Muhamet Alia: Ramizi detyroi vëllezërit e mi të ndryshonin mbiemrin

(23/7/2000)Diku në fund të rrugës, në drejtimin verior jo shumë larg burgut të vjetër të Tiranës,(rep.313)e rrethuar me mure të larta dhe një kopsht të gjelbëruar nga pemët e shumta që e hijeshojnë në të katër stinët, me një sipërfaqe mbi 3 mijë metra katror ndodhet vila misterioze e njeriut të çuditshëm të quajtur Muhamet Alia (e paisur dhe me strehimin antiatomik)ose e thënë ndryshe "rezidenca qeveritare" ku për vite me rradhë janë shtruar me dreka e me darka krerët më të lartë të shtetit komunist shqiptar që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu e deri tek kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Abdyl Këllezi, Sadik Bocaj, Rifat Dedja etj. Po çfarë është kjo vilë, kur dhe përse u ndërtua ajo e kush është i zoti i saj që ka banuar dhe vazhdon të jetojë ende aty krejt i vetëm? Me një shtat mesatar dhe shumë energjik për moshën e tij të thyer, tashmë kur i ka kaluar të 75-at, Muhamet Alia me një kujtesë brilante për tu pasur zili vazhdon të shkruaj dhe të hedhë nëpër libra kujtimet e një jete plot shkëlqime dhe peripecira: që nga koha e luftës kur ishte në një qeli me Manush Alimanin e mundi t'i arratiset gestapos gjermane, e deri nga mesi i viteve 70 të kur mundi t'i shpëtojë për të tretën herë vdekjes nga helmi që i kishin hedhur në filxhanin e kafes njerzit e familjes së bashku me gruan e tij. Mbi jetën e tij gjatë periudhës së luftës si guerilas, që nga njohja me Vasil Shanton, Manush Alimanin, Perlat Rexhepin etj, dhe atentatet e shumta që ai kreu asokohe në Shkodër flasin dy librat e parë të Muhametit (kanë gjetur pasqyrim dhe në faqet e "Gazetës Shqiptare") që janë përpirë nga stendat e vitrinave me një frymë. Periudha tjetër e jetës tij, gjithashtu shumë interesante që fillon me mbarimin e luftës më 29 nëndorin e 1944- ës e deri në ditët e sotme, përbën dhe dy libra të tjerë voluminozë të cilat Muhameti i ka në dorëshkrim, flasin për kontaktet e tija me krerët më të lartë të shtetit komunist shqiptar (duke filluar nga Enver Hoxha) dhe tentativat për ta eleminuar fizikisht atë. Pa dashur që të zbulojë para kohe misteret e atyre dorëshkrimeve që presin dritën e botimit, për "Gazetën Shqiptare" Muhamet Alia pranon të tregojë një pjesë të tyre. Çfarë lidhje keni me Ramiz Alinë dhe pse vëllezërit tuaj në Shkodër mbajnë mbiemër tjetër? "Ramiz Alia është njeriu që i ka detyruar vëllezërit e mi të ndryshojnë mbiemrin nga Alia në Nishani, kur ai u ngrit në postet e larta të Shtetit. Po kështu ai, siç detyroi ata të ndryshojnë mbiemrat, urdhëroi dikur vëllanë tim Dulin të më godiste në shtëpinë e tij për të më eliminuar fizikisht. Peripecitë nga ky njeri vazhdoj t'i kem ende. Si atëherë edhe sot, më zhduku nga qarkullimi, brenda ditës, librin e parë që botova "Rrëfimet e Mujit" dhe tregoja historinë e Aliajve. Çfarë detyre ju ofruan pas lufte ? "Mbarimi i luftës më gjeti në qytetin tim të Shkodrës ku u caktova të punoja me rininë. Më pas më dërguan si komisar të ofiçinës (që më pas njihet si NSHRAK-u) e cila ju kishte shërbyer gjermanëve për luftën, e cila u vu në shfrytëzim në dobi të rindërtimeve të urave e rrugëve të prishura. Po kështu u caktova në krye të komisioneve për hapjen e shkollave, kurseve kundër analfabetizmit, tatimeve etj. Në atë kohë u vendos dhe krijimi i kooperativës së parë bujqësore që do të bëhej në Dobrac ku unë isha një nga bashkëthemeluesit e sajë. Ngritja e asaj kooperative në atë kohë mu duk shumë e shpejtuar dhe qesharake. Kjo për arsyen se regjimi komunist që erdhi në fuqi, në ingranazhet e së cilës bëja pjesë dhe unë së bashku me tre vëllezërit e mi, (i madhi Hajdar Alia ishte Komandant i Qarkut Shkodrës, Kryetar i Reformës Agrare dhe Kryetar Gjykate, Duli dhe Jonuzi ishin ushtarakë)grabiti me dhunë dhe pa asnjë mëshirë pasurinë e popullit dhe të tregtarëve. Kështu unë shihja me keqardhje gjithë atë pasuri te grabitur dhunshëm si ajo që u morëm jezuitëve dhe duhanet e "Shaban Elezajve", "Taraboshit"e "Rusëve", e gjithshka tjetër nga mallrat që kishin mbetur me shumicë nga koha e Italisë, që shkonte për në Jugosllavinë e Titos me kamiona në autokolonat që nuk pushonin ditë e natë. I revoltuar nga kjo gjë, unë vendosa që të punoja për shkatërimin e kooperativës së Dobracit dhe nga 21 familje aty mbetën vetëm katër. Kështu për ta forcuar këtë kooperativë që po dështonte, u caktuan dy kryetarë : vëllai im Hajdar Alia dhe Kasem Trashani që ishte shef i Agjenturës të Qarkut Shkodrës dhe zëvendës i Zoi Themelkos." A ratë në sy se po punonit kundër Partisë Komuniste? "Po, puna ime u bë problem deri lart ku u informuan Koci Xoxe dhe Enver Hoxha. Për këtë gjë, ndaj meje dhe familjes time që ishte nga të parat baza të lëvizjes antifashiste ku ishin strehuar të gjithë krerët komunistë që nga Vasil Shanto, u hartua një plan operativ për të na goditur. Ky plan u hartua nga Zoi Themeli, Qamil Gavoci që ishte sekretar politik i Qarkut të Shkodrës dhe me dijeninë e shefit të Seksionit të Brendshëm të Shkodrës. Kështu shtëpija jonë që tashmë ishte vila e Sumajve, afër Seksionit të Brendëshëm u bastis një mesnatë nga një oficer dhe ushtarët që e shoqëronin, duke na thënë se kishte urdhër nga lart që të na çarmatoste. Kjo gjë bëri bujë të madhe në Shkodër pasi shtëpija jonë njihej se ishte djegur nga gjermanët dhe Hasan Isufi. Këtë peshqesh e kishim nga shokët tanë që ishin strehuar dhe kishin ngrënë e pirë në familjen tonë, dhe një pjesë e tyre kishin qenë dezertorë në luftë. Kjo punë shkoi deri tek Adil Carcani, Sekretar i parë i Shkodrës i cili dha urdhër që Hajdar Alisë dhe vëllezërve të tij ti kthehen armët pasi "ishte bërë një gabim". A ju vlersuan Muhamet Alisë meritat e luftës? " Po, deri në vitin 1948 unë mbaja tre dekorata: të çlirimit, të vjetërsisë dhe urdhërin e trimërisë. Po kështu atë vit unë mora dhe "Urdhërin e Flamurit". Në atë kohë vetëm pak veta në gjithë vendin i mbanin këto dekorata. Unë isha ndër tre të parët që u propozova për të marrë titullin e lartë "Hero i Popullit" së bashku më Lym Ketën dhe një nga Mallakastra që s` ja kujtoj dot emrin. Nga që nuk plotësoja një nga kriteret e kësaj dekorate të lartë m'u dha "Urdhëri i Flamurit", të cilin ma vuri në gjoks Tuk Jakova komisar i Korpusit të parë, që asokohe ishte dislokuar në zonën e Shkodrës e deri jashtë kufijëve shtetërorë në Jugosllavi. Përvec dekoratave, çfarë detyre ju afruan në atë kohë ? "Nuk e di se kush urdhëroi, por ndaj meje u veprua padrejtësisht duke më marrë ushtar, ndonëse kisha qenë katër vjet partizan. Kur u paraqita në Tiranë në repartin e caktuar, kolonel Hito Cako që komandonte aty, më tha të shkoja përsëri në shtëpi në Shkodër sepse ishte bërë gabim. Sapo mbërrita në Shkodër, dy oficerë që kishin urdhër nga Koci Xoxe më morën dhe më kthyen përsëri në Tiranë si ushtar në një repart ku komandonte Gazeli Sejko. Mbas goditjes së Koci Xoxes, Hysni Kapo Drejtori politik i Ushtrisë i kërkoi llogari Kristo Themelkos se përse më kishin marrë ushtar. Themelko i shpjegoi Kapos duke i thënë se Muhamet Alia kishte folur kundra pushtetit popullor dhe kishte punuar për prishjen e kooperativës së Dobracit. Pasi Kolonel Qazim Kondi më dha rrogën si oficer për gjithë atë kohë që kisha qenë ushtar, më thirri Tuk Jakova, sekretari për kuadrot në zyrën e tij në Komitetin Qëndror (ku është sot pallati i pionerëve). Mbas pesë minutash që kisha hyrë në zyrën e Tukut, erdhi aty Enver Hoxha dhe unë u çova në këmbë menjëherë. Pa më pyetur fare m'u drejtua : "A u shpërbleve ?" Pasi i tregova se i kisha marrë paratë nga Kolonel Kondi, Enveri i tha Tukut që të thërriste Teodor Hebën (drejtorin e kuadrit) dhe i tha që të më emëronin duke përmendur Cekosllovakinë. Enveri donte të më dërgonte atje në vend të Zija Dibrës, por nuk e di pse nuk u bë ajo gjë. Më pas më njoftuan se unë isha caktuar të punoja në Aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor ku drejtonte Dr. Omer Nishani. Si e kujtoni Omeri Nishanin dhe raportet e tija me Enver Hoxhën? "Për Dr. Omer Nishanin ruaj kujtimet më të mira, sepse ai nuk kishte fëmijë dhe më kishte bërë bir në shpirt. Ai ishte një njeri tepër inteligjent dhe mjaft human. Mbaj mënd duke punuar tek Dr. Nishani, më erdhi në zyrë Adem Ahmetaj një kuadër i lartë i Ministrisë Brendëshme dhe më tha se atë natë ishin dënuar me vdekje më akuzën për imoralitet katër shefa policie të Tiranës. Njeri prej tyre ishte Mustafa Mujo (babai i aktores së njohur Yllka Mujo) dhe dy nga Skrapari e një nga Berati. Gjyqi i tyre ishte bërë në parani vetëm të kuadrove të ministrisë dhe u ishte lënë gjashtë ditë afat për apelim. Unë menjëherë vura në dijeni Dr. Nishanin i cili tha." Këto janë pisllëqe të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës." Ai nuk përmendi për Enverin fjalët pusht e dylber, të cilat i përmendëte zakonisht me mua. Nishani u interesua për akuzat e montuara që u ishin bërë katër shefave, dhe ua fali jetën atyre." Në dorshkrimet tuaja flitet për një puç kundër Enver Hoxhës? "Po, kjo gjë ka ndodhur disa muaj para Kongresit të parë të PKSH-së në 1949-ën. Një grup ushtarakësh madhorë të cilët kryesoheshin nga Gjeneral Gjin Marku shef i shtatmadhorisë që sapo ishte kthyer nga Akademia Voroshillov e Bashkimit Sovjetik, u mblodhën në shtëpinë e Sadik Bekteshit dhe diskutuan për të goditur e demaskuar Enver Hoxhën në Kongres. Në atë grup bënin pjesë dhe Hamit Keçi, Qazim Kapisyzi e dy tre të tjerë, merrja pjesë dhe unë si i vetmi që nuk isha ushtarak. Nuk e di si e zbuloi Enveri atë grup, ndoshta kishte njeriun e tij brenda. Kështu Enveri pregatiti njerzit e tij Mehmetin, Beqirin Kadriun, Petritin dhe ua kundërvuri ata Gjin Markut që në Kongres ja ndërprenë fjalën dhe e nxorrën jashtë nga salla. Duke parë se cfar ndodhi me Gjinin, ushtarakët e tjerë nuk u ndjenë. Gjin Marku u tregua burrë dhe nuk i tregoi shokët dhe vendimin që kishin marrë." Po pas kësaj , a patët kontakte me Enver Hoxhën? "Po, duke qenë me atë detyrë pranë Omer Nishanit, unë takohesha shpesh me Enverin dhe gjithë të tjerët sepse ju coja rrogat e tyre me zarfa. Më shpesh takohesha me ta tek Hoteli i Gjuetisë në Lezhë të cilin Enveri e frekuentonte rregullisht, për gjueti dhe për pritje të politikanëve të huaj. Kështu mbaj mënd njëherë ka qenë dimër i ftohtë kur Myslym Keta erdhi në shtëpinë time dhe më mori për të shkuar në Hotelin e Gjuetisë. U nisëm me një tricikël të ri që ma kishin bërë dhuratë familjet e atyre që u fali jëtën Omer Nishani. Kur mbrritëm tek hoteli, Lula shërbyesja, më tha se Aty ishte dhe Enveri me Mehmetin e Cuvakinin ambasadorin sovjetik duke luajtur me letra. Pas pak po Lula më njoftoi se më kërkonte Enveri. Kur hyra brenda në dhomën e tyre, Enveri pa më shikuar fare më tha: " Ti djal po luan me kokën tënde si Alqi Kondi".E kishte fjalën për motorrin, me të cilin udhëtoja shpesh unë me Lymin. Pas tij ndërhyri Mehmeti duke thënë :"Këtij ja ka marrë mendjen ai prasi i Tiranës." Kështu i thoshin Lym Ketës, Mehmeti, Beqiri e Petrit Dumja. Pas atyre fjalëve Enveri më tha të shkoja e të flija pasi të nesërmen do më merrte për gjueti tek fucijat ku kishte gjuajtur Konti Ciano. Për Lymin nuk më thanë gjë, ai u kthye të nesërmen për në Tiranë." Ju shkuat për gjueti me Enverin? "Po të nesërmen që në mëngjez herët hypëm në një varkë me motorr dhe nëpërmjet kanalit që ishte ndërtuar për Duçen e Kontin Ciano, shkuam tek fuçijat. Komandën e grupit të shoqërimit e kishte Musa Daci. Nuk e di edhe sot se c` ju shkrep Enverit atë ditë që të më merrte me vete për gjueti, sepse ajo gjë ishte një privilegj i madh jo më për mua që s'isha asgjë, por dhe për vetë antarët e byrosë politike. Për çudi Enveri nuk hypi fare tek fuçijat, por qëndroi në tokë në ishullin e vogël. Po kështu dhe unë nuk qëndrova shumë larg tij. Enveri nuk qëlloi atë ditë asnjëherë me cifte. Në atë çaste, kur nuk isha shumë larg tij, nuk e di se si mu dha në mënyrë instiktive dhe e mbusha ciften me dy fishekë të mëdhej nga ata që përdoreshin për derra, dhe mendova ta qëlloja. Kjo gjë sesi më erdhi krejt pa pritur, dhe thosha me vete se po ta qëlloja do realizoja atë çka kishin vendosur Gjin Marku me oficerët e tjerë madhor tek shtëpija e Sadik Bekteshit. Në ato momente çiftja më dridhej në dorë sic dridhen gjethet e plepave nga era, dhe më dukej sikur drejt meje mijra njerëz më thonin : mos kriminel, mos qëllo mbi Enver Hoxhën." Çfarë ndodhi më pas aty ? "Pastaj unë duke hedhur çiften në krahë, dhe duke dashur që t'i harroja ato që më kishin shkuar nëpër mend, u afrova afër Enver Hoxhës i cili më tha se nuk kishte qëlluar asnjëherë pasi nuk ishte mirë që të vriteshin ato shpendë të rralla që po zhdukeshin. Më pas ai na tha se priste një mik francez që do vinte me skaf nga deti, dhe mu drejtua :"Muhamet mundohu që të vrasësh dicka që ta presim mirë mikun francez."Unë u largova dhe shkova tek një pellg i cekët ku rryma i fuste peshqit dhe i ngecte aty. Nga aty pashë se nga kanali me një motoskaf të bukur erdhi miku që priste Enveri dhe të dy u përqafuan. Po mendohesha se ku e kisha parë atë fytyrë që më dukej si e Bllazho Jovanovicit kryeministrit të Malit të Zi dhe zevëndësit të parë të Titos. Pasi u takuan, të dy së bashku dhe rojet që i shoqëronin u nisën në drejtim të Hotelit të Gjuetisë. Mbas rreth gjysëm ore u nis në drejtim të hotelit dhe unë me disa peshq të mëdhej që i kisha kapur me kanatieren time që e lidha në një shkop të gjatë. Kur mbrrita aty, Lula shërbyesja më tha se Enveri me mikun jugosllav ishin larguar për në Tiranë. Aty nga fjalët e Lulës që më tha se miku Enverit fliste Srbisht, vërtetova se ai ishte Bllazho Jovanovici. Mbas pak në një nga dhomat e hotelit takova rastësisht një njeri që quhej Mesar Gavoci. Mesari ishte djali i Shefqet Gavocit tregtarit nga Damasku i Sirisë me origjinë shqiptare (nga Shkodra) i cili i kishte shitur shtetit shqiptar një vaporr të madh me duhan që ishte refuzuar nga disa shtete. Si shpërblim Enveri i kishte marrë djalin e tij dhe e mbante si përkthyes pranë vetes. Vite më pas Mesarin e përzunë nga Shqipëria në mënyrë diplomatike. Ai akuzohej si agjent i sovjetikëve." (Vijon të martën)

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë