga rreshti dhe sille". Ademi u afrua drejt tij dhe me dorën e majtë i zgjati zarfin, kurse me të djathtën e goditi duke e rrëzuar përtokë pa ndjenja. Ndërkohë sipas planit, Dhori me Sazanin goditën gardianin tjetër duke e lënë dhe atë pa ndjenja. Pas kësaj Ademi ju mori tufën e çelsave që kishin dy kapterrat dhe doli në fund të korridorit duke hapur derën e hekurit që nxirrte në oborrin e ajrosjes. Pasi Ademi doli në oborr, me kërcim u var me duar në një strehë betoni që mbronte nga shiu njërën nga dyert rezervë e cila komunikonte për të hyrë në korridorin e qelive. Pasi ngjitet me vështirsi aty, Ademi zgjatet dhe ndihmon e Sazanin me Dhorin të cilët pa shumë probleme mundin të hypin të tre në taracën e kapanoneve. Në këtë kohë në të gjithë burgun u dha alarmi, pasi i burgosuri ordiner që ishte futur në dhomën ku ishte Ademi, u var në dritare dhe bërtiti me të madhe. Pas kësaj nga të gjitha kullat e rojeve të shërbimit u hap zjarr me automatik e mitroloz të lehtë. Kjo gjë fillimisht u bë në drejtim të taracës ku ata u ngjitën, gjë e cila e bëri të pamundur që aty të ngjiteshin të burgosurit e tjerë të "dhjetshes". Pas ngjitjes në taracën e burgut, Ademi, Dhori dhe Sazani në një interval dy tre sekondash u hodhën nga taraca në tokë në pjesën e prapme të burgut nga ana lindore e saj. Pasi u hodhën aty, ata u nisën në drejtim të rrethimit të jashtëm të burgut që përbëhej nga një gardh telash me gjemba në lartësinë 2 metra. Deri tek gardhi me tela, ata kapërcyen dhe një transhe (kanal me ujë)që ishte e izoluar me tela me korent. Pas kësaj të tre u kacavjerrën në tre shtyllat e betonit që mbanin gardhin e telave me gjemba të rrethimit. Vrasja e Sazan Hadërit Ademi me Dhorin mundën t` i kapërcejnë kollonat e betonit, e të dalin jashtë territorit të burgut, kurse Sazan Hadëri ngeli i varur aty pasi breshëritë e plumbave të rojeve e prenë në mes. Pas pak në një distancë jo më shumë se 150-200 m. larg rrethimit të burgut, një plumb e kapi dhe Dhori Gërnjotin duke ja coptuar fare kockën në këmbën e djathtë. Ademi u mundua që ta ndihmonte, por çdo gjë ishte krejt e pamundur. Lidhur me këtë gjë Ademi kujton:" Pasi Dhori mbeti në vend i plagosur, të gjitha breshëritë e plumbave të ushtarëve dhe policëve të rojes u drejtuan ndaj meje. Unë pata fat dhe u largova duke vrapuar pa më kapur asnjë plumb. Kështu duke ecur ku të mundesha nëpër errësirën që sapo kishte filluar, u nisa në drejtim të fshatit Lis që është 12 km larg nga Burreli, me qëllim që të ngjitesha drejt Malit të Dejës. Teksa vrapoja në drejtim të atij fshati, përshkova rreth një orë rrugë duke shkelur vend e pavend. Mbi kokën time, dëgjoja breshëritë e armëve që vinin prej forcave vullnetare të fshatrave dhe ushtarëve të Korpusit të Burrelit që ishte ngritur në alarm. Ky alarm u dha jo vetëm për rrethin e Burrelit, por dhe për rrethet që ishin fqinjë me të. Aty afër fshatit Lis, teksa doja të kaloja një përrua, rashë pa ndjenja në breg të një shtufi. Kjo gjë erdhi nga lodhja e madhe, pasi kisha 2 orë që vrapoja. Aty u përmenda pas pak nga një dhimbje e madhe që kisha në kurriz. Aty vura dorën dhe preka një plagë plumbi që unë nuk e kisha ndjerë se kur e kisha marrë. Ndonëse u përmenda pak, nuk munda të lëviz më nga ai vend. Ashtu në gjendje gati të fikti munda të dëgjoja zërat e fshatarëve, ushtarëve dhe qënve me erë që vinin në drejtimin tim". Kapja nga Forcat Speciale Ndërkohë atë mbrëmje nga Tirana, përveç helikopterit me titullarët e Ministrisë së Brendëshme u nis dhe një helikopter tjetër me forca speciale të Brigadës së Zbulimit të Ministrisë Mbrojtjes. Disa nga këto forca speciale, ju afruan Adem Allçit që ishte i shtrirë pa ndjenja aty në bregun e përroit pranë fshatit Lis. Aty disa oficerë të stërvitur në kurse speciale, ju hodhën atij përsipër duke e lidhur me tela këmbë e duar. Ndërkohë në qendrën e qytetit të Burrelit ishte urdhëruar mbledhja e popullit që vinte dhe nga fshtrat përreth. Shumica e popullit ishte e armatosur. Në një podium të ngritur aty, kishin zënë vend autoritetet e larta ushtarake dhe civile të qytetit si dhe ata që kishin ardhur nga Tirana. Disa policë të përforcuar dhe me një kompani ushtarësh të Batalionit Special të Sigurimit, mbanin aty të lidhur me litarë Adem Allçin, që e kishin shoqëruar gjatë gjithë rrugës që nga kapja e tij në fshatin Lis. Mbas disa fjalimeve të personaliteteve të larta që kishin zënë vend në podjum, lidhur me suksesin e arritur, Ademi u dërgua përsëri në burg, në qelitë e Degës së Brendëshme të Burrelit. Ai kishte mundur që të "shijonte lirinë" për vetëm dy orë duke qenë kështu i pari dhe i fundit i burgosur që kishte mundur të çante atë rrethim të hekurt që nga viti 1947 kur ishte "inaguruar" ai burg. Gjatë 47-të vjetëve të ekzistencës së atij burgu politik, në librat e shërbimit do të shënohej si e vetmja arratisje ajo e Adem Allçit. Në orët e vona të natës së 2 gushtit 1967, Kadri Hazbiu zbriti nga helikopteri ushtarak diku në periferi të Tiranës, për të marrë rrugën në drejtim të "Bllokut" të vilave në bregdetin e Durrësit ku Enver Hoxha priste zgjuar, lajmin e kapjes së rebelit të rrezikshëm.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim