Marinsat në Afganistan: Nis gjuetia e Bin Ladenit

(27/11/2001)Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Afganistan, marinsat amerikanë disloko hen në terren. Rreth 100 prej tyre morën dje aeroportin e Kandaharit, kryeqytetit shpirtëror të talebanëve. Nisi kështu operacioni "Swift freedom" (Liri e menjëhershme). Skuadrat e para, të armatosura rëndë, u trasportuan në frontin e luftës me helikopterë të nisur nga Pakistani, ku presin ende të futen në Afganistan rreth 1600 marinsa. Reagimi i talebanëve është i menjëhershëm dhe i ashpër: "do të luftojmë deri në frymën e fundit kundër amerikanëve". Këta të fundit janë betuar: "Do të ndjekim Bin Ladenin, kudo që të jetë futur". Në armët e tyre marinsat kanë vizatuar dy Kullat Binjake dhe janë betuar se do të arrijnë aty ku nuk mund të futen as bombat më të sofistikuara. "Amerika duhet të përgatitet të humbë jetë njerëzish", deklaroi presidenti Bush pas fillimit të operacionit të marinsave. Seicili prej ushtarëve "më të fortë në botë", ka me vete një "kit" mbijetese ku përfshihen edhe Bibla, një sistem Gps që shërben për të sinjalizuar vendndodhjen e tyre, si dhe ushqime për 15 ditë. Vendet që duhet të sulmohen nga marinsat janë objektiva të vështirësive ekstreme. Rusia u ka dhënë këto ditë amerikanëve gjithë hartat e vendndodhjes së bunkerëve që njihnin gjatë luftës në Afganistan në vitet '80. Vendet më të vështira mbeten ato në Tora Bora, Xhalalabad, ku është bërë dhe sinjalizimi i fundit i vendndodhjes së Bin Ladenit. Në këto baza, sipas sinjalizimeve të shërbimeve sekrete, ndodhen guva të pajisura me sistem ventilimi dhe struktura për një vendqëndrim të gjatë. Në Zhauar, një ish-kundërshtar i sovjetikëve Maulvi Haqqani, sot komandant i forcave të armatosura të talebanëve, ndërtoi një kompleks prej 41 shpellash, ku kishte furra buke, një hotel të vogël me dhoma të veshura mirë, një spital, xhami dhe armë të llojeve të ndryshme. Sipas gjeneralëve sovietikë, çdo shpellë ishte e gjatë deri 10 metra, e gjerë 4 metra dhe 3 e lartë. Në vitet '80, me gjithë bombardimet, këto shpella mbetën të paprekura. Tani do t'i takojë marinsave të gjejnë mënyrën për t'u futur për të kapur njerëzit që Bush kërkon t'i nxjerrë para drejtësisë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim