Ngjarjet e ditëve të fundit e konfirmojnë këtë paradoks. Një sondazh i The Ëashington Post i atribuon 60% të të anketuarve një gjykim negativ për presidentin. Goditja që Gjykata Supreme u dha tarifave doganore të tij përbën një humbje politike, një dëm për imazhin e tij në opinionin publik kombëtar dhe një plagë për besueshmërinë e tij ndaj qeverive të huaja.
“Kriza e vitit të gjashtë”, e përmendur nga historiani britanik Niall Ferguson si rregulli i pamëshirshëm që ka gjunjëzuar pothuajse të gjithë presidentët amerikanë të mbërritur në mesin e mandatit të dytë, në rastin e tij duket më shumë si një krizë alergjike akute.
Në të njëjtën kohë, Amerika nuk ka qenë kurrë kaq e fortë. Disa sinjale nga pjesë të ndryshme të botës e tregojnë këtë. Në Venezuelë, sondazhet zbulojnë se shumica e popullsisë jep një vlerësim pozitiv për operacionin ndaj Maduros, edhe pse ai nuk ka sjellë demokracinë në vendin e tyre; ata janë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara që kanë hapur mundësinë për një të ardhme ndryshe.
Në Meksikë, vrasja e njërit prej liderëve kryesorë të karteleve të drogës është rezultat i një strategjie të re të adoptuar nga presidentja socialiste, e cila pranon presionet e ushtruara nga Uashingtoni. Të gjitha ekuilibrat gjeopolitikë të Amerikës Latine po përshtaten me një epokë në të cilën ndikimi i Shteteve të Bashkuara rikthehet dominues, në dëm të kundërshtarëve historikë si Rusia, Kuba dhe Kina.
Në Iran vazhdon numërimi mbrapsht, mes kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake amerikane dhe presioneve për një marrëveshje diplomatike ku regjimi i përgjakshëm i ajatollahëve të heqë dorë nga arma bërthamore. Ndërkohë protestat në universitete kanë rifilluar. Por dy aleatët dhe mbrojtësit kryesorë të teokracisë islamike, Kina dhe Rusia, janë të munguar, të heshtur dhe të pafuqishëm.
Manovrat e fundit të përbashkëta ushtarake ruso-iraniane patën efekt të kundërt: ato vetëm sa vunë në skenë përmasën e vogël të forcave të tyre, krahasuar me aparatin imponues ushtarak amerikan në atë zonë. Të gjitha opsionet mbeten të hapura, nga një sulm i shkurtër deri te një luftë e gjatë ose një marrëveshje diplomatike nëse iranianët dorëzohen. Por të gjitha kalojnë nga Uashingtoni, ndërsa Pekini dhe Moska janë reduktuar në rolin e spektatorëve në një rajon për ta strategjik, ku dikur kishin ndikim shumë më të madh.
Duke u kthyer në frontin e brendshëm, Trump doli i dëmtuar nga vendimi i së premtes i Gjykatës Supreme, por Amerika doli e forcuar. Demokracia e saj është e shëndetshme, mekanizmat e balancës dhe kontrollit funksionojnë. Trump u zemërua sepse disa gjyqtarë republikanë të emëruar prej tij e “tradhtuan”, nuk u sollën si shërbëtorë të bindur. Duke vepruar kështu ai bëri të njëjtin gabim si shumë vëzhgues evropianë që kanë nënvlerësuar qëndrueshmërinë e një Republike që zgjat prej dy shekujsh e gjysmë dhe që gjatë ekzistencës së saj ka treguar se di t’u mbijetojë disa aspirantëve për autokratë.
Tani evropianët duhet të shmangin një gabim tjetër: të mendojnë se me vendimin e Gjykatës Supreme po mbyllet sezoni i proteksionizmit dhe nacionalizmit ekonomik në Shtetet e Bashkuara. Në realitet, siç ka deklaruar për The Wall Street Journal Josh Lipsky i Atlantic Council, “tarifat e larta doganore amerikane janë të destinuara të mbeten”, pavarësisht alternimeve politike.
Analiza e Greg Ip në të njëjtën gazetë ekonomike është ndriçuese. Si shumica e komentuesve të Wall Street Journal, edhe ai është kundër tarifave doganore. Megjithatë ka kthjelltësi politike. Ai vëren se asnjë president i ardhshëm nuk do të heqë dorë lehtësisht nga qindra miliarda dollarë që tarifat doganore sot gjenerojnë si të ardhura vjetore. Tarifat doganore pothuajse me siguri do të çojnë në krijimin e disa vendeve të punës dhe fabrikave të reja në tre vitet e ardhshme. Kjo krijon një bazë elektorale të gatshme për t’i mbrojtur tarifat doganore, sidomos në sektorë kyç si çeliku dhe automjetet, dhe në shtete të lëkundura si Miçigani dhe Pensilvania.
Ndërkohë, të dy partitë janë larguar nga tregtia e lirë. Republikanët në Kongres janë përgjithësisht pro tregtisë së hapur, por më pak se sa ishin gjatë mandatit të parë të Trump. Në vitin 2018, senatori i atëhershëm Pat Toomey nga Pensilvania arriti të bindë shumicën e kolegëve republikanë të votonin një projektligj për të kufizuar tarifat doganore e vendosura nga Trump. Tetorin e kaluar, vetëm katër senatorë republikanë votuan për një rezolutë të ngjashme.
“Kur pyes disa republikanë të establishmentit shkruan Greg Ip se cila do të jetë politika e tyre e ardhshme tregtare, ata më përgjigjen se nuk do të ketë impulsivitetin e Trump, as tonin e tij përçmues apo prirjen për të futur në të njëjtin kazan kundërshtarët dhe aleatët. Megjithatë do të ruajë theksin mbi reciprocitetin, pra ndëshkimin e vendeve që i trajtojnë keq Shtetet e Bashkuara me tarifat doganore, taksat dhe rregulloret e tyre. Qeveria do të vazhdojë gjithashtu të ndërhyjë për të mbështetur sektorë si ai i gjysmëpërçuesve, jetikë për sigurinë kombëtare”.
Edhe demokratët po distancohen nga tregtia e lirë. Joe Biden kishte ruajtur të gjitha tarifat doganore të vendosura nga Trump ndaj Kinës dhe subvencionet e tij për prodhimin vendas të teknologjive të gjelbra kanë irrituar Evropën dhe Japoninë.
Neoliberalët të stilit Clinton-Obama, që dikur mbështesnin tregtinë e lirë brenda Partisë Demokratike, janë në tërheqje, ndërsa krahu i majtë është në ngjitje. Në konferencën e fundit strategjike në Mynih, deputetja Alexandria Ocasio-Cortez, socialiste demokrate dhe kandidate e mundshme për presidente, e quajti North American Free Trade Agreement (më pas i zëvendësuar nga U.S.-Mexico-Canada Agreement) “një politikë të dështuar” dhe deklaroi se tregtia ka favorizuar në mënyrë dërrmuese më të pasurit.
E gjithë kjo shpjegon pse pjesa tjetër e botës, në vend që të presë daljen nga skena të Trump, po përshtatet me realitetin e ri. Një fuqi e madhe si Kina apo Shtetet e Bashkuara “përdor varësitë e të tjerëve dhe, nëse është e nevojshme, përfiton prej tyre”, ka deklaruar kancelari gjerman Friedrich Merz (aktualisht në udhëtim drejt Pekinit). “Prandaj ne po reduktojmë varësitë tona dhe cenueshmërinë tonë.”/Corriere della Sera
Komente











