Në gërmadhën gjigante që ka mbetur nga rrënimi i dy kullave binjake duhet të jetë edhe një tabelë e artë. Aty ishin shkruar emrat e njerëzve që i arkitektuan e më pas i ngritën dy godinat që u shndërruan në simbolin e Amerikës.
NEW YORK
(9/14/2001)
Në gërmadhën gjigante që ka mbetur nga rrënimi i dy kullave binjake duhet të jetë edhe një tabelë e artë. Aty ishin shkruar emrat e njerëzve që i arkitektuan e më pas i ngritën dy godinat që u shndërruan në simbolin e Amerikës. Mes emrave të shquar është edhe një çift shqiptarësh, Celile dhe Qemal Butka.
Të dy kanë marrë pjesë në krijimin dhe më pas zbatimin e projektit të famshëm. Duhet të jenë të shumtë shqiptarët që pasi kanë vizituar dy godinat kanë lexuar dhe emrat e dy ndërtuesve patriotë. Të famshëm në karrierën e tyre, ata nuk patën mundësi të shohin rrënimin e veprës së tyre madhështore nga sulmi terrorist i tre ditëve më parë. Prej tre vjetësh ata nuk jetojnë më. Por emrat e skalitur në hollin e godinës qëndruan aty që nga koha e ndërtimit të saj. Këto emra janë edhe në disa prej ndërtimeve më të bukura të Amerikës. Gjithsesi shpresa e njerëzve që jetojnë këtu e për më tepër e atyre përtej oqeanit është që mes gërmadhave të ketë mbetur vetëm ajo tabelë dhe asgjë tjetër e cila mund të lidhet me Shqipërinë. Dje nuk kishte asnjë lajm për shqiptarë të mbetur nën gërmadha. Edhe sot po ashtu. Por është ende herët për të mësuar numrin dhe identitetin e të humburve. Ndoshta duhet të presim me javë. Mes shqiptarëve telefonat kanë heshtur paksa. Meraku për njerëzit më të afërt duket se u largua që në ditën e parë. Por ne na duhet të presim ende. Shumë gjëra pamë sot në TV dhe shumë në jetën e sotme të Manhattanit. Dita ishte e bukur përsëri por e heshtur dhe e pabujshme. Njerëzit dhe makinat e pakta të linin përshtypjen e një qyteti të vdekur që pret t'i rikthehet gjallëria prej dy ditësh. Pak kafene dhe restorante u hapën sot edhe këto me një kapacitet të pakët dhe të jepnin përshtypjen se njerëzve u kishte ikur dëshira për të ngrënë e për të shijuar bollëkun e guzhinave të shumëllojshme. Jo vetëm Manhattani dhe New York City ishin në një gjendje të tillë por edhe shtetet përqark dhe e gjithë Amerika e kanë ndier këtë tragjedi të jashtëzakonshme. Duke ecur nëpër rrugët e pluhurta shikon copa xhamash të përziera me copa letrash, materiale të zyrave që shpërndahen në lagjen e poshtëme të qytetit. Shihet se pluhuri ka mbuluar gjithçka dhe se dëmi është jashtëzakonisht I madh. Njerëzit kërkojnë t'i shikojnë ato ( kullat) por në vend të tyre shohin boshllëkun ndërmjet godinave. Ky boshllëk ndihet edhe tek vetë njerëzit të cilët janë mësuar të orientohen tek maja më e lartë e qytetit. Të larta 110 kate e të përfunduar në vitin 1973 përpos emrave të arkitektëve mes tyre dhe dy shqiptarëve, ato shndërruan në legjendë edhe zonën përreth. Numri pafund i turistëve që i vizitonin që prej afro 30 vjetësh u ndal tre ditë më parë. Tashmë një gjë po bëhet realitet, që kullat nuk janë më. Empire State rimerr përsëri titullin e humbur prej kohësh si ndërtesa më e lartë e Manhattanit. Nëpër dyqanet e pakta tashmë mungojnë kartolinat që kanë pamjen e dy kullave. Nuk mund të gjesh ndoshta edhe një për të kujtuar madhështine e tyre. Duket që njerëzit ishin kaq të lidhur me praninë e tyre saqë duan t'i kenë përsëri në kujtesë, por ... tashmë mbi komodinë. Vargu i kamionëve në West Side është i panumërt. Të duket se edhe ato të gjitha respektojnë heshtjen e drojtur të qytetit dhe vazhdojnë punën pa u lodhur.
//Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?
Po
53.6%
Jo
37.6%
Nuk e di
8.9%
Vota total: 1062
Votat totale janë unike
Sondazhi i ditës:
Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?