Në Kosovë deputetët janë mbledhur për zhvillimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani të një dite më parë.
Mediat e Kosovës kanë mësuar se Lëvizja Vetëvendosje, si paria më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të propozojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës dhe Albulena Haxhiun si kryetare Parlamenti.
Rendi i ditës, sipas rregullores, përmban katër pika. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Rendi i ditës:
1.Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Presidentja Osmani e kishte thirrur seancën në orën 12:00, por u shty për shkak të procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Vendimi i presidentes vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20% apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, apo gjashtë ulëse.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Lajmi në përditësim...
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro.
Janë betuar në Kuvendin e Kosovës 118 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Betimin e lexoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari
"Do të punoj në interes të Kosovës. Do të angazhozhem për mbrojtjen dhe respektimin e kushtetuetshmerisë, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisës territoriale. Betohem."
Sipas përbërjes së mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 dhe Lista Serbe 9.
Është miratuar raporti i Komisionit të Përkohshëm të Kuvendit të Kosovës, për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca konstituive janë të pranishëm 118 deputetë.
Ndërkohë është formuar komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Ky komision u formua pasi të gjitha subjektet politike propozuan nga një deputet, për të qenë pjesë përbërëse e këtij instrumenti të krijuar për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.

Armend Zemaj
Deputeti i zgjedhur i Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, deklaroi se i takon partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, të sigurojë votat për formimin e institucioneve.
Ai tha se nuk duhet të përsëriten bllokadat si vitin e kaluar dhe se përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon fituesit të zgjedhjeve.
Kur y pyet nëse LDK do ta votojë Albulena Haxhiun si kryetare të kuvendit, Zemaj paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat pa një marrëveshje politike mes partive.
“Ju e dini se ne asnjëherë vendimet tona s’i kemi lidhur me emra të përveçëm. Por krejt çka kemi thënë ka qenë se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat. Ne do të marrim pjesë në votim. Janë tri forma të votimit: për, kundër dhe abstenim. Kjo është një strategji fatkeqësisht e ndërrimit të pozicioneve nga ana e LVV-së e cila në pjesën përmbajtësore të Kuvendit dhe plotësimit të Kushtetutës nuk do të duhej të ishte pjesë e debateve politike ku e lëndon shtetndërtimin e Kosovës. Pako është pjesë e konsensusit politik që është bërë në parapërgatitjen e partive politike dhe strukturës së kaluar të kryesisë. Besoj e shpresoj që gjithçka do të jetë konform vendimeve të deputetëve dhe grupeve parlamentare”, ka thënë ai.
Avni Dehari është deputeti që po drejton seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo pasi Dehari është deputeti më i vjetër në sallë. Dehari u ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë deputetëve të zgjedhur në 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës është prezent edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili u paraqit pak më herët.
Albin Kurti pritet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje si kandidati për kryeministër i Kosovës, ndërsa Albulena Haxhiu pritet të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit
Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet të kandidojë për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Emri i saj ka qarkulluar në disa media, ndërsa u përmend më herët edhe nga kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç.
“Sa di unë, Haxhiu do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit”, u tha ai gazetarëve para fillimit të seancës konstituive.
Rashiq, po ashtu, paralajmëroi se ai vetë mund të jetë sërish ministër për Komunitete dhe Kthim.
Komente







