A do të përfundojë këtë vit lufta në Ukrainë?

A do të përfundojë këtë vit lufta në Ukrainë?

Ushtar ukrainas

Prej kur është parë që Rusia ka dështuar ta pushtojë Ukrainën në javët e para të luftës, të gjithë e kanë përsëritur vetëm një shprehje për mbi dy vjet rresht, që luftës nuk po i shihet fundi.

Por, në javët e fundit situata ka ndryshuar, nisur nga lëvizjet në fushëbetejë, si dhe qëndrimet publike të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Ai është zotuar se do t’i japë fund konfliktit më të madh në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, brenda një apo dy ditëve.

Atëherë, a do të marrë fund lufta në Ukrainë më 2025?

Nëse me përfundim nënkuptohet një marrëveshje paqësore, atëherë jo, vlerësojnë shumë analistë – kryesisht për shkak se presidenti rus, Vladimir Putin, e kundërshton këtë ide, përveç nëse Moska do të ketë një shkallë dominimi mbi Ukrainën, diçka e papranueshme për Kievin dhe vendet aleate.

Ekspertët besojnë se Putin dëshiron që Rusia të përbëjë kërcënim të vazhdueshëm për Ukrainën dhe ta sfidojë Perëndimin, të cilin e konsideron si agresor në konfrontim qytetërues.

Ukrainasit, në anën tjetër, nuk duan paqe nëse ajo nënkupton dorëzimin final të një pjese të territorit te Rusia, dhe nëse duhet të heqin dorë nga kërkesat që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer ndaj Ukrainës dhe banorëve të saj.

“Mendoj që jemi shumë, shumë larg nga dhënia fund e luftës”, ka thënë Nigel Gould-Davies, hulumtues i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

Thirrjet për armëpushim janë shumë të mundshme, duke marrë parasysh premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës shpejt. Njëjtë, edhe mundësia e nisjes së negociatave është e madhe.

“Situata është asisoj që [Trumpi] mund t’i bindë rusët dhe ukrainasit që të flasin me të dhe me njëri-tjetrin”, ka thënë Olga Oliker, drejtoreshë e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin për Kriza, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Do të mund të shohim një lloj armëpushimi de facto, nëse jo de jure, ndonjë lloj të negociatave, pavarësisht formatit, përgjatë vitit 2025”, ka thënë Sam Greene, profesor në Institutin për Rusinë të Kolegjit King të Londrës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Toka dhe siguria

Ekzistojnë shumë gracka në brendi të një armëpushimi, përfshirë rrezikun që Rusia mund ta përdorë atë si mundësi për t’i rigrupuar dhe për të kryer sulme sërish, përveç nëse ukrainasit forcohen me mbrojtje të avancuar.

Ekzistojnë edhe shumë pengesa për arritjen e një marrëveshjeje, disa dalin prej pozicioneve shumë ekstreme që kanë palët për aspekte thelbësore të konfliktit.

Njëra prej tyre është territori. Një marrëveshje për armëpushim duket më e mundshme tani, sesa në të kaluarën, për shkak të shenjave që ka dhënë Ukraina, sipas Olikerit –"lodhje me dërrmim”, si pasojë e fitoreve të vazhdueshme të Rusisë në fushëbetejë. Prandaj edhe mund të jetë e përgatitur për ndonjë marrëveshje që tokat që kontrollon tani Moska, të mbesin nën kontrollon rus për një periudhë të përkohshme dhe jozyrtare.

Por, kjo nuk do t’i mjaftonte Putinit. Ai dhe zyrtarë tjerë rusë kanë thënë se njohja e katër provincave ukrainase si tokë ruse, nuk është diçka e negociueshme, dhe pikërisht ky pozicion është i papranueshëm për Kievin.

Një tjetër pengesë e madhe është për shkak të nevojës për garanci serioze dhe efektive të sigurisë për Ukrainën.

Rusia është e prerë në kundërshtimin e saj për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Njëra prej kërkesave kryesore të Moskës para nisjes së luftës së plotë ka qenë garancia që Kievi nuk do të bëhej kurrë anëtar i aleancës veri-atlantike. Analistët besojnë se Kremlini do të jetë jashtë çdo marrëveshjeje që mund të parashohë anëtarësimin eventual të Ukrainës në këtë organizatë ushtarake perëndimore.

Nëse mbështetësit perëndimorë të Kievit tentojnë t’i sillen këtij muhabeti, të ndërtojnë një përmbajtje që nuk tingëllon si formë garancie, Putin do ta bëjë të qartë se nuk e pranon, vlerëson Gould-Davies.

“Është shumë, shumë e vështirë se si do të mund të duket”, ka thënë ai, për garancinë e sigurisë për Ukrainën, që të jetë e favorshme për të dyja palët.

‘Teoritë e tij të fitores’

Një diskutim i madh në javët e fundit është bërë rreth idesë për dërgimin e trupave ushtarake perëndimore në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi. Mirëpo, edhe në këtë pikë ekzistojnë mospajtime në Evropë, dhe Rusia nuk mund të ishte më e lumtur.

“Kremlini nuk dëshiron të shohë trupa perëndimore, sidomos të NATO-s, nëpër linjat e kontrollit të armëpushimit”, ka thënë Greene, sepse “Rusia do të synojë të mbajë fuqinë e iniciativës. Ajo dëshiron të jetë në krye të kontrollit kur është fjala për përshkallëzim, dhe nuk dëshiron t’i shohë të balacuara palët tjera, qofshin ukrainasit, qoftë Perëndimi”.

“Pyetja është nëse [Kievi apo Perëndimi] do të mund ta shtyjnë Moskën në një pozicion që nuk ka asnjë mundësi, pos të pranojë atë lloj marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Ndonëse Rusia ka shënuar përparim të vogël në fushëbetejë, ekonomia e saj është larg kolapsit, pavarësisht shenjave paralajmëruese dhe pasigurisë për mbështetjejen e ardhshme perëndimore për Ukrainën.

“Në këtë pikë, [Putin] beson që teoria e tij e fitores është duke u vërtetuar, që Rusia është mjaft e madhe dhe e ashpër që në periudhë afatgjatë t’i shkaktojë dëme dhe kosto të mëdha armikes të tij të vogël, Ukrainës, por edhe t’i mbajë ta mbajë të acacuar politikisht Perëndimin”, ka thënë Gould-Davies.

“Diçka që mund të ndryshojë këtë situatë dhe ta detyrojë Putinin të ketë qasje tjetër në të ardhmen, është nëse do të ketë presion të vërtetë nga administrata Trump, duke e kërcënuar me kosto të madhe nëse vazhdon lufta, dhe nëse e bën Putinin të besojë se edhe regjimi i tij mund të rrezikohet”, ka thënë ai.

Përtej sugjerimit se do të përdorë ndihmën për Ukrainën si mjet ndikimi mbi Kievin dhe Moskën, Trump ka thënë pak për mënyrën se si shpreson t’i japë fund luftës.

Teksa pret nisjen e mandatit të ri të Trumpit, Putin duket se po luan lojë të dyfishtë, diçka që e bën shpesh, duke dërguar mesazhe kontroverse – duke e përshkruar Rusinë si konstruktive dhe të përgatitur për koncesione, por edhe duke përjashtuar çdo mundësi që mund të jetë e pranueshme për Kievin dhe Perëndimin.

Duke marrë shembull konferencën e fundit me gazetarë, që ka zgjatur mbi katër orë, ai ka thënë shpesh se Rusia është e gatshme për kompromise me Ukrainën, por ka thënë edhe shumë gjëra tjera që e kanë sugjeruar të kundërtën.

‘Gjithçka rrotullohet te lufta”

Putin e konsideron presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky si lider jolegjitim, me të cilën nuk do të nënshkruante një marrëveshje. Ai ka dhënë edhe sinjale që e ashtuquajtura Komunikatë e Stambollit - një marrëveshje kornizë që ka qarkulluar pak para se të dështonin bisedimet mes Moskës dhe Kievit në ditët e para të luftës - duhet të shërbejë patjetër si bazë për negociata.

“Ajo çfarë dëshiron të thotë Putini është se pikat e asaj marrëveshjeje përcaktojnë një Ukrainë neutrale, që jo vetëm se i ndalohet anëtarësimi në NATO, por parashihet edhe çmilitarizimi i saj, dhe kështu mund të jetë shënjestër tepër e lehtë për Rusinë në të ardhmen”, ka thënë analisti për Rusinë, Mark Galeotti.

“Ai po tenton ta bëjë procesin sa më të çuditshëm, por ndërkohë të tingëllojë sa më fleksibil që është e mundur”, ka thënë Galeotti në podkastin e tij më 22 dhjetor.

Greene ka sugjeruar se Rusia mund të jetë e përgatitur “të zvogëlojë dhunën” dhe të konsiderojë ndonjë armëpushim, vetëm nëse Putini është i bindur që Moska do të vazhdojë të kërcënojë Ukrainën dhe do të ketë ende mospajtime me Perëndimin.

“Ekonomia ruse është duke funksionuar vetëm për shkak të luftës. Sistemi politik rus është i ndërtuar rreth luftës. Kjo flet për nivelin e centralizimit, shtypjes, kontrollit ideologjik”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse Rusia arrin me sukses te armëpushimi, besoj se do ta gjejë veten duke tentuar të mbajë një nivel përballjeje që e ka aktualisht me Ukrainën, por edhe me gjithë Perëndimin”.

‘Gabim i madh’

Oliker beson që edhe me pozicionet e ashpra të Rusisë për çështjet e territorit, një marrëveshje nuk është e pamundshme, nëse palët ulen për të negociuar.

“Ekziston avantazhi i nisjes së bisedimeve. Kur ato të nisin, njerëzit nisin t’i mendojnë koncesionet që nuk i kanë menduar para se të uleshin në tavolinë”, ka thënë ajo.

“Secili niset me idetë e tyre maksimale, secila mendon ashtu në fillim”.

Marrëveshja edhe mund të mos arrihet më 2025. Mirëpo, nëse bisedimet mbahen edhe një marrëveshje hartohet, analistët paralajmërojnë që shtetet perëndimore duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos lavdërojnë veten e ta shohin këtë si temë të mbyllur.

“Përgjigja e Evropës ndaj çdo armëpushimi do të jetë shumë e rëndësishme – si për Ukrainën, ashtu edhe për veten”, ka thënë Ruth Deyermond, ligjëruese e lartë në Departamentin për Studime të Luftës në Kolegjin King të Londrës, në disa komente me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Teksa shumë shtete po përballen me trazirat e tyre të brendshme [shpesh të nxitura nga Rusia] ato mund të tundohen nga mundësia e dhënies fund të konfliktit dhe mund ta shohin këtë si mundësi për ringjallje të lidhjeve me Rusinë. Diçka e tillë do të ishte gabim i madh”, ka shkruar ajo.

“Rusia do të vazhdojë të përbëjë kërcënim për sigurinë evropiane”./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Si u rekrutua kompania maqedonase për ushtrinë mercenare ruse Wagner

Si u rekrutua kompania maqedonase për ushtrinë mercenare ruse Wagner