KOSOVË - Kabineti qeveritar i propozuar sot nga Albin Kurti në Kuvend nuk mori dot 61 votat e nevojshme për t'u miratuar. 56 deputetë votuan pro kabinetit të ri, ndërsa 52 kundër dhe 4 abstenime. Përveç deputetëve të LVV-së, Kurti i mori 8 votat e tjera nga komunitetet e tjera jo serbe në parlament. Deputetët që abstenuan ishin: Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku dhe Veton Berisha.
“Konstatoj se me vota 56 vota pro dhe 52 kundër dhe 4 abstenime kuvendi nuk e zgjodhi qeverinë e republikës së Kosovës. Iu njoftoj se përgjegjësia kalon te presidentja Osmani, e cila pas konsultimeve ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër”, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Tashmë lëvizja e radhës i takon presidentes Vjosa Osmani, e cila brenda 10 ditësh duhet të ftojë partitë për konsultime për të zgjedhur mandatarin e ri, që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse edhe përpjekja e radhës dështon, atëherë Osmani do të duhet të shpallë zgjedhje të reja që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Kreu i LVV-së Albin Kurti, si mandatari i parë pasi partia e tij doli forcë e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, e paralajmëroi dështimin e formimit të qeverisë që në nisje të seancës kur mori fjalën, teksa tha se asnjë parti nuk kishte pranuar një marrëveshje për të bashkëqeverisur.
“Asnjë nga partitë parlamentare që u bëmë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Sot do të kishim mundësi që t’i jepnim vendit edhe qeverinë e koalicionit, por do të kishim edhe numrat për sfidën e zgjedhjes së presidentit. Sidoqoftë si pasojë e mosgatishmërisë që të marrin përgjegjësinë që ua ka deleguar qytetari me votë, sot ndodhemi para një situate ku qeveria propozohet si votim. Pa votimin e qeverisë së re, republika rrezikon të shkojë zgjedhje të reja.”, tha Kurti në Kuvend.
Kundërshtarët e Albin Kurtit nuk u kursyen ta sulmojnë brenda e jashtë sallës së kuvendit.
“Ishte një lloj shfajësimi për gjendjen që është vendi, problemet që ka vendi. Ka mundur me u shfajësuar edhe pak më shumë, me shpjeguar pak se pse jemi në sanksione, pse na është ndaluar dialogu strategjik. Kjo listë ka mundur me qenë e gjatë”, tha kreu i AAK, Ramush Haradinaj.
"Nuk ka numra, nuk është fundi i botës, për 8 muaj kanë mbajtur Kosovën të bllokuar me një qeveri që se kanë me numra. LDK nuk do bëjë debat, s’do dëgjojë asnjë debat, na keni thënë numrat i kemi, mateni veten me numra demokratik”, tha kreu i LDK, Lumir Abdixhiku.
Forca e dytë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit është PDK-ja e Memli Krasniqit, por ky i fundit, në një prononcim për mediat pas mbylljes së seancës, la të kuptohet se nuk do të marrë mandatarin e ri për të formuar qeverinë e re pasi as ai nuk e ka shumicën dhe se duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Në këto kushte, zgjidhja e vetme duket se janë zgjedhjet e parakohshme. Por, deri atëherë qeveria në detyrë do të kryejë detyrën e saj.

Kryeministri në detyrë i Kosvës ka reaguar pasi ditën e sotme ka dështuar që të formojë qeverinë, pasi nuk siguroi shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti falenderon të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar.
Ndërsa më tej shkruan se vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, duke nënkuptuar se në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“Falenderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkruan Kurti.
Ndërsa më pas, ka postuar fjalën e tij të plotë që mbajti ditën e sotme dhatë seancës në Kuvendin e Kosovës.
Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë partitë politike për konsultime “gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”.
Kështu tha në një përgjigje për Gazetën Express Bekim Kupina, këshilltar për Media në zyrën e presidentes Osmani.
“Presidentja Osmani do t'i ftoj partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, tha Kupina.
Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.
Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata s’kishin numra për këtë post, por kishin votat e nevojshme për Qeveri të re.
“U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e re”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Kreu i PDK, Memli Krasniqi ka folu pas seancës në Kuvendin e Kosovës, ku Albin Kurti dështoi të formojë qeverinë e re. Krasniqi tha për mediat se as ai nuk e ka shumicën dhe se kur ta thërrasë presidentja Vjosa Osmani për ta mandatuar për të formuar qeverinë e re, do t’i thotë se nuk e ka shumicën dhe se duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Krasniqi tha se as ai nuk formon dot qeverinë, e as Kurti dhe kështu duhet të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja. Ndërsa, Kurtin e quajti arrogant duke theksuar se në këtë situatë ndodhen për shkak se ai ka refuzuar të bashkëpunojë.
“Sot u them përsëri dhe kam deklaruar nëse na fton presidentja nesër do na thotë a keni shumicë, jo do i them dhe s’do tentojmë të bëjmë shumicë të re. Kurti s’ka shumicë, por edhe ne partitë e tjera nuk jemi shumicë që duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme sa më parë. Pas zgjedhjeve të ardhme unë pres që do jetë rezultat tjetër, sidomos pas suksesit në zgjedhjet lokale, qytetarët e kanë të qartë. Sot vota jonë s’ka qenë kundër 400 mijë qytetarëve që kanë votuar Kurtin, por kundër thyerjes së besimit që Kurti i ka bërë besimit të tyre. Kjo flet për Kurtin, njeriun që shqiptarët e Kosovës ja kanë dhënë besimin me 48 deputetë dhe arroganca e tij për të bashkëpunuar e ka sjellë në këtë situatë”, tha Krasniqi.

Kreu i LVV, Albin Kurti nuk e formoi dot qeverinë e re. Në seancën në Kuvendin e Kosovës, Kurti nuk i mori 61 votat e nevojshme, ndërsa tashmë brenda 10 ditësh presidentja Vjosa Osmani do të thërrasë partitë e tjera për t'i mandatuar për formimi e qeverisë së re.
Në seancën që u mbajt në Kuvendin e Kosovës, 56 deputetë votuan pro formimit të qeverisë "Kurti 3", 52 kundër dhe 4 abstenuan.
Kreu i PDK, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim formimi i qeverisë së re, hodhi akuza ndaj Albin Kurtit se ka bllokuar vendin prej 8 muajsh nga sjelljet arbitrare. Krasniqi tha se ka ardhur koha që Kurti të dëshmojë se i ka numrat dhe të hedhë qeverinë e re në votim.
“Kanë kaluar mbi 8 muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrare të partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve, kemi qenë dëshmitarë të një fjalamania kemi apo s’kemi vota. Ne si PDK koha e fjalëve ka marrë fund, koha është që të verifikoni atë që keni dhënë që keni arritur shumicën e re parlamentare. Ka mbi 8 muaj duke thënë se konstituimi i kuvendit është përgjegjësi e deputetëve ndërsa themelimi i qeverise është përgjegjësi e jotja, tani u bëj ftesë ta dëshmoni këtë përgjegjësi duke e hedhur në votim qeverinë e re”, tha Krasniqi.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin se ka qenë ai që e ka “ushqyer” luftën hibride për të cilën foli më herët teksa prezantoi kabinetin e ri qeveritar që pritet të votohet sot.
“Më habiti pak arsyeja e pse e çoi luftën hibride. Pas kaq vitesh në këtë foltore, për mendimin tim i nderuar ti jep produkt i luftës hibride të armiqve tanë. Ti e ke ushqyer, ke punuar sistematikisht me diskretituar çdo vlerë të këtij vendi. E vërtetë që lufta hibride e han atë që ka ushqyer atë luftë, por tani të ka ardhur radha besoj edhe ty.”, tha Haradinaj.
Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku tha në seancën për formimin e qeverisë se re se në qeverinë e Kosovës janë në detyrë disa uzurpator që kanë mbajtur Kosovën të bllokuar prej 8 muajsh.
“Mandatari e pranon që s’ka shumicë. Nga këtu rrjedh edhe shumica bazike e seancës, këtu s’po votojmë ligj, por këtu do duhej të lindte thelbi i demokracisë, mazhoranca demokratike. Në këtë mungesë njohje bazike të arsyes së përse jemi mbledh sot dëgjuam në vend të ekspozesë për atë që duhej të ishte qeveria e ardhshme, një përmbledhje pune që e kemi krye në legjislaturën e kaluar. Tani së paku duhej të kishim minimalisht dinjitet. Mungesa e këtij dinjiteti ka sjellë në shkelje të paimagjinueshme plot 48 herë të kushtetutës së Kosovës, ka sjellë situatën në të cilën një deputet është edhe kryeministër, është ministër, përkundër veprimit të Gjykatës Supreme, ne kemi uzurpator në detyrë në qeverinë e republikës së Kosovës. Nuk ka numra, nuk është fundi i botës, për 8 muaj kanë mbajtur Kosovën të bllokuar me një qeveri që se kanë me numra. LDK nuk do bëjë debat, s’do dëgjojë asnjë debat, na keni thënë numrat i kemi, mateni veten me numra demokratik”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku kërkoi votat për formimin e qeverisë së re, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se janë përballur me dy sulme terroriste të dirigjuara nga Serbia. Kurti kujtoi sulmin në Banjskë ku u vra efektivi Afrim Bunjaku, si edhe sulmi në Ibër. Kurti tha se kryekrimineli Milan Radoicic është shpallur në kërkim dhe se ndaj tij dhe 44 shokëve terroristë është ngritur një aktakuzë prej 160 faqesh.
