Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vazhdon në mbarë vendin, teksa forcat e IKMT-së kanë zbritur në terren për të shembur strukturat zaptuese.
Pamjet e publikuara të mërkurën nga kryeministri Edi Rama tregojnë ndërhyrjen e eskavatorëve për heqjen e ndërtimeve prej betoni dhe hekuri në zonën e Shirokës në Shkodër.
Gjatë ndërhyrjes u prishën dy objekte të ndërtuara pa leje, në kundërshtim me ligjin.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në gjithë vendin, me synim rikthimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit.. Në terren janë edhe forca policie për të garantuar sigurinë gjatë operacionit teksa kryeministri zotohet se puna do të vijojë deri në fund.
Ndërkohë, një pjesë e madhe e rasteve denoncohen nga vetë qytetarët në platformën “Hapësira ime publike”. Deri tani janë raportuar 19 728 raste, ku 15 179 janë zgjidhur dhe 4 549 të tjera janë ende në shqyrtim.
Komente










