TIRANË- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka saktësuar sot se ekstradimi për Albert Veliun, i njohur ndryshe si Babalja, do të bëhet konform rregullave dhe ligjeve të Kosovës.
Në një bashkëbisedim në forumin e UET, Haradinaj ka thënë se vendimin për ekstradimin e Albert Veliut, duhet t’a aprovojë një ministri i Drejtësisë.
Tek ne në Kosovë pushtetet janë të ndara. Pra është shumë e vështirë për mua që t’u them sot a i është drejtuar ai institucioneve të Kosovës. Politika informohet vetëm kur një gjykatë ka marrë një vendim për ekstradim dhe atë vendim duhet që ta aprovojë një ministër. Kur vjen aprovimi i ekstradimit nga gjykata tek ministri i drejtësisë atëherë hyn politika. Deri atëherë është rast ligjor dhe nuk ndërhyn dot ekzekutivi.
Rasti i shtetasve turq të deportuar nga Kosova ka qenë një mësim i marrë me pasojat e veta kuptohet, por ajo ka ndikuar që të respektohen mjaftueshëm krejt baza ligjore për procedurën në fjalë, pra kërkesa për azil për strehim ose për mbrojtje.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës
Albert Veliu, i njohur ndryshe si Babalja, po qëndron prej muajsh në Kosovë ku ka aplikuar edhe për azil. Shteti shqiptar ka dërguar në Kosovë dosjen ku kërkohet ekstradimi i tij pak ditë më parë.