“Serbia solli ushtrinë në kufi me Kosovën, patëm dy sulme terroriste në Basnjskë më shtator 2024 që la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku si edhe në infrastrukturën kritike në Ibër, të Zubin Potokut në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Kishim edhe barrikadat, bojkotim e institucioneve, sulmet ndaj KFOR, policisë së Kosovës dhe gazetarëve nga strukturat kriminale të lidhura me Beogradin zyrtar. Strukturat ilegale janë mbyllur, dokumentet ilegale janë zëvendësuar me ato të Republikës, dinari është zëvendësuar me euron, siguria është rritur dhe kryekrimineli Radoiçiç është në arrati i kërkuar me një aktakuzë prej 160 faqe për të dhe 44 shokët e tij terroristë. Kosova sot është me e sigurt se kurrë më parë, këto sfida që i patëm i përballuam me sukses, sfidat i kemi kthyer në mundësi për progres”, tha Kurti.
Kurti tha se ai planifikon të shpenzojë 1 milard euro në mbrojtje gjatë mandatit të tij të ardhshëm, pasi që “bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasigurt që nga fundi i luftës së dytë botërore”.
Albin Kurti prezantoi përbërjen e re të kabinetit të ri qeveritar, por pritet të shihet nëse do të marrë votat e nevojshme për miratim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha në Kuvend teksa po kërkon votën për formimin e qeverisë së re tha se aleanca me BE, SHBA dhe NATO-n nuk do të lëkundet pavarësisht se faktori ndërkombëtar e ka ndëshkuar atë për veprimet e ndërmarra.
“Kosova është rreshtuar në hartën gjeopolitike, në anën e paqes, drejtësisë dhe aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me SHBA, BE dhe Mbretërinë e bashkuar e me NATO s’do të lëkundet se nuk është thjesht strategji por vlerë. Nuk jemi pjesë e kontinentit evropian por pjesë e vlerave të tij. Nuk kemi rrugë tjetër përveçse të gjejmë rrugën e bashkëpunimit për interesave vitale”, tha Kurti.
Së fundmi ishte SHBA ajo e cila pezulloi dialogun strategjik me Kosovën duke drejtuar gishtin drejt qeverisë së Kurtit.
Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kërkoi votën nga të gjithë deputetët për formimin e qeverisë së re. Kurti tha se deputetët sot duhet të votojnë jo thjesht për interes partiak, por për interes publik e shtetëror, pasi kriza politike ka ndikuar në mbarëvajtjen e shumë institucioneve. Ai ka përmendur se rrezikohet humbja e shumë miliona eurove nga mungesa e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë para, në mungesë të një kuvendi funksional, janë edhe 22 institucione dhe agjenci që kanë mbetur pa mbikëqyrje institucionale, kjo ka krijuar rrezik në zbatimin e politikave publike, çdo ditë pa qeveri është një ditë humbje për zhvillimin, qytetarin dhe për shtetin. Përderisa nuk votohet qeveria e re kjo nënkupton zgjatjen e mandatit të qeverisë në detyrë. Qeveri do të ketë vetëm se deputetët e kanë të pamundur të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë. Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet edhe pse kemi pasur ofertë për partitë e tjera për bashkëqeverisje. Ftoj deputetë e kuvendit që sot të votojnë jo për interesa partiake, por për interesin publik që ti; japim vendit qeverinë e re dhe t’i mundësojmë institucioneve vijimësi duke votuar buxhetin. Me të marrë besimin tuaj, 5 vendimet e para që do marrim si qeveri do jenë miratimi i buxhetit për 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë 150 euro që prek 250 mijë pensionistë(...) Janë edhe një sërë marrëveshjes ndërkombëtare që janë në pritje, përfshirë planin e rritjes që do jetë prioritet i yni që t’i sjellim sa më parë në Kuvend. Kemi ndërtuar themelin e një Kosove më të drejtë, kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon, sfidën e inflacionit kemi arritur ta menaxhojmë me politika mbështetëse dhe jemi vendi me shkalën më të ulët të inflacionit më të ulët në rajon në këto 4 vite, pas Shqipërisë”, tha Kurti.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se nuk do të ketë formim të qeverisë "Kurti 3". Sipas tij, e vetmja zgjidhje janë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Po shihet që epilogu i ditës sotme do të jetë dështim. Zgjidhja e vetme me sa kuptojë mbetën zgjedhjet sepse nuk ka ndonjë ofertë”, tha Haradinaj nga holli i Kuvendit.
Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj tha se qëndrimet i kanë publike dhe ato nuk kanë ndryshuar duke lënë të nënkuptohet se nuk do ta votojë qeverinë Kurti 3. Ai gjithashtu shtoi se nuk është kontaktuar orët e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Qëndrimet i kemi publike, jo nuk na kanë kontaktuar”, deklaroi shkurt Limaj.
Komente










Si ashte a jo shpreje 2 shqiptare nuk bin nje fjal. Turp tju vi
Përgjigju