Millosheviçin e postojnë në Hagë

(6/29/2001)Surprizën më të madhe të ditës e ka dhënë njeriu tjetër i fuqishëm i Beogradit, kreu i DOS-it Zoran Gjingjiç, i cili me një dekret qeveritar të firmosur nga 14 ministra prej 15 gjithsej, ka ekstraduar ish-kryetarin e shtetit jugosllav Sllobodan Millosheviç, në gjykatën e Hagës. Pas një dite me shumë surpriza dhe luftë bërrylash, në orën 18 10 minuta një Mercedes i zi i shoqëruar nga shumë vetura të tjera ka dalë nga burgu qëndror i Beogradit duke u drejtuar për në aeroportin ndërkombëtar të Beogradit. Në brendësi të Mercedesit të zi me xhama të errët ndodhej, ish-tmerri i Ballkanit Sllobodan Millosheviçi, tanimë i reduktuar në një qënie të dobët dhe të mjerë. Atë nuk e kanë ndihmuar as avokatët e tij dhe as 9 gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, të cilët ndonëse u munduan ta bënin të pamundur për të mos e ekstraduar, të gjendur para vendosmërisë së ish-kundërshtarit të Millosheviçit, kryeministrit aktual Gjingjiç, para kërkesës së Komunitetit Ndërkombëtar për dorëzim pa kushte të ish-presidentit në Hagë, para nevojës të thithjes së ndihmave nga Konferenca e Donatorëve që do të mbahet pas disa ditësh, kuptuan se tashmë kohët kanë ndryshuar. Megjithatë nga ora 18 00 deri në orën 20 00( orë në të cilën kjo u bë e ditur nga burime të Gjykatës Ndërkombtare), kur faktin se Millosheviçi po fluturonte drejt Hagës ende askush nuk e kishte konfirmuar zyrtarisht. Sllobo i "Forti"! Po kush është Sllobodan Millosheviçi, tmerri i Ballkanit? Ai u lind në vitin 1941 në Pozharevc të Serbisë nga dy serbë malazezë. Nëna e tij një mësuese dhe babai një pop ortodoks ishin njerëz të varfër dhe normalë, të cilët më vonë patën të njëjtin përfundim vetëvrasjen. Sllobo i ri u aktivizua në lëvizjen komuniste titiste. Në atë kohë njohu gruan e tij Mira Markoviç një grua shumë ambicioze e cila do ti ishte krah tërë jetën në politikë. Sllobo i shkathët dhe i pëlqyer nga regjimi, studion ekonomi dhe merr drejtimin e administrimit bankar. Kjo jetë do ta çonte për shumë vite në SHBA, nga ku kthehet me shumë eksperiencë dhe vrull. Në fushën bankare shpejt bëhet një ndër më të mirët në Jugosllavi. Në atë kohë ai njihet me Kryetarin e Republikës serbe dhe ish-kryetar i federatës Ivan Stamboliç. Këtij të fundit Sllobo do ti pëlqente shumë dhe e ndihmoi të bëhej kryetar i Lidhjes Komuniste të Serbisë. Në atë kohë i paraprin proçeseve të ndryshimeve dhe merr pozicione nacionaliste. Në vitin 1989-90 Sllobo partinë e tij do ta shndërronte në PARTI SOCIALISTE. Janë vite të lavdishme për të. Bëhet popullor dhe karizmatik për serbët, pikërisht për ata të Kosovës, të cilëve në fjalimin famëkeq të FushëKosovës, i premtoi se kurrë më ata nuk do të ndiheshin të huaj në dheun e tyre. Këtë premtim e mbajti në kurriz të shqiptarëve, të cilëve u hoqi autonominë. Ky është dhe fillimi i egërsisë së Sllobos. Në vitin 1990 zyrtarizon pluralizmin politik që në esencë kurrë s'do të ishte i tillë. Nga viti 1991-92 pavarësisht në parapaskenë u bë arkitekti i luftrave në Slloveni, Kroaci dhe më pas në Bosnje. Ndërkohë që zgjidhet president i Serbisë, duke larguar ish-padrinon e tij Stamboliç, të cilin vetëm pak vite më vonë (Shtator 2000) do ta zhdukte pa lënë gjurmë. Nga vendi i Presidentit ai është një aktor i mirë, nga një anë gatuan pastrimet etnike dhe ndarjet, nga ana tjetër në Dayton kurorëzohet partner i sukseshëm diplomatik. Por, 1996 do ti rezervonte humbjen e parë zgjedhore, në zgjedhjet lokale të cilat i fiton Gjingjiç dhe opozita e bashkuar e djathtë. Shumë shpejt tashmë me metoda të hapura diktatoriale do ti përmbyste rezultatet, të cilat nxorrën 100 mijë njerëz në shesh duke protestuar. Kosova Por, Kosova do të ishte varri i tij. Në 1998 ai ndërrmori ofensiva të shumta në të gjithë Kosovën kundër njësive të shqiptarëve të armatosur. Nga ky moment me urdhërin e tij deri në qershor 1999, u kryen shumë krime të rënda kundër civilëve të pafajshëm, krime për të cilët dje u dorëzua në Gjykatën e Hagës, e cila u krijua në 1993, me Rezolutën 827 të Këshillit të Sigurimit, që hetonte mbi krimet kundër njerëzimit në Ruandë. Kjo do të ishte edhe arsyeja që pas dështimit të Konferencës së Paqes në Rambuje, Aleanca Atlantike ndërrmori 78 ditë sulme të njëpasnjëshme kundër Jugosllavisë. Në ditën e 79 Sllobo u dorëzua dhe humbi Kosovën, por u bë dhe varrmihësi i asaj që mbetej nga Federata Jugosllave të cilën e kishte rikrijuar vetë me 27 prill 1992. Dorëzimi i Millosheviçit është edhe akti përfundimtar i fitores së Komunitetit Ndërkombëtar mbi një ndër diktaturat më të egra të epokës sonë. Fundi i Millosheviçit është dhe fillimi një epoke të re, ku sovraniteti politik i një vendi nuk është më i rëndësishëm, sesa të drejtat e njerëzve që jetojnë në atë vend.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë