Meidani: Amnisti fiskale

(5/19/2001)Meidani ka përsëritur dje propozimin për amnisti fiskale gjatë një konference të organizuar nga Akademia e Shkencave. "Duhet të diskutohet me botën e biznesit, atë shkencore dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë", tha presidenti. Amnistia fiskale ose ligjërimi prej shtetit i parave të grumbullara në rrugë të paligjshme, në konferencën e djeshme u tha për herë të parë nga një profesor amerikan me emrin Kuint i cili ishte thirur për të mbajtur një kumtesë mbi ekonominë e vendeve në tranzicion, ku ishte i pranishëm dhe Meidani. "Për të frenuar ikjen e kapitaleve nga Shqipëria duhet një lloj amnistie ekonomike dhe fiskale", tha Kuint. Ai tha se një përvojë e tillë ka qenë tepër e suksesshme në zhvillimin e ekonomisë argjentinase. Pas tij e mori fjalën Meidani. Ai kujtoi se një propozim të tillë e kishte bërë dhe ai vetë rreth dy vjet më parë. Ideja e Meidanit për ligjërimin nga ana e shtetit e të gjith atyre që mund të kishin kapitale të krijuara në rrugë jo të ligjshme u prit tepër ashpër në atë kohë nga opozita dhe shtypi. Ideja e Meidanit nuk u përkrah në atë periudhë as nga Partia Socialiste, forca politike që e kishte zgjedhur atë si kryetar të shtetit. Meidani e kishte hedhur këtë ide në një seminar të ngjashëm të organizuar nga një organizatë joqeveritare. Propozimi i tij u prit me tone të ashpra nga opozita, ndërkohë që presidenti nuk bëri asnjë përpjekje tjetër për të mbrojtur këtë ide të tij. Por duket se ai nuk është tërhequr. Ai tha se diskutimi me botën e biznesit, qarqet shkencore dhe me institucionet financiare ndërkombëtare është rruga që "në një kohë të përshtatshme nënkupton një kuadër ligjor i cili do rregullonte disa aspekte të bizensit në Shqipëri". Për këtë nismë të tij të vjetër, Meidani kërkoi dhe ndihëm e amerikanit Kuint që të diskutonte këtë ide me qarqet e specializuara anë Shqipëri. Për të frenuar daljen e mëtejshme të kapitaleve, Meidani propozoi se duhet të përpshtaten reforma lehtësuese në legjislacion. Kreu i shtetit u shpeh se "duhen rrugë të efektshme të frenimit të daljes së kapitaleve nga Shqipëria". Ai mbështeti tezën se kjo do të kishte si pasojë reduktimin e papunësisë nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës. Gjithësesi Meidani nuk hyri në detaje se si duhet realizuar amnistia fiskale. Pra sipas kryetarit të shtetit u takon ekspertëve të propozojnë se cilat para të paligjshme duhet tu' falë shteti individëve dhe cilat jo. Dy vjet më parë kur Meidani hodhi idenë e amnistrisë fiskale, u përkrah varianti që duhet të legalizohen vetëm ato para që kanë dalë nga taksat e papaguara. Ndërkohë që u kundërshtua legalizimi i parave të pista që e kanë burimin nga trafiqet ilegale. Gjithësesi, Meidani e hodhi sërish idenë e amnistisë fiskale për diskutim.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)