Vagina rrëfehet lirshëm në "Black Box"

(15/2/2002)Vagina është kthyer dje kryefjala e një pjese skenike prej 60 minutash, vënë në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve. Kjo është realizuar nga tri aktoret e talentuara Olta Daku, Eglantina Ceno dhe Eriona Kakeli, nën regjinë e Altin Bashës. Duke pasur përpara tekstin e "Monologëve të vaginës" së autores amerikane Eve Ensler, tri aktoret prezantuan përpara publikut këtë pjesë të panjohur për këtë të fundit, por që mbartte një mesazh të madh, një mesazh human në mes të realitetit shumë të ashpër social, që shpesh femrën e sheh si një skllave të bindur, si një vegël pa ndjenja e pa dinjitet. Duke përdorur fjalën dhe gjestet aktoret përcollën atë çka vagina ndien kur preket, përkëdhelet apo dhunohet. Për këtë, mbi bazën e tekstit të Eve Ensler, aktoret Daku, Ceno dhe Kakeli bënë monologun e disa tipeve grash, duke nisur që nga monologu i plakës 75-vjeçare, e cila kishte parë për herë të parë vaginën e vet në moshën 72-vjeçare, te vajza e përdhunuar, te vajza lezbike, te vajza e mërzitur nga përdorimi i tamponeve etj, etj. Sjellja e këtyre personazheve ishte realizuar duke imagjinuar sikur ato ishin vendosur përballë mikrofonit të një gazetareje, e cila, ndër të tjera, u bëri edhe pyetje të tilla si: Çfarë është vagina për ju? Ndërkohë që ato jepnin variantet e tyre, duke filluar që nga "vagina ime është një guackë deti, buzët e së cilës hapen e mbyllen" e deri te "lule" "gur i çmuar" apo "një pikë e zezë, e errët". Gjendja në të cilën pasqyrohej vagina (me anë të fjalëve) ishte gjendja e vajzës apo gruas që e kishte atë. Me pak fjalë, vagina për autoren Ensler, tri aktoret, regjisorin dhe përkthyesin Ukzenel Buçpapaj, ishte simboli i vajzës apo gruas që e ka atë. Një ndër ndërhyrjet e bëra prej regjisorit Basha ishin disa pjesë të futura në tekst. Që në fillim, një pjesë e skenarit, në mund të quhet kështu, i kushtohej asaj se si thirret vagina në gjuhën shqipe, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Psh. Në Shkodër, thotë Olta, i thonë "duc", në Mirditë, ia pret tjetra, i thonë "zogu i Zefit", në Korçë, vazhdon shoqja tjetër, i thonë "zoçkë". Pjesë këto që sigurisht nga publiku u pritën me të qeshura. Një tjetër faqe e "Monologëve të vaginës" e shtuar nga regjisori Basha ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ai u lexua nga një prej aktoreve dhe komentet iu lanë publikut. Duke ardhur nga fundi i monologëve, duke e vendosur situatën në një sallë lindjeje, me një doktor, me një nënë, një vjehrrë dhe burrin aty pranë, tri vajzat treguan përpara publikut se kuptimi i vërtetë i vaginës ishte pikërisht nxjerrja në dritë e një krijese, e një zemre që rreh. "Zemra vuan, hapet, gjakoset, rreh, gëzohet për ne. Po kështu bën edhe vagina".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)