Në Bujan është krijuar TMT-ja

(5/10/2001)Nuk ka Ushtri Çlirimtare të Tropojës. Këtë fakt e mohojnë të gjithë që takon. Por faktikisht në Tropojë ekziston një "ushtri". Bëhet fjalë për Trupat Mbrojtëse të Tropojës. Nuk kanë ndërmend të çlirojnë krahinën e tyre as të sulmojnë komisariatin apo institucionet shtetërore por ashtu si thotë një prej pjestarëve të saj Ismail Avdimalaj: "Ne nuk kemi çfarë të humbasim më. Jemi aq të varfër dhe të persekutuar saqë e vetmja rrugë nëse na sulmon policia është vetmbrojtja dhe këtë do ta bëjmë dhe jemi bërë gati me të gjitha mënyrat. Na akuzojnë për çdo gjë që ndodh në Tropojë dhe djemtë tanë kërkojnë t'i fusin në burg vetëm sepse kanë marë pjesë në mitingun e 28 Nëntorit vitin e kaluar". Trupat Mbrojtëse të Tropojës, nuk janë thjesht një "grup" personash të armatosur. Njerëzit që komandojnë dhe janë bërë gati për luftë nëse i godet policia e cila aktualisht i akuzon edhe për hedhjen në erë të shtyllës së tensionit të lartë në Bujan, thonë se "TMT" e cila nuk ka motive politike është gati të mbrojë banorët e zonës nga një sulm i forcave të ardhura nga Tirana. Po sa janë personat që janë të gatshëm t'i kundërvihen policisë? Ku ndodhet baza e tyre dhe si janë të organizuar? Përse janë kaq të prerë në vendimet e tyre? Kush janë arsyet që një fshat i tërë të pregatitet për luftë edhe pse nuk kanë motive politike dhe gjak për të dhënë apo për të marrë?. "Gazeta" ka mundur të hyjë deri në bazën e këtij "grupimi". Ka qenë tepër e vështirë deri e pamundur. Ndoshta edhe nga fakti që policia e Tropojës i ka vënë në listën e të dyshuarve si atentatorë të shtyllës së tensonit të lartë rrëzuar gati një javë më parë vetëm 200 metra larg shtëpive të tyre. Mbërritja në Bujan Në Tropojë janë të paktë njerëzit e besuar që mund të të lidhin me ta. Lokali i tyre është vetëm 7 kilometra në hyrje të Bajram Currit. Gjendet buzë lumit Valbonë ku verës pushojnë qindra qytetarë. Njeriu që merr rolin e shoqëruesit i njofton se një gazetar nga Tirana ka ardhur për të mësuar të vërtetën e tyre. Bashkë me të mbërritëm te lokali rreth orës 8.30 të mëngjesit. Eshtë një klub i madh buzë lumit gjatë rrugës nacionale poshtë fshatit Bujan, të cilin e njohin të gjithë në Tropojë. I pari që vjen në tryezën tonë është Hysni Vatoci, 33 vjeç, baba i tre fëmijëve. Pas tij vijnë të tjerët, me të cilëve edhe një djalosh rreth 28 vjeç i cili nuk pranon të bëjë publik emrin e tij. I veshur me një xhakavento ngjyrë bezhë dhe me mustaqe atij poshtë xhupit i duket antena e një radio policie. Kur u thua që ke ardhur për të shkruar për ta të shohin me një vështrim të mprehtë e kërkojnë që "në letër të hedhësh ato që themi ne dhe që do shikosh". Ka një shenjë plumbi në tëmth për të cilën të thotë se e ka dhuratë nga një sulm i forcave speciale. Një mik në fshat Ora po shkonte rreth 11-tës kur ata pasi kishin rrëfyer gjithë hallet e tyre me varfërinë, dritat, policinë, pranuan që ne të hidhnim një sy në fshat, te shtylla e riparuar dhe në kullat që tre herë janë qëlluar nga breshëritë e forcave speciale. Djaloshi me radio kërkon në një kanal të saj numrin "06" të cilin e thërret me kodin "Plepi". Ai e porosit që "lart po ngjisim një mik, merrni të gjitha masat për të mos patur asnjë problem". Përgjigja vjen menjëherë dhe e pastër: Po të kuptova. Por djaloshi me mustaqe që dukej hapur që duhet të ishte "dikushi" në këtë zonë i kërkon "06" të zbresë poshtë në lokal. Vetëm pas 10 minutash te ne mbërrin një djalosh rreth 18 vjeç, i cili nuk e fshihte radion. Rreth orës 11.30 hipëm në makinë. Jemi pesë vetë. Gjatë rrugës për në shtëpinë-bazë e cila ishte shumë e shkurtër, ata vazhdonin të komunikonin me radio me persona të tjerë të cilëve iu kërkonin të dhënat e fundit për kontrollin e zonës. Dëgjoje përgjigje të shkurta, të shpejta e të prera. Dukej haptazi që numri i njerëzve që përdornin radio ishte i madh. Në shtëpinë e Rexhajve të presin si mik të rrallë. Kur i pyet se përse djemtë e fshatit përdorin radio policie dhe mbrohen në një mënyrë të tillë, kaq të sofistikuar të tregojnë me dorë një makinë të shoshitur nga plumbat dhe vrimat e tyre në një prej faqeve të shtëpisë trekatëshe. "Ne nuk kemi çfarë të humbasim më. Hasëm nuk kemi. Policia e Tiranës na ka sulmuar tre herë natën duke marrë peng edhe fëmijë të vegjël. Këtu nuk ka UÇT, por ne jemi të vendosur dhe mund të ngrihen të paktën 200 burra me armë për të mbrojtur shtëpitë tona" - Ismaili shton se njerëz dashakeqës kanë shpikur UÇT, por "ne nuk kemi çfarë të çlirojmë, ne duam vetëm të mbrohemi dhe jemi të organizuar në Trupat Mbrojtëse të Tropojës".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim