Tri fetë: "Ja harmonia mes nesh"

SHKODER (6/9/2001) Toleranca ndërfetare, një ndër vlerat dalluese të Shkodrës ndër shekuj, ka qenë dhe temë e seminarit zhvilluar në ambientet e Qendrës Kulturore. "Toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërfetar në zonën e veriut", kështu është quajtur seminari nga organizatorët, shoqata e gazetarëve profesionistë "ARB". Qëllimi i tyre kishte të bënte me zhdukjen e mentaliteteve të vjetra, në lidhje me problemet e bashkëjetesës së besimeve të ndryshme, si dhe njëkohësisht të nxisë frymën e bashkëjetesës fetare. Posteri i bërë publik prej tyre simbolizonte pikërisht një gjë të tillë, flamurin kombëtar që qëndron mbi gjithçka dhe simbolet e tre komuniteteve fetare. Fushata e sensibilizimit, ka muaj që ka filluar, ndërsa si moto ka thënien e kardinalit të parë shqiptar, imzot Mikel Koliqi në Vatikan: "Mbi të gjitha të kemi bashkim, të mos shikojmë dasitë dhe inatet, interesat vetjake, por të shikojmë të mirën e popullit dhe kombit. Atëherë zoti, do të na ndihmojë dhe paqja e mirëkuptimi do të jetë mes nesh". Financues të projektit, kanë qenë fondacioni Soros dhe King Boudouing. Seminari i zhvilluar paradreken e së premtes, është shoqëruar me disa kumtesa, të cilat merrnin përsipër trajtimin në syrin e historisë apo sociologjisë të problemeve fetare në Shkodër dhe harmoninë mes tyre. Brenda këtij seminari është ideuar dhe botimi i një gazete, ku në dhjetë numrat e gazetës do të pasqyrohet i freskët, i gjithë historiku i bashkëjetesës, duke përmendur periudha apo histori të veçanta. E tillë ishte periudha e rrethimit të Shkodrës, nga malazezët në 1913. Për shkodranët, historia e Kupe Danes, është kthyer në subjekt kënge apo libri dhe shumë pak kush mund ta dijë se ajo është një ngjarje e vërtetë. Fotografitë e protagonistëve, në një prej këtyre gazetave e bëjnë ngjarjen më reale. Pikërisht këtu është ndalur dhe shkrimtari i njohur Fadil Kraja, i cili për këtë ngjarje ka botuar dhe një libër. "Ka qenë viti 1913 në qytetin e Shkodrës. Dy ushtarë turq, tentojnë të përdhunojnë një vajzë, e cila ishte e besimit katolik. Dëshmitar i rastësishëm në këtë ngjarje, ndodh të jetë Kupe Dania, një qytetar shkodran, i cili kur e sheh skenën, i vret të dy ushtarët turq. Veliu i Shkodrës hakmerret duke djegur shtëpinë e tij. Historia nuk merr fund këtu, por vazhdon me nismën e priftit katolik, i cili merr i pari inisiativën për ndërtimin e shtëpisë së Kupe Danes. Mjeshtra ndërtimi myslimanë e katolikë, së bashku punojnë falas, ndërkohë që materialet e ndërtimit sigurohen nga tregarët shkodranë, sërish pa dallim feje. Seminari ka mbyllur punimet po dje, ndërkohë që do të vazhdohet me botimin e gazetës.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë