Fanatikët e PD i presin fjalën Fatmira Hajdarit

(9/13/2001)Militantët e Partisë Demokratike u përpoqën t'i ndërprisnin fjalën Fatmira Hajdarit, ndërsa ajo po sqaronte arsyet se përse kishte pritur Kryeministrin Meta në shtëpinë e saj. "Ne jemi shqiptarë dhe sipas zakonit në raste vdekjesh ose përvjetorësh i hapim portat për të gjithë njerëzit", tha ajo. Por të pranishmit që ishin në sallën ë Teatrit të Operas, duke mos dashur të dëgjonin asnjë sqarim nisën të brohorisnin duke u çuar në këmbë, "Poshtë Ilir Meta" dhe "Ilir Meta-kriminel". Atë çast Fatmira Hajdari e cila dukej se nuk donte të keqkuptohej me auditorin vazhdoi të sqaronte se "kur më mori në telefon, unë i thashë Ilir Metës se në qoftëse e ndjente veten të pastër mund të vinte, ndryshe ...". Por të pranishmit dukej se nuk pranonin asnjë argument. Ata hidhnin parulla dhe kundërshtonin nga vendi fjalët e saj. Më pas filluan të brohorisnin "Rroftë Sali Berisha". Por vetë Berisha dukej se u vu në pozitë nga këto brohoritje dhe bëri me shenjë që ato të ndërpriteshin. Dukej se ai nuk i aprovonte zërat kundërshtues të sallës. Por mbrëmja e djeshme tregoi se të pranishmit që ftohen në evinimente të tilla mund dhe duhet të caktohen në mënyrë më të përzgjedhur. Ngjarja Atmosfera dukej se ishte mjaft e mirë deri në momentin, kur Fatmira Hajdari, bashkëshortja e Azemit hipi në podium dhe nisi të flasë. Faktikisht fjala e saj ishte një refleksion mirëkuptimi dhe jë shembull tolerance për të gjithë shqiptarët. Por shumë nga pjesëmarrësit, duke mos e pranuar vizitën e Ilir Metës në familjen Hajdari, nisën të hidhnin parulla kundër socialistëve dhe në mënyrë të veçantë, kundër Ilir Metës. Atëherë Fatmira Hajdari u detyrua të thoshte: Ju ndaç t'ju vijë mirë, ndaç t'ju vijë keq, por unë po ju them se kam bërë detyrën duke dhënë shembullin për mirëkuptim dhe tolerancë". Nuk dihet nëse reagimi i djeshëm i sallës ishte një akt spontan, por ajo që u reflektua dje, futet në rradhën e gjërave që duhen harruar. Berisha Në fillim të fjalimit të tij, Berisha kërkoi një minutë heshtje për kujtimin e Azem Hajdarit dhe menjëherë ai foli për viktimat e tragjedisë në SHBA, duke kërkuar gjithashtu në shenjë nderimi një minutë heshtje. Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së i porsakthyer nga Strazburgu foli edhe për qëndrimin e PD-së ndaj Parlamentit shqiptar. "Ky është një Parlament ilegjitim dhe ne do të luftojmë me mjete demokratike të vendosim në vend vullnetin e votës së lirë", tha ai. Më tej Berisha tha se "pavarësisht nga sukseset e takimeve me qarqet ndërkombëtare, jemi ne shqiptarët ata që do të zgjidhim problemet tona". Duke sulmuar ashpër qeveritarët shqiptarë dhe parlamentarët socialistë, Berisha tha se "nuk do të lejojmë që mafiozët të pasurohen me kontrabandën dhe korrupsionin, duke detyruar shqiptarët të largohen çdo ditë nga vendi i tyre".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Tipologji e re e turizmit në Shqipëri', eksperti: Vijnë shumë të rinj! Jo për plazhe por për ture, Gjirokastra nga më të preferuarit