Dy humbje në pak ditë, konflikt në dhomat e zhveshjes me disa nga futbollistët më të rëndësishëm dhe një e ardhme e pasigurt. Xabi Alonso nuk ka bërë keq në muajt e parë si trajneri i Real Madrid, por fitorja nuk është e vetmja gjë pasi 'Galaktikët' janë mësuar të dominojnë në fushë dhe jashtë saj.

Mediet në Spanjë raportuan se humbja 0-2 kundër Celta Vigos fundjavën e shkuar në 'Bernabeu' i kishte nxehur drejtuesit e Real Madridit, por fjalën finale e ka Florentino Perez. Presidenti i klubit duket i kënaqur me punën e Xabi Alonsos dhe as humbja 1-2 në Champions League kundër Manchester Cityt nuk ka qenë lamtumira e tij.

Një mbledhje në ekip, fjalët e mira të shumë titullarëve dhe besimi i vetë trajnerit për të vijuar në rrugën e nisur duket se kanë sjellë një ndryshim të planeve. Të paktën për momentin trajneri nuk preket, kjo edhe sepse mbrojtja e madrilenëve është e cunguar për shkak të dëmtimeve.

"Nuk kam asgjë për të qortuar sot (dje) te vetja dhe lojtarët, jam krenar për ta. U përpoqëm deri në fund, e vlerësoj shumë qëndrimin e ekipit në fushë. Fërshëllimat e tifozëve? Mund t'i kuptojmë, në fakt duhet t'i pranojmë si normale, sepse kërkesat janë absolute", tha mes të tjerash ish-mesfushori pas humbjes nga Man. City.