Ish-kandidatja për deputete e PD-së, Ilirjana Kuçana, ka zbuluar se nuk ka ambicie për të garuar për kryetare të Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme të 23 majit.

Komentet Kuçana i bëri për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, ku tha se në PD sot është fatkeqësi që nuk ka asnjë figurë që të konkurrojë liderin aktual Sali Berisha.

“Do isha hipokrite nëse do të thoja që nuk kam ambicie politike. Unë nuk kam ambicie për të qenë aty ku unë nuk e mbaj dot. Sepse njeriu duhet t'i ngjisë shkallët një nga një. Edhe nëse nuk do ishte Berisha në garë, unë nuk kam ambicie për të garuar për kryetare partie. Nga ana tjetër ju e dini se unë jam një mbështetëse e Berishës dhe arsyet i kam thënë dhe rithënë disa herë. Nuk ka sot një figurë që t’i përafrohet sot Berishës në opozitë. Ata që i kanë qëndruar prej kohësh në krah Berishës, nuk kanë mundur të marrin asgjë prej tij. Lider duhet të bëhesh vetë. Sot pra me keqardhje e them se opozita nuk ka një lider, që jo ta konkurrojë Berishën, por as t'i afrohet atij”, tha mes të tjerash Kuçana.

Kuçana hodhi akuza edhe ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilën e cilësoi si të lidhur me krimin e organizuar.

Sipas Kuçanës, në zgjedhjet e 11 majit, grupet kriminale dolën në fushatë për të bërë vota për Partinë Socialiste.

Ajo foli edhe për skandalin e zbuluar në zyrat e AKSHI-t, ku teksa e cilësoi atë si një zyrë Netflixi, tha se kordinatorët e krimit emëronin drejtora e ministra.

“Unë kam denoncuar bandat kriminale dhe SPAK ka nisur hetimet 2 muaj me vonesë. Si mund të bëj unë fushatë përballë bandave kriminale të Shijakut? Bandat kriminale kanë arritur të kërcënojnë edhe kandidatë për deputetë në qarkun e Durrësit. Rubio në ditën e Pavarësisë kur ka uruar shqiptarët ka thënë që ‘ne distancohemi nga korrupsioni dhe bandat krimianle’. Kordinatorët e krimit që emërojnë drejtoresha dhe vendosin ministra. Kordinatorët e krimit ku shkojnë drejtuesit e Policisë me uniformë në zyrat e tyre. Të lutem tani, ajo është bërë si zyrë netflixi. Që vetë krimi të çojë përfaqësuesit e vet në Parlament dhe në qeveri, si këtë herë nuk kisha parë”, shtoi Kuçana.