TIRANE - Kur kanë kaluar katër ditë nga tërheqja e Adriatik Llallës nga e drejta për të qenë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, pikëpyetje mbeten nëse Vettingu i nisur ndaj tij do ndërpritet apo jo. Report Tv i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për fatin e Vettingut të Llallës dhe përgjigja e organeve të Vettingut ekskluzivisht për gazetarin Arsen Rusta ishte se njësoj si në rastin e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, KPK do mblidhet për të marrë një vendim dhe do ta bëjë atë publik. 

"Në lidhje me subjektin tjetër të rivlerësimit, Z. Adriatik Llalla, bazuar në nenin 14 të Ligjit 84/2016, trupa e Komisionerëve do të mblidhet për të marrë një vendim. ​Referuar pyetjes së dytë, ju informojmë se dorëheqja është një e drejtë ekskluzive e subjektit të rivlerësimit, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që trupa gjykuese e Komisionerëve mblidhet për të vendosur në lidhje me subjektet", thuhet në përgjigjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta. 

Pyetjet e gazetarit Arsen Rusta:
1.Çfare ndodh me procesin e verifikimit te dy subjekteve qe jane pjese e listes se publikuar nga ju me 1/12/2017 (http://kpk.al/2017/12/12/njoftim/) te dorehequara pas nisjes se verifikimeve?

-- Perfshi zotin Besnik Imeraj gjyqtar kushtetues

-- Adriatik Llalla ish kryeprokuror me status gjyqtar apeli

 

 

 

2.Ne rast se subjektet perfshi gjyqtar, prokuror, ndihmes ligjore qe jane ne proces verifikimi dorehiqein cfare ndodh me ta?

 

3.Per subjektet e ligjit te verifikimit qe jane dorehequr sipas afatit ta parapercaktuar ne kushtetute, a eshte kryer ndonjeverifikim apo procedure, Nese po cfare dhe Nese jo, quhen te perjasthuar nga sistemi i drejtesise me vullnetin e tyre?

Përgjigjja e KPK për gazetarin Rusta:

"I nderuar Z. Rusta,

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në përgjigje të pyetjeve të ngritura, ju informon se për subjektin Besnik Imeraj trupa e Komisionerëve ka marrë vendim për ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit dhe kjo është bërë publike përmes një njoftimi më datë 12.02.2018 në faqen zyrtare të institucionit.

Në lidhje me subjektin tjetër të rivlerësimit, Z. Adriatik Llalla, bazuar në nenin 14 të Ligjit 84/2016, trupa e Komisionerëve do të mblidhet për të marrë një vendim. Referuar pyetjes së dytë, ju informojmë se dorëheqja është një e drejtë ekskluzive e subjektit të rivlerësimit, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që trupa gjykuese e Komisionerëve mblidhet për të vendosur në lidhje me subjektet.

Në lidhje me pyetjen e tretë, nuk janë kryer procedura apo verifikime, kjo në bazë të ligjit nr.84/2016 neni 56 të tij. Duke ju falenderuar për interesimin tuaj, ne mbetemi të hapur për të ruajtur me ju një kontakt të vazhdueshëm në funksion të procesit të rivlerësimit dhe informimit të publikut"


Adriatik Llalla dhe Besnik Imeraj janë dy precedentët e drejtësisë të cilët u tërhoqën nga sistemi duke dhdënë dorëheqje, për të shmangur procesin e Vettingut. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përsa kohë nuk ka dalë rezultati i Vettingut, subjekti i rivlerësimit mund të tërhiqet dhe për rrjedhojë ndëpritet edhe Vettingu. Pasi është shprehur për dorëheqjen e ish-anëtarit të Kushtetuese, Besnik Imeraj, mbetet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të marrë një vendim edhe për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com