Për këtë qëllim është hartuar një listë me 64 emra, të cilët prej kohësh vjedhin korrent dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë në arkën e filialit të KESH-it. Dita e parë e operacionit u përqëndrua në zonën e ish-kënetës dhe në Porto Romano.
DURRES (10/11/2001)
Filiali i KESH-it në Durrës, Policia Elektrike dhe Policia e Rendit, kanë nisur dje një operacion të gjerë kundër atyre që vjedhin energjinë elektrike.
Për këtë qëllim është hartuar një listë me 64 emra, të cilët prej kohësh vjedhin korrent dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë në arkën e filialit të KESH-it. Dita e parë e operacionit u përqëndrua në zonën e ish-kënetës dhe në Porto Romano. Janë prerë 21 lidhje pa leje si dhe janë arrestuar 3 persona, të cilët në mënyrë të përsëritur vidhnin korrent. Kështu në pranga kanë përfunduar Xhemal Sulishaj, banor në lagjen nr. 17, Vaid Shimitraku, banor në lagjen nr. 15, si dhe Asllan Koni, banor i lagjes 11. Këto persona ndonëse janë gjobitur më parë për abuzimin me energjinë elektrike përsëri vazhdonin ta vidhnin atë. Sipas policisë, 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim po për grabitjen sistematike që i bënin energjisë elektrike. Në Durrës arkëtohen 82% e faturave të energjisë elektrike në një kohë që 34% e energjisë së prodhuar humbet rrugës. Për të përmirësuar situatën e furnizimit me energji elektrike Qeveria i ka dhënë Filialit të Durrësit 50 milion lekë me të cilat do të ndërtohet një fidër i ri, i cili do të shërbejë për furnizimin me korrent të zonës që shtrihet nga Porto Romano deri tek prefektura e Durrësit.