E shoqja e Azemit: Isha me fëmijën tremuajshe kur kam dalë në mitingje

(4/17/2001)Zëri i Azemit duhet të vazhdojë të flasë për të mirën e demokracisë në Shqipëri dhe unë zotohem të përfaqësoj emrin e tij në këto zhvillime." Kështu është shprehur dje bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari, e cila nënvizoi: "nuk ka rëndësi vendimi i kryesisë së degës Shijak, por vendimi i demokratëve dhe qytetarëve të thjeshtë të këtij qyteti." Më tej ajo shprehet se ka besim te Këshilli Kombëtar dhe sidomos te kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Përse synoni të kandidoni në Shijak? "E para, sepse Shijaku është ëndrra e mbetur përgjysmë e Azemit dhe e dyta, sepse dua të vazhdoj rrugën e tij për të çuar deri në fund pikësynimet e bashkëshortit tim, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve shijakas, të cilët gjithmonë kanë merituar një fat më të mirë sesa varfëria dhe vështirësitë e tanishme ekonomike. Azemi e donte Shijakun dhe gjithmonë ëndërronte t'i shihte të lumtur banorët e tij. Unë gjithashtu kam detyrimin njerëzor për të qenë pjesë e vazhdimit të pikësynimeve të tij." Ç'keni konstatuar nga takimet tuaja me demokratë të këtij qyteti? "Ata, ashtu si edhe unë, kanë qenë të emocionuar nga takimet që kemi pasur së bashku. Në këto takime qytetarë të Shijakut më kanë kërkuar kandidimin në qytetin e tyre. Unë gjithashtu e kam pritur me emocion këtë gjë. Ky kandidim do të ishte për mua një gëzim i madh, pas tragjedisë që kalova." Si e gjykoni vendimin e kryesisë së degës Shijak për moskandidimin tuaj? "Faktikisht nuk e di fare se çfarë është vendosur në një mbledhje ku kanë marrë pjesë një minimum drejtuesish. Kjo nuk më ka interesuar në krahasim me vendimin e demokratëve të Shijakut dhe qytetarëve të thjeshtë, të cilët më kanë mirëpritur në të gjitha takimet. Vota e atyre është padyshim shumë më e rëndësishme sesa mbledhja." Si e shihni pjesëmarrjen tuaj në politikë "Kam qenë me fëmijën 3 muajsh kur kam dalë në sheshet e mitingjeve për të përfaqësuar bashkëshortin tim, Azemin. Që atëherë kanë kaluar shumë kohë dhe aktualisht unë dua të vazhdoj rrugën e tij. Zëri i Azemit duhet të vazhdojë të flasë për të mirën e demokracisë në Shqipëri. Unë zotohem të marr përsipër besimin që ka shfaqur elektorati shqiptar te figura e tij." Në qoftë se nuk do të kandidoni në Shijak, ku synoni tjetër? "Në Kiras të Shkodrës. Shijaku dhe Shkodra janë dy qytete që kanë brohoritur dhe kanë votuar Azemin." Ku e mbështesni besimin tuaj? "Te njerëzit e thjeshtë, te Këshilli Kombëtar dhe sidomos te kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Jam plotësisht e bindur në vendimin e tyre përfundimtar."

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City