A do të rikthehen çmimet e naftës dhe të ushqimeve të shportës në nivelet para luftës në Iran? Kjo është dilema që po shqetëson sot çdo konsumator shqiptar që përballet me çmimin e lartë të naftës apo domates në treg. Por sinjalet që vijnë nga ekspertët nuk janë aspak optimiste.
I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa shpjegon se tregu po shkon drejt një stabiliteti, por kjo nuk do të thotë se do të ketë kthim pas, të paktën për çmimin e naftës.
Sipas tij, arsyeja kryesore lidhet me dëmet e mëdha që lufta ka shkaktuar në tregun global të energjisë, duke e bërë rikuperimin shumë të vështirë. Eksperti paralajmëron qartë se një rikthim i çmimeve të naftës në nivelet e mëparshme nuk është në horizont
“Problemi është që kësaj here, kjo luftë përveç se ka dëmtuar një nga nyjet kryesore të ekonomisë dhe tregtisë energjitike botërore, ka shkatërruar mjaftueshëm edhe asete energjitike në atë zonë të cilat do të lënë pasoja afatgjatë në rikthimin e tregut të energjisë. Kjo do të thotë që çmimin e naftës në vlerën e 170 lek/litër duhet ta harrojmë për muaj të tërë” tha ai.
Në analizën e tij, Shqipëria mund të ketë një ndikim disi më të ulët krahasuar me vendet e tjera, por gjithësesi mbetet shumë e ekspozuar për shkak të varësisë nga importi.
“Shqipëria do të ketë një nga impaktet më të vogla negative krahasuar me vendet e tjera, por fatkeqësisht, analizat e JP Morgan (banka më e madhe në botë) thekson se çmimet e karburanteve do mbeten të larta edhe për një vit dhe sepse ne jemi një vend i varur nga importi, kemi deficit tregtar shumë të lartë. Ne importojmë çdo litër nafte të përpunuar dhe jemi pre e çmimit ndërkombëtar.”
Në analizën e tij, Sefa nënvizon se shtresat më të prekura në vendin tonë janë ato më vulnerabël, të cilat e ndjejnë menjëherë çdo rritje çmimi. Ai paralajmëron se efekti real i krizës sapo ka nisur dhe do të përhapet më gjerë në ekonomi
“Ata që goditen më fort janë rreth 700,000 pensionistët që janë në Shqipëri, personat me aftësi ndryshe apo ata jashtë tregut të punës. Këto goditen më fort sepse çdo rritje e kostos së jetesës tek ta ndihet në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk është problemi tek çmimi i karburantit por efekti që kjo rritje do të japë në ekonomi dhe bujqësi, kjo është problemi më i madh. Ne akoma nuk e kemi parë goditjen e plotë të këtij efekti dhe duhet të presim 2-3 muaj të tjerë. Cmimet e produkteve bazë do të rriten më tej, për shkak të rritjes së kostos së inputeve bujqësore dhe transportit të tyre. Çdo produkt bujqësor do të jetë më i shtrenjtë.”
Një tjetër faktor që rëndon situatën është edhe goditja nga përmbytjet e janarit, që kanë ulur prodhimin vendas dhe kanë çuar në rritjen e çmimeve në një moment kyç.
“Ajo që do e bëjë më të vështirë situatën është fakti që para dy muajsh ne patëm përmbytje që dëmtuan qindra hektarë duke çuar dëm të gjithë prodhimin. Dy muaj më pas patëm këtë problem ndërkombëtar. Janë dy goditje të njëpasnjëshme dhe efektet ndihen tani kur prodhimi vendas duhej të ishte më i shumtë dhe të funksiononte si jastëk kundër çmimeve të importit”
Në fund, ai u ndal edhe te roli i shtetit në këtë krizë, duke kërkuar që të ardhurat shtesë të mos mbeten në arkë. Sefa argumentoi se qeveria ka mbledhur 25 milionë euro më shumë vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti ndërsa të ardhurat shtesë në tremujorin e dytë do të jenë më të larta. Këto para sipas tij, duhen kthyer tek konsumatori sidomos tek pensionistët.
“Përfituesi më i madh i krizës është shteti. Çdo 20 lek që shteti fiton më tepër duhet t’ia rikthejë qytetarëve apo grupeve në nevojë, ose si bonus, ose si rritje pensionesh ose në ulje çmimi aty ku mund të ndikosh. Pensionistët konsumojnë mallrat e shportës dhe barnat. Të dyja këto ndikohen nga rritja e çmimit të naftës. Duhet patjetër që përveç bonusit mujor qeveria duhet të bëjë një shpërndarje tjetër që ta rikthejë çdo të ardhur shtesë tek pensionistët’ tha ai.
Komente








