"Ku i pashë makinat e krimit"

TIRANE (6/15/2001) Në dosierin e procesit "Hajdari" do të arkivohet dhe dëshmia e policit të krimeve, Luan Ismaili, e cila pritet të bëhet publike në seancën e sotme gjyqësore. Dëshmia e agjentit të krimeve të Komisariatit të Shkodrës i referohet mbrëmjes së 12 shtatorit të vitit 1998. Ismaili është i vetmi dëshmitar që ka parë karvanin e makinave, për të cilat dyshohet se janë pikërisht ato që u përdorën për ekzekutimin e deputetit Azem Hajdari. Luan Ismaili i cili që nga '98-a punon si agjent krimesh në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, pohon se ishte detyra, ajo që rastësisht e lidh me çështjen "Hajdari". Sipas Ismailit, më datën 12 shtator ai ka marrë një urdhërshërbimi nga ish-shefi i Policisë Kriminale, Shkëlzen Valbona. Fillimisht ai është caktuar të inspektojë në zonën Krye Bushat së bashku me një koleg tjetër (ai nuk kujton saktë se cili nga shtetasit; Shkëlqim Hasani apo Mikel Sterkeni ka qenë me shërbim me të). Patrullimi në këtë zonë ka zgjatur deri në orën 15.00. Pas kësaj ore, me urdhër të shefit, Ismaili me policin tjetër janë zhvendosur te Mali i Jushit (zonë kjo midis Shkodrës dhe Lezhës). "Rreth orës 24.00 bashkë me agjentin tjetër zbritëm në rrugën nacionale Lezhë-Shkodër dhe po prisnim mjetin e komisariatit që, sipas urdhrit, do të na vinte për të na marrë në fund të shërbimit. Ndërsa shoku zbriti poshtë rrugës për nevoja personale, unë mbeta vetëm. Në këtë moment nga drejtimi i Lezhës vijnë katër mjete me shpejtësi. Dallova të ishin: kryesonte autokolonën një Tipo blu me targa policie të Bajram Currit; pas saj vinte një Benz tip i ri, me ngjyrë të errët, pa targa; pas Benzit një automjet tip fuoristradë dhe pas saj mbyllte autokolonën një furgon policie me targa të Bajram Currit. Këto makina lëviznin në drejtim të Shkodrës", rrëfen Ismaili. Ndërkohë dëshmitari pohon se nuk u ka kushtuar vëmendje makinave, pasi ato ishin me fenelinë policie.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë