A do ta fitojë Edi Rama, pas
Shqipërisë, edhe Kosovën?

A do ta fitojë Edi Rama, pas <br />Shqipërisë, edhe Kosovën?
Në përpjekjen e tij për t’u ngjitur në pushtet, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, po synon t’i fitojë edhe zemrat dhe mendjet e kosovarëve.

Për ta shlyer “stigmën” ndaj socialistëve që thuhet se ekziston në Kosovë, Rama ka goditur rivalin e tij Sali Berisha.

Para një auditori në Bibliotekën Kombëtare, të dielën, në Prishtinë, ai me ironi ka komentuar rreth “dashurisë” që kanë kosovarët ndaj Sali Berishës.

Gjatë fjalimit që ka zgjatur më shumë se një orë, Rama ka thënë se nganjëherë i duket “se këtu Berisha ngatërrohet me Gjergj Kastriotin”.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe “mëkatet” e Kryeministrit shqiptar ndaj Kosovës, duke thënë se në të kaluarën, Berisha ka demonizuar UÇK’në, ndërsa ka furnizuar Beogradin edhe me karburante. Ndërkohë që ka marrë duartrokitje të forta kur ka përmendur ish-kryeministrin socialist, Pandeli Majko, një prej ideatorëve të ndërtimit të Rrugës së Kombit.

Në një intervistë për Gazetën Express, Rama tregon edhe për vizitën e parë në Kosovë, për raportet e tij me politikanët këtu, pavarësisht se të dielën zyrtarisht nuk e ka takuar asnjërin.

Express: Një kohë të gjatë nuk keni pasur ndonjë interesim për shqiptarët jashtë Shqipërisë, natyrshëm kjo edhe për shkak se udhëhiqnit Kryeqytetin. Në një mënyrë, kjo u shfrytëzua nga kundërshtarët tuaj politikë dhe vazhdon të shfrytëzohet. Tash keni ndryshuar qasje dhe duket se jeni familjarizuar me Prishtinën, por neve na intereson të dimë se cilat janë planet tuaja për Kosovën pas 23 Qershorit, kur duket se do të jeni Kryeministër i Shqipërisë?

E. Rama: Kjo edhe është arsye pse unë jam sot këtu për të mbajtur një fjalë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin pas 23 Qershorit, një vështrim imi i bazuar në programin tonë i cili ka një qasje të re për politikën rajonale të Shqipërisë; në radhë të parë për intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve, këndej dhe andej kufirit.

Express: Edhe paraardhësit tuaj kanë folur më pasion për bashkimin ekonomik të shqiptarëve, por në fakt ka ndodhur që janë bllokuar madje edhe papatet në kufij, ndërkohë që Kosova është përmendur vetëm në kontekst të fjalimeve patriotike dhe gjatë festave të nëntorit... Pse duhet t’ju besojnë kosovarët?


E. Rama: Sigurisht se është konsumuar shumë retorikë me çështjen kombëtare, por një plan konkret siç e kemi ne asnjëherë nuk ka pasur para zgjedhjeve. Ne besoj se do të japim një tjetër rezultat, pasi që ne kemi një plan që nuk e ka pasur asnjë parti politike shqiptare.

Express: Ju keni qenë i kujdesshëm në tezat e bashkimit kombëtar, gjithmonë keni folur për një bashkim ekonomik. Është i pamundshëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë apo i panevojshëm?

E. Rama: Ne kemi humbur shumë kohë duke e menduar bashkimin kombëtar me mjetet logjike të së shkuarës dhe si një zhvillim brenda kornizës të së shkuarës. De facto hapësira jonë është bashkuar. Ka dy shtete, dy qeveri, dy lloj administrimesh, por si hapësirë është e bashkuar. Asgjë nuk na pengon që këtë hapësirë ta vëmë në shfrytëzim me politika të përbashkëta dhe duke bashkëvepruar që t’i marrim maksimumin.

Express: Për shumë vite, Sali Berisha ka qenë një idhull i kosovarëve. A mund ta shembni ju mitin e Berishës në Kosovë?

E. Rama: Thënë të drejtën nuk është puna e imja t’i bind shqiptarët e Kosovës, sepse besoj që kjo është një çështje që do kohën e vet dhe ka të bëjë me dezinformimin e madh në Kosovë për një periudhë të gjatë kohore. Në historinë reale nuk ka asgjë të vërtetë të rëndësishme që Sali Berisha të ketë bërë ndonjë gjë që të jetë i admiruar. Megjithatë, nuk është ky problem imi dhe nuk preokupohem shumë me këtë.

Express: Shumë prej estabilshmentit aktualë politikë në Kosovë, privatisht, shfaqen skeptik ndaj Shtetit të Kosovës, pra këtë e shohin diçka të përkohshme, një hap drejt bashkimit kombëtar. A besoni ju në këtë projekt, pra në Republikën e Kosovës?


E. Rama:
Unë besoj se në rast se ne i bashkojmë forcat për të ndërtuar një proces nga ku ne të përfitojmë sa më shumë nga hapësira jonë e përbashkët, ky do të ishte bashkimi real. Nuk besoj se bashkimi ynë real është që të kemi një Mbret ose një Kryeministër të përbashkët. Kjo është një çështje thjesht e organizimit, ndërkohë që në pikëpamjen e asaj që ne e quajmë bashkimi ynë kombëtar në BE, është shfrytëzimi i përbashkët i hapësirës në funksion ekonomik, shoqëror, arsimor, kulturor, sigurisë energjetike, bujqësisë, sportit dhe kështu me radhë.

Express: A besoni tek projekti i Shtetit të Kosovës? Në bazë të asaj që keni parë gjatë këtyre viteve të ekzistencës së shtetit të Kosovës, a është i mundur mbijetesa e këtij shteti... Ka shumë njerëz që thonë se Kosova me këtë qeverisje po shkon drejt një shteti të dështuar, një nocion ky i njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare?


E. Rama: Nuk di se çfarë skepticizmi ekziston në udhëheqësinë e Kosovës. Këtë nuk kam pasur mundësi ta shoh ndonjëherë, përkundrazi kam parë që kanë besim t’i japin jetë një realiteti të dobishëm për njerëzit që punojnë dhe jetojnë në Kosovë. Besoj se instrumentet e reja që na jep koha, që na jep procesi, që na jep bota ku jetojmë, ne nuk i kemi shfrytëzuar. Ne vazhdojmë ta shohim të ardhmen me sytë e së shkuarës. Në rast se bashkimi kombëtar do të materializohet dikur dhe diku si shprehje e shkrirjes së kësaj hapësirë në një shtet të vetëm, kjo është një çështje që i takon kohës ta provojë. Por, derisa koha ta provojë, ne kemi detyrimin që ta shfrytëzojmë bashkimin që ka ndodhur, këtë bashkim real që ka ndodhur. Në qoftë se ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë hapësirën për gjëra që i vlejnë kombit tonë, i kemi gjitha rrugët e hapura për ta bërë këtë gjë. Na duhet vizion, kreativitet, kurajo dhe na duhet vendosmëri.

Express: Më parë jeni konsideruar si një njeri shumë i afërt me Hashim Thaçin. Por një vit më parë, pasi që ju edhe publikisht shfaqet konsiderata për Albin Kurtin, u vërejt një ftohje marrëdhëniesh mes jush dhe z. Thaçi. Sot kemi edhe një deklaratë të Lëvizjes Vetëvendosje që shfaq kundërshti me idetë tuaja. Cila është e vërteta, çfarë raportesh keni sot me Kryeministrin e Kosovës, por edhe me Albin Kurtin?


E. Rama: Nuk kam pasur asnjëherë luhatje me Hashimin. Hashimi është një mik i vjetër imi, për të cilin ushqej ndjenjat më pozitive miqësore, përtej politikës e vlerësoj nga ana njerëzore. Politikisht, t’u them të vërtetën, në distancë, kam një vlerësim të posaçëm për punën e tij dhe për mënyrën se si po e udhëheq ai këtë proces historik për Kosovën. Unë i mirëkuptoj edhe kritikat, vërejtjet dhe shqetësimet që keni ju që jetoni me përditshmërinë këtu dhe që lidhen me përditshmërinë e menaxhimit të punëve të shtetit. Por në distancë, po e përsërisë, më besoni kjo është edhe pikëpamje e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe njerëzve me funksione të ndryshme në Europë apo në SHBA që punojnë me rajonin, që e vlerësojnë Hashim Thaçin si një interlokutor shumë serioz dhe shumë i vlerësuar.

Ndërkohë që me Albinin, pavarësisht se nuk kemi pasur marrëdhënie të afërta personale, kemi një raport, të paktën nga ana ime, miqësor. E konsideroj intelektualisht një mendje vërtetë për t’u admiruar, mbase për shkak se është një intelektual i posaçëm bën edhe gabime politike. Por ajo që vlerësoj tek ai është një kulturë e veçantë, një pasion i veçantë politik. Është një shqiptar i mirë që bën gabimet e veta.

Express: Z. Rama, intervistën dua ta fokusoj tash tek raporti juaj personal me Kosovën. Kur keni qenë për herë të parë në Kosovë dhe a mund të na thoni se çfarë dallojnë kosovarët me shqiptarët... Për gjërat që i bashkojnë kemi dëgjuar shumë.


E. Rama:
Nuk e di, unë besoj se edhe italianët janë si shqiptarët, e jo shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë. Unë nuk shoh dallime. Në Kosovë kam qenë menjëherë mbas qëllimi, ndoshta nja 20 ditë apo një muaj pas çlirimit.

Express: Një prej gjërave që në Prishtinë, por pse jo edhe në Shkodër, që i ndanë kosovarët nga shqiptarët përmendet gjuha, më saktësisht standardi aktual i gjuhës shqipe. A është kjo një çështje që duhet rishikuar, pra a duhet ndryshuar standardi aktual i shqipes?

E. Rama
: Me besoni se ky është një problem i madh edhe në Shqipëri, pra rënia e cilësisë së shkrimit të gjuhës shqipe, varfërimi i gjuhës shqipe për shkak të një sistemi arsimor mizerabël dhe për shkak të rënies së bumit të leximit. Për këtë arsye unë besoj se ne me shpejtësi duhet ta ndërtojmë sistemin e unifikuar arsimor.

Express: A duhet gegnishtja të futet në standardin e gjuhës shqipe, a duhet rishikuar standardi aktual?


E. Rama: Vlerësoj se po shtrihemi shumë në një bisedë që është shumë delikate dhe që kërkon trajtimin shumë të kujdesshëm dhe të thellë të akademikëve dhe nuk është një çështje e politikanëve dhe as e atyre që intelektualisht mund të kenë idetë e tyre. Unë besoj se gjuha shqipe - ajo që quhet gjuha standarde shqipe - është një arritje dhe pasuri e madhe.

Express: Për fund, duam t’ju përfshijmë në debatin për Rishikimin e Historisë. Turqia ka kërkuar nga Kosova që t’i ndryshojë librat e historisë. A jeni pro ndryshimit të historisë apo jo?

E. Rama: Unë mendoj se historia nuk është një materie me të cilën duhet të merren politikanët. Kur politikanët futen në shkrimin e historisë, bëjnë dëme historike.

*Foto: Kushtrim Tërnava

*Marrë nga gazeta Express

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës