Vajza që i qasej zjarrit

Nga Jasunari Kavabata (11/3/2001) Atje larg, një liqen përshkëndijonte, vocërrak. Ngjyra e tij të sillte ndër mend kroin me ujëra rreth koritës, në një kopshtije të moçme, nën dritën e hënës. Matanë bregut, një pyll po digjej qetë-qetë mes flakësh. Zjarri përpinte sa të hante syri. Zjarr i rastësishëm pylli, pa dyshim. Në syprinën e ujit pasqyrohej me qartësi një avullore që rrëshkiste ndanë bregut porsi avullore. Shpati nxirronte nga njerëzia pa fund, që ngjitej përpjetë me mundim. Papritmas, pikasa që ajri përreth kishte zënë të zbardhej, a thua qe terur pak e nga pak. Qyteza teposhtë, rrëzë rrëpirës, ishte kthyer në det zjarri. Duke çarë pa pengesë përmes turmës aq dendurore, vetëm ajo po zbriste tatëpjetë. Ajo qe vërtet e vetmja që zbriste. Kjo botë, për çudi, nuk pipëtinte pikë zhurme. Tek e shoh t'i qaset detit të zjarrtë, mezi e përmbaj veten. Ndërkaq, ia nis një kuvendimi krejt të kulluar me të, jo me fjalë, por me zemrën e saj. - Përse vetëm ti zbret tatëpjetë bregut ? Për të vdekur mes zjarrit ? - Unë nuk dua të vdes. Por kah perëndimi gjendet shtëpia juaj. Prandaj unë po shkoj në lindje. Ravijëzimi i kurmit të saj, pikë e zezë në fushën time pamore, të përpirë nga flakët, më frugulloi dhimbshëm sytë, aq sa u zgjova. Rruzuj lotësh më rridhnin në tëmtha. Tashmë e dija se ajo as nuk kishte dëshirë të ecte për nga shtëpia ime. Aq më bënte se ç'mund të mendonte. Por unë, ama, më kot mprihja gjithë arsyen time dhe e bindja përciptazi veten që ndjenjat e saj karshi meje qenkeshin shuar. Cilado qoftë e vërteta, mua ma kishte ënda të vazhdoja të besoja se një grimë ndjenje për mua do të mbetej diku tek ajo. Këtë dëshirë te vetja e përqeshja pa mëshirë e megjithatë ma kishte qejfi të vazhdoja ta ushqeja në fshehtësi. Mirëpo, të shihje një ëndërr të këtillë, mos vallë bindja se ajo nuk përjetonte as ndjesinë më vocërrake për mua kishte hedhur rrënjë gjer në thellësinë e mbrame të zemrës sime ? Ëndrra ime janë vetë ndjenjat e mia. Ndjenjat që përjetonte ajo, në ëndrrën time, ishin ato që i falja unë. Dhe në ëndërr ndjenjat ishin pa shtirje, pa kotësi. Teksa mendoja këtë, më kaploi pikëllimi. E përktheu : Luan CANAJ

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)