Gjashtë ditë të organizuara me kujdes për funeralin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, nisën të shtunën në qytetin e tij të lindjes, Plains, Georgia.
Carter, i cili vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare, shërbeu si president nga viti 1977 deri në 1981 dhe vazhdoi të bëhej komandanti më jetëgjatë në historinë e SHBA.
Funerali shtetëror, që do të zgjasë një javë, filloi me një procesion nëpër qytetin e vogël të Plains. Agjentë të Shërbimit Sekret nga ekipet aktuale dhe të mëparshme të sigurisë mbajtën arkivolin e Carter-it, i mbuluar me flamurin amerikan, duke e vendosur në një autoambulancë funerale.
Njerëzit e mbledhur anës rrugës i dhanë lamtumirën e fundit, shumë prej tyre duke përshëndetur kortezhin, i cili kaloi pranë fermës së fëmijërisë së Carter-it, ku u ra një zile 39 herë në nder të presidentit të 39-të të vendit.
“Ai ishte një njeri që nuk sillej me krenari; ishte një person normal dhe i thjeshtë,” tha për agjencinë e lajmeve AFP banori lokal William Brown, 71 vjeç, në Plains. “Do të na mungojë.”
Ndërkohë, flamujt u ulën në gjysmë-shtizë në mbarë Shtetet e Bashkuara si dhe në ambasadat amerikane në të gjithë botën, ndërsa nderime iu bënë në ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore.
Nga Georgia në Washington
Më vonë gjatë së shtunës, trupi i Carter-it u dërgua në Atlanta për një moment heshtjeje në Kapitolin e Shtetit të Georgias, ku Carter kishte shërbyer si senator shtetëror përpara se të bëhej guvernator. Pas qëndrimit në Carter Presidential Center gjatë natës, ku publiku pati mundësinë t’i jepte lamtumirën e fundit, trupi i Carter-it do të fluturojë për në Washington, DC, dhe më pas do të dërgohet në Memorialin e Marinës Amerikane — një homazh për diplomimin e Carter-it nga Akademia Detare e SHBA në vitin 1946 dhe shërbimin e tij në nëndetëse.
Nga aty, një tjetër procesion funerali do të shoqërojë arkivolin në Kapitolin e SHBA, ku ish-presidenti do të qëndrojë në nderim deri të enjten në mëngjes, i rrethuar nga një gardë nderi ushtarake.
Carter do të jetë ish-presidenti i 13-të i SHBA që do të qëndrojë në nderim në Kapitol. I pari ishte Abraham Lincoln, pas vrasjes së tij në vitin 1865.
Rruga e zgjedhur për transportimin e trupit të Carter-it është konceptuar për të reflektuar ngjitjen e tij nga rrënjët rurale në jug deri në skenën globale, ku përveç se shërbeu si president i SHBA, u nderua edhe me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002.
Funerali i tij shtetëror do të mbahet në orën 10:00 të mëngjesit të së enjtes në Katedralen Kombëtare të Washington-it, pas së cilës trupi do të kthehet në Plains për një funeral privat në Kishën Baptiste Maranatha.
Ai do të varroset pranë shtëpisë së tij, përkrah gruas së tij, Rosalynn Carter.