Në Kosovë deputetët u mblodhën për zhvillimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani të një dite më parë. Konstituimi i Kuvendit të Kosovës u realizua me sukses.
Albulena Haxhiu, e cila ishte propozimi i LVV-së për kryetare të Kuvendit, ja ka arritur të marrë votëbesimin e 66 deputetëve dhe të zgjidhet në këtë post.
Po ashtu votëbesimin e deputetëve e morën edhe emrat e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit. Ndërkohë ditën e sotme në Kuvend mori votëbesimin edhe qeveria e re e Kosovës, me Albin Kurtin kryeministër.
Gjatë fjalës së tij Kurti prezantoi kabinetin qeveritar dhe programin qeverisës. Gjithashtu Kurti foli edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Kurtit është e padrejtë dhe e papranueshme që të barazohen ish-krerët e UÇK-së me regjimin e Millosheviçit.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Më lejoni që t’ju përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 10-të. Këto ditë po zhvillohen seancat e fundit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kërkesa për 45 vite burgim për secalin, ku përfshihen pretendimet për krime kundër njerëzimit, është orvatie që bie ndesh me të vërtetën. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit dhe ato i ka kryer regjimi i Millosheviçit. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi genocidal është i papranueshëm”, tha mes të tjerash Kurti.
Pas votëbesimit të qeverisë, Kurti është betuar si kryeministër i ri i Kosovës.
"Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës", ishte teksti i betimit që Kurti lexoi.
Ndërkohë Haxhiu gjatë fjalës së saj premtoi se do të shërbente me përkushtim dhe ndershmëri në detyrën e Kryetares së Kuvendit.
Haxhiu gjithashtu e cilësoi luftën e UÇK-së të drejtë, teksa shtoi se kriminelët e vërtetë që Haga duhet të dënojë, janë kriminelët serbë, që sipas saj, kurrë nuk u përballë me drejtësinë.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh republikës. Do të sigurohem që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu. Sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët, që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia dhe kriminelët nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi. Kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë te familjet e tyre”, tha mes të tjerash Haxhiu.
Presidentja Osmani e kishte thirrur seancën në orën 12:00, por u shty për shkak të procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Vendimi i presidentes erdhi një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20% apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, apo gjashtë ulëse.
Nga vendet e rezervuara për minoritetin serb, nëntë vende i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një vend Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përshëndetur votëbesimin në Parlament të qeverisë së re të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Kos ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe është shprehur se pret me padurim për të vizituar Kosovën.
Kos tha gjithashtu se fokusi i Kosovës tani duhet të jetë në avancimin e reformave të BE-së dhe marrjen e përfitimeve të Planit të Rritjes në Kosovë.
“Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti”, ka shkruar Marta Kos.
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka uruar qeverinë e re të Kosovës.
"Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X-të dhe Qeverisë së re! Urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv.Kryeministrin e parë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës.
Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët europian. Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës, me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike. Suksese në këtë kapitull të ri, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.", shjkruan Spiropali.
Albin Kurti është betuar si kryeministër i ri i Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Kurti premtoi se do të zbatojë ligjin, do të respektojë Kushtetutën dhe do të punojë për përparimin e Kosovës.
“Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen e dhënë. Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, tha Kurti në Kuvend.
Po ashtu janë betuar edhe ministrat e qeverisë së re të Kosovës, përmes nënshkrimit të një deklarate.
Është votëbesuar qeveria e re e Kosovës me Albin Kurtin kryeministër. Qeveria 'Kurti 3' mori 66 vota pro, 49 kundër dhe 0 abstenim.
Prej rreth një viti Kosova ishte futur në një ngërç politik, pasi zgjedhjet e mëparshme nuk arritën të prodhonin një shumicë qeverisëse dhe LVV nuk arriti të formonte një koalicion që do ta mundësonte këtë.
Ishin zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ato që i dhanë mundësinë Albin Kurtit që të merrte më shumë mandate (57) dhe ta kishte më të lehtë formimin e qeverisë së re.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është shprehur se i kanë paraqitur Kuvendit të Kosovës një Rezolutë ku kërkohet gjykim i drejtë për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Hamza tha se të gjitha subjektet politike në Kosovë, pavarësisht ndasive, kanë detyrimin që të mbështesin themeluesit e UÇK-së, që sipas tij janë edhe themeluesit e shtetit të Kosovës.
“Dua ta përmbyll fjalimin me një shqetësim lidhur me procesin gjyqësor në Hagë. Raporti i shtetit tonë me themeluesit e UÇK-së, që njëherësh janë edhe themelues të shtetit, me procesin që po zhvillohet kundër tyre në Hagë, kërkon qasje më dinjitoze dhe të matur. Prandaj, pavarësisht dallimeve politike, dinjiteti institucional dhe mbështetja e drejtë për ta, janë detyrim i përbashkët i yni.
Në seancën e parë të Kuvendit do të procedojmë votimin e Rezolutës së hartuar nga ekspertë të pavarur, Rezolutë që i është dorëzuar Kuvendit, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional, në përmbushje të standardeve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut”, tha mes të tjerash Hamza.
Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës kabinetin e ri qeveritar, teksa pritet edhe votimi i qeverisë së re në Parlament.
Kabineti i ri i propozuar nga Albin Kurti për qeverinë 'Kurti 3':
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka
Ministër i Financave – Hekuran Murati
Ministër për Familje – Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla
Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulzon Jaxhiu
Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia
Ministër i Arsimit – Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës – Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit – Blerim Gashani
Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë – Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha
Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomiksë – Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri
Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë fjalës së tij, Kurti vendosi një theks të veçantë te Reforma në Drejtësi, e cila sipas tij po bëhet realitet.
Kurti tha gjithashtu se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vijojë pa frikë. Sipas Kurtit, me drejtësinë e re në Kosovë nuk do të ketë më frikë e favore.
“Këto gati 5 vitet e fundit, nga të cilat 1 vit pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar një Kosovë më të fortë e më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon, përkundër sfidave globale, me një rritje prej 6 %. Vjet PBB ka arritur në 11 miliardë euro, nga 7 miliardë euro kur erdhëm në pushtet. Ndërkohë projektojmë që sivjet PBB të arrijë në 12 miliardë euro.
Kemi forcuar policinë dhe mbrojtjen e ligjit, ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit. Investuam në forcimin e ushtrisë dhe në luftën kundër kriminalitetit. Reforma në drejtësi në këtë mandat do të hyjë në fazën vendimtare. Do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë e pa favore. Reforma në Drejtësi ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore duhet të ecë para bashkë me vettingun. Do themelohet Prokuroria e re e specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha mes të tjerash Kurti.
Në Kosovë po mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, pasi Presidentja Vjosa Osmani mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti foli edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kurti tha se është e papranueshme që të barazohen drejtuesit e UÇK-së me regjimin e Millosheviçit.
Më pas Kurti ka vijuar me prezantimin e programit të tij qeverisës për Kosovën, për 4 vitet e ardhshme.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Më lejoni që t’ju përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 10-të. Këto ditë po zhvillohen seancat e fundit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kërkesa për 45 vite burgim për secalin, ku përfshihen pretendimet për krime kundër njerëzimit, është orvatie që bie ndesh me të vërtetën. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit dhe ato i ka kryer regjimi i Millosheviçit. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi genocidal është i papranueshëm”, tha mes të tjerash Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar kreun e LVV-së, Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i ka uruar Kurtit suksese në punën e tij në shërbim të qytetarëve të kosovës.
“Ju priftë e mbara!”, shkroi presidentja në postimin e saj në Facebook.
Sot, pas konsituimit të Kuvendit të Kosovës, pritet të mbahet edhe seanca për votë-besimin e qeverisë së re.
Deputetja Arbërie Nagavci, njofton se në cilësinë e kryesueses së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, i ka dorëzuar Presidentes Vjosa Osmani, propozimin për caktimin e Albin Kurtit si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re”, ka shkruar Nagavci në një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe letrën që i është dërguar Osmanit.

Letra e LVV drejtuar Presidentes Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kostituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka uruar kryetaren e re të Parlamentit, Albulena Haxhiun dhe nënkryetarët për zgjedhjen e tyre në postet përkatëse.
Po ashtu Osmani ka uruar që kjo legjislaturë të dallohet ‘për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës‘.
Postimi i Osmanit:
Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.
Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.
Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.
Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!
Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj
Presidenti Begaj ka përshëndetur konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Punime të mbara Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën X! Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit! Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik!” shkroi Begaj në rrjetet sociale

Postimi i Presidentit Begaj në Facebook

Për nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar 104 deputetë pro, 3 deputetë kundër dhe 6 deputetë kanë abstenuar.
Kështu, Kuvendi konsiderohet i konstituuar, pasi zgjodhi 5 nënkryetarët, që janë deputetët Ardjan Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllav Kosimiç dhe Emilja Rexhapin.
Po ashtu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, lajmëroi se ditën e sotme do të mbahet edhe seanca në Parlament për votëbesimin e qeverisë së re.
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu premtoi se do u shërbejë me përkushtim qytetarëve të Kosovës.
Ajo tha gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri e pavarësi. Haxhiu kërkoi që Haga të kthejë në shtëpitë e tyre ish-krerët e UÇK-së që po përballen sipas saj, me akuza të rreme.
Sipas Haxhiut, kriminelët e vërtetë të luftës ishin nga Serbia, por ajo shtoi se ata nuk morën kurrë dënimet përkatëse.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh republikës. Do të sigurohem që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu. Sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët, që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia dhe kriminelët nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi. Kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë te familjet e tyre”, tha mes të tjerash Haxhiu.
Janë betuar në Kuvendin e Kosovës 118 prej deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndërkohë 2 deputetë që nuk ishin prezentë në sallë, do të betohen në mbledhjen e radhës së Kuvendit.
"Do të punoj në interes të Kosovës. Do të angazhozhem për mbrojtjen dhe respektimin e kushtetuetshmerisë, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisës territoriale. Betohem", ishte teksti i betimit që lexoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Sipas numrit të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 dhe Lista Serbe 9. Ndëkohë deputetë kanë edhe subjektet e tjera më të vogla politike.
Është miratuar raporti i Komisionit të Përkohshëm të Kuvendit të Kosovës, për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
Kryesuesi i Komisionit për verifikimin e mandateve, Adnan Rrustemi, pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, rekomandoi që seanca të vazhdojë punimet sipas agjendës së parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca konstituive janë të pranishëm 118 deputetë.
Ndërkohë është formuar komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Ky komision u formua pasi disa subjekte politike propozuan nga një deputet, për të qenë pjesë përbërëse e këtij instrumenti të krijuar për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Deputeti i zgjedhur i Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, deklaroi se i takon partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, të sigurojë votat për formimin e institucioneve.
Ai tha se nuk duhet të përsëriten bllokadat si vitin e kaluar dhe se përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon fituesit të zgjedhjeve.
Kur y pyet nëse LDK do ta votojë Albulena Haxhiun si kryetare të kuvendit, Zemaj paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat pa një marrëveshje politike mes partive.
“Ju e dini se ne asnjëherë vendimet tona s’i kemi lidhur me emra të përveçëm. Por krejt çka kemi thënë ka qenë se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat. Ne do të marrim pjesë në votim. Janë tri forma të votimit: për, kundër dhe abstenim. Kjo është një strategji fatkeqësisht e ndërrimit të pozicioneve nga ana e LVV-së e cila në pjesën përmbajtësore të Kuvendit dhe plotësimit të Kushtetutës nuk do të duhej të ishte pjesë e debateve politike ku e lëndon shtetndërtimin e Kosovës. Pako është pjesë e konsensusit politik që është bërë në parapërgatitjen e partive politike dhe strukturës së kaluar të kryesisë. Besoj e shpresoj që gjithçka do të jetë konform vendimeve të deputetëve dhe grupeve parlamentare”, ka thënë ai.
Avni Dehari është deputeti që po drejton seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo pasi Dehari është deputeti më i vjetër në sallë. Dehari u ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë deputetëve të zgjedhur në 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës është prezent edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili u paraqit pak më herët.

Albin Kurti pritet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje si kandidati për kryeministër i Kosovës, ndërsa Albulena Haxhiu pritet të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.
Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet të kandidojë për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Emri i saj ka qarkulluar në disa media, ndërsa u përmend më herët edhe nga kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç.
“Sa di unë, Haxhiu do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit”, u tha ai gazetarëve para fillimit të seancës konstituive.
Rashiq, po ashtu, paralajmëroi se ai vetë mund të jetë sërish ministër për Komunitete dhe Kthim.
Komente










