Ata që sot kritikojnë, shajnë, shpifin për Drejtësinë dhe përfaqësues të saj, qoftë të Spak, qoftë të Gjykatës Kushtetuese apo të tjera instancave që e përbëjnë, do të thotë se janë plotësisht të lirë ta bëjnë. Thënë kjo, meritojnë të shihet me vëmendje çka po ndodh këto ditët e fundit, duke filluar me 8 orë live të kundërshtimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Velija pranë Gjykatës Kushtetuese, të shkarkimit të tij nga Qeveria dhe të çertifikimit më pas të rizgjedhjeve në Tiranë nga Presidenti i Republikës.

Tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhanë një leksion par excellence jo vetëm të një seance që nuk ishte parë ndonjëherë në gjithë e gjithë këto vite, por një shembull të vërtetë se si duhet të jetë një debat publik; se ka një kohë për të folur, por ka dhe një kohë për të dëgjuar, se ka një kohë për të kundërshtuar dhe ka një kohë për t’u shpjeguar. Vetëm duke respektuar këto kohë dhe kundërkohë, nën peshën e logjikës, të buonsensit, të ligjit, të rregullit, njerëzit mund të mendojnë, reflektojnë dhe njerëzit e drejtësisë mund të gjykojnë.

Të mësuar dhe të sfilitur me modelin më të keq që na ka dhënë përherë Parlamenti dhe studiot televizive, ku provokohet duke luajtur me ngacmimet më të ulëta të dinjitetit njerëzor nga tashmë “profesionistë” të këtyre skenave të mjeruara, 8 orët live në Gjykatën Kushtetuese për çështje “Velija”, mund të mbajnë rekordin e ndjekjes si nga televizionet dhe përmjet tyre nga qindra mijëra telespektatorë, më shumë se sa për pritjen e rezultatit, për formën e shpalosjes së mendimeve dhe argumenteve të palëve, të institucioneve në një konflikt aspak të lehtë mes tyre.

Pesë gratë dhe tre burrat, në përbërje të Gjykatës Kushtetuese meritojnë të mbahen mend mirë për këtë seancë të parë, të veçantë dhe aspak të lehtë për t’u realizuar për vetë specifikën e saj dhe për palët e rëndësishme dhe sensitivë në pjesëmarrje. Ajo seancë, ditën e fundit të një tetori të gjatë, mund të jetë fillimi i një modeli të një drejtësie të qytetëruar.

Gjyqtarët e kësaj Kushtetuese janë:

Holta Zaçaj

Fiona Papajorgji

Marsida Xhaferllari

Marjana Semini

Sonila Bejtja

Gent Ibrahimi

Sander Beci

Ilir Toska