Që mazhoranca të shkarkojë Presidentin Ilir Meta, duhen 2/3 e votave në Kuvend, pas kapërcimit të kompetencave kushtetuese nga ana e tij për anulimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se duhen edhe votat e opozitës së re në Kuvend, pasi mazhoranca nuk i ka 94 vota. 

Deputetë të parlamentit janë pyetur nëse do të votojnë ose jo ditën e enjte në Kuvend shkarkimin e Presidentit Meta. Në një prononcim për Report Tv, deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi është shprehur "kundër", pasi sipas tij, Meta ka vepruar si burrë shteti.

Ndryshe është shprehur deputetja e PS-së, Reme Lala. Për gazetaren Esiona Konomi, Lala ka deklaruar se të mbështesë vendimin e qeverisë për të shkarkuar presidentit Meta. Nga ana tjetër, deputeti i Grupit të Pavarur Parlamentar, Ralf Gjoni ka deklaruar se vota e tij "pro" ose "kundër"  për shkarkimin e Metës, varet nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe i Kushtetutës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:13
U përjashtua nga PS/ Gjetani del kundër Ramës: Dekreti i presidentit për bashkimin e shqiptarëve

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Gjetan Gjetani, sot deputet i pavarur, ka dalë hapur kundër shkarkimit të presidentit Meta. I përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PS-së në shtator të 2018-ës, Gjetani i ka drejtuar një thirrje deputetëve socialist që të mos votojnë "pro" nismës së PS për shkarkimin e presidentit Meta, pasi vendimit nga ky i fundit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve.

“I bej thirrje kolegeve të mi socialistë që te mos ndjekin Edi Ramën në rrugën e tij për shkatërrimin e përçarjen e Shqipërisë. Dihet që Edi Rama është armiku i zgjedhjeve të lira e të ndershme prandaj nuk lejoi zgjedhje edhe në PS.

Dekreti i presidentit është një veprim për bashkimin e shqiptareve dhe jo ndarjen e tyre, për zgjedhje të lira dhe jo për zgjedhje të kapura nga krimi, për integrimin dhe jo për izolimin e shqiptarëve. Prandaj të bashkohemi të vlerat e vërteta dhe ta lemë vetëm Edi Ramën në çmendurinë e tij për para e për pushtet dhe në greminën ku ai do të fusë vendin dhe socialistet e ndershëm.

Sot është koha që të zgjedhim të mirën për vendin dhe familjet tona dhe të largohemi nga e keqja,që përfaqëson Edi Rama i cili mendon vetëm për xhepin dhe pushtetin e vet dhe të krimineleve rreth tij”, shkruan Gjetani.

Ora 16:26
Do shkarkoni Metën? Gjoni: Kusht Ref. Zgjedhore dhe ndryshimi i Kushtetutës

Deputeti i Grupit të Pavarur Parlamentar, Ralf Gjoni ka deklaruar se vota e tij "pro" ose "kundër"  për shkarkimin e Metës, varet nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Në një prononcim për gazetaren Esiona Konomi, Gjoni ka vendosur kusht pikërisht ndryshimin e Reformës Zgjedhore dhe ndryshimin e asaj pjese të Kushtetutës, që ai quan "masakër elektorale' e firmosur në 2008 nga Rama e Berisha.

“Nuk kemi përpara ende asnjë akt parlamentar për shkarkimin e Presidentit. Por kriza aktuale politike po kthehet në një situatë tragji-komike e cila na imponon gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvend. Papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat tona kombëtare dhe po shkatërron të ardhmen tonë. Ndaj dhe angazhimi im parlamentar dhe vota ime në Kuvend do të udhëhiqen para së gjithash nga ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe ligji për partitë politike, si strumbullarë të gjithçkaje të mbrapshtë në këtë vend. Ndaj dhe vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale te vitit 2008", tha Gjoni.

Ora 16:10
Lala: Mbështes qeverinë për shkarkimin e Metës

1560175704_remelala.jpg

Në një prononcim për Report Tv, deputetja e PS-së Reme Lala është shprehur se do të mbështesë vendimin e qeverisë për të shkarkuar presidentit Meta.

"Mbështesë qeverinë në vendimin për shkarkimin e presidentit", tha Lala për Report Tv.

Ora 13:26
Lefter Maliqi flet nëse do të votonte (ose jo) për shkarkimin e Metës

1557998264_1557997730maliqi.jpg

Lefter Maliqi, deputeti i opozitës së re ardhur në Kuvend nga listat e PD-së pas djegies së mandatit, thotë se nuk do të votojë për shkarkimin e Metës, pas iniciativës së mazhorancës që ka nisur procedurat për të çuar në Kuvend këtë kërkesë.

Në një prononcim për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi, Maliqi thotë se presidenti shmangu përplasjen civile, që sipas tij mund të ndodhë me mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

"Në asnjë mënyrë,Presidenti bëri aktin më të mirë në shërbim të vendit. Shmangu konfliktin dhe përplasjen civile. Tregoi veten mbi palët dhe do të mbahet mend në histori për veprimin si burrë shteti", u shpreh Maliqi